Editorial / Ali Ahmetit ju zbardhën flokët për gjuhën shqipe, Ejup Rustemi ende me “Добар ден“ !

nga Redaksia

Shkup 22 qershor – Nëse flasim me Ejup Rustemin, drejtorin e Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”NPRRSH, më mirë për të është nëse fillon biseda me “dobar den” në vend të “mirëdita”. Sepse, ky drejtori shqiptar e ka për qejfi gjuhën maqedonase dhe nuk i bëhet vonë fare të anashkaloj gjuhën shqipe. E kjo nuk është akuzë, e as shpifje, por është fakt i bazuar në veprimtarinë e tij që kur nënshkruan marrëveshje e kontrata vendos nene të veçanta që ajo marrëveshje të jetë e shkruar vetëm në gjuhën maqedonase, shkruan Zhurnal.mk.

Drejtori Rustemi gjuhën maqedonase mund ta ketë gjuhë të përditshme në shtëpi por jo edhe në institucionet shtetërore për funksionimin e të cilëve taksapagues janë edhe shqiptarët. Si të presin shqiptarët respektim të gjuhës shqipe nga maqedonasit kur vet drejtori shqiptar, Ejup Rustemi, nuk e respekton gjuhën shqipe. “Gjuha e komunikimit në formë të shkruar në mes palëve të marrëveshjes është në gjuhën maqedonase” thuhet në marrëveshjen e nënshkruar nga ky drejtor me një kompani tjetër shqiptare, të cilës i ka dhënë tender 2 milionë euro për kositje të barit. Por, përse Inspektorati për Përdorim të Gjuhëve është i përgjumur, përkatësisht drejtori i këtij institucioni, Fatmir Iseni, përse nuk i përdor mekanizmat që i ka në dispozicion për të gjobitur çdo institucion që nuk e respekton “ligjin për gjuhët”?

Ejup Rustemi drejtori shqiptar që nuk e respekton gjuhën shqipe –

Në prag të ndryshimeve kushtetuese kur edhe po tentohet që me çdo kusht t’i kthehet dinjiteti gjuhës shqipe, ka drejtorë si puna e Ejup Rustemit që nuk i bëhet vonë të “përdhos” gjuhën shqipe deri në atë nivel që fare mos ta parasheh në marrëveshjet dhe kontratat që i nënshkruan.

E marrëveshja në fjalë është nënshkruar me kompaninë “Mirsat Komerc” nga Kërçova, e cila është angazhuar për kositjen e barit përreth autostradave të shtetit. Në këtë marrëveshje në nenin dy theksohet: “Gjuha e marrëveshjes edhe në dokumentet tjera të cilat përfaqësojnë pjesë formale të marrëveshjes është gjuha maqedonase. Gjuha e komunikimit në formë të shkruar në mes palëve të marrëveshjes është në gjuhën maqedonase”.

E ky veprim i këtij drejtori shqiptar është i kundërligjshëm dhe bie në kundërshtim edhe me veprimet e partisë së tij, BDI lëvdohu natën se ka zyrtarizuar gjuhën shqipe, Ejup Rustemi shkatërro gjithçka ditën.

Ligji për përdorimin e gjuhëve u publikua në gazetën zyrtare në vitin 2019 me çka gjuha shqipe u bë zyrtare. Në ligjin për përdorimin e gjuhëve, neni 1 alineja 3 thuhet:

“Në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj”, thotë Ligj për Përdorimin e Gjuhëve, neni 1, alineja 3.

Pra, Ejup Rustemi, i emëruar në këtë drejtori nga një parti që shqiptarët i kanë besuar votën e tyre, BDI, shkel ligje dhe nuk respekton gjuhën shqipe. Kjo është e pakuptimtë, dhe nuk duhet të kalojë në heshtje. Për çdo shkelës ka sanksione.

Megjithatë, që të zbatohet gjuha shqipe janë formuar dy institucione me rëndësi në vend, siç është Agjencia për zbatim e gjuhëve, dhe Inspektorati për përdorimin e gjuhëve, as njëri e as tjetri institucion nuk i shohin shkeljet që i bën ky drejtori “tenderist”.

Ndryshe, Inspektorati për përdorimin e gjuhëve duhet të hetojë deri në përpikëri shkeljen që e ka bërë Ejup Rustemi, dhe të sanksionojë sipas dispozitave të parapara që shkeljen e njëjtë mos ta përsërit sërish. Në të kundërtën ky drejtor kirjon komoditet dhe vazhdon ta përdhos gjuhën shqipe. Por, duhet t’ia rikujtojmë se me votat e shqiptarëve partia e tij ka marrë imunitet dhe ka pasur mundësi ta emëroj këtë drejtor, pa çka se asgjë nuk po drejton vetëm po shkatërron.

Pra, të kota gjitha pretendimet e krekosjet për zyrtarizimin e gjuhës shqipe përderisa drejtori shqiptar nuk e respekton gjuhën shqipe, çfarë të pritet e të shpresohet prej drejtorëve maqedonas? Një gabim i Rustemit nuk duhet të lejohet të shndërrohet praktikë që pastaj të përsëritet kjo në vazhdimësi, dhe gjuha shqipe kurrë mos të marrë epitetin që e meriton gjuhë e dytë zyrtare në vend.

Ndryshe, Ejup Rustemi, nëse e ka aq shumë për qejfi gjuhën maqedonase të njëjtën mund ta përdor në komunikim të përditshëm e në shtëpi, për jo edhe në institucionin që drejton, pasi përpos gjuhës maqedonase është i obliguar të përdor edhe gjuhën shqipe por vetëm në institucion, jashtë është i liruar nga kjo barrë për të. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More