Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Ambasadorë me dy shtetësi s’guxojnë të ketë në asnjë shtet serioz!

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 2 janar – Projektligji për punët e jashtme ka hyrë në procedurë parlamentare. Përveç rritjes në 80% të numrit të ambasadorëve që do të jenë nga radhët e diplomatëve të karrierës, sugjerohet që zgjidhjet politike për ambasadorë të tërhiqen nëse ka marrëveshje midis qeverisë dhe presidentit.

Ndryshimet në ligjin që Qeveria dëshiron të sjellë për shpërbërjen e Kuvendit, në pjesën e shërbimit diplomatik, parashikohet që automatikisht të bëhet avansimi i diplomatëve deri në nivelin e këshilltarit, ndërsa për titujt më të lartë do të kërkojnë mbështetjen e Kolegiumit, i cili është organ i ri i propozuar në Ligj dhe do të përbëhet nga ministri, zëvendësi, sekretari i shtetit dhe katër drejtorë të përgjithshëm.

Ambasadorë me dy shtetësi

Ndryshimet në ligj parashikojnë që ambasadorët të kenë nënshtetësi të dyfishtë, e cila nuk ka qenë e lejuar deri më tani. Është pikërisht shtetësia e dyfishtë që ka hapur kutinë e Pandorës për listën e re të ambasadorëve që duhet të plotësojnë 19 vende të ambasadorëve. Katër prej tyre kanë nënshtetësi të dyfishtë, por derisa të miratohen ndryshimet, shtetësia e tyre e dyfishtë është në kundërshtim me ligjin.

Jozyrtarisht pretendohet se nëse dërgohen për ambasadorë ata do të heqin dorë nga shtetësia e tyre e dytë. Është e diskutueshme që ata, si kandidatë të zgjedhur për ambasadorë kanë paraqitur në Ministrisë së Punëve të Jashtme një deklaratë të noterizuar se nuk ishin shtetas të një vendi tjetër, e kjo konsiderohet një deklaratë e rreme për të arritur në postin e ambasadorit. Fatkeqësisht njëri prej këtyre kandidatëve aktual për ambasador edhe pse ka nënshtetësi të dyfishtë ka qenë ambassador edhe më parë. Absurdet në Maqedoni s’kanë të ndalur pasi më parë kishte edhe një ambasador në Gjermani që kishte shtetësi gjermane, por jo edhe atë të Maqedonisë së Veriut.

Në asnjë vend të botës nuk është praktikë që ambasadorët të kenë nënshtetësi të dyfishtë, bile në disa prej tyre as bashkëshortet e tyre nuk guxojnë të jenë shtetas të huaj, pasi diplomacia konsiderohet si ndër shërbimet më top-sekrete të një shteti. Fatkeqësia tek ne qëndron në faktin se për interesa të klaneve të ngushta, lejohet të vendosen njerëz në pozitat më të larta pa pasur një filtrim të mirfilltë profesional e kombëtar.

MPJ të ketë kujdes në emërimin e ambasadorëve

Përveç nënshtetësisë së dyfishtë, në listën e re të ambasadorëve përfshihen edhe emrat e ambasadorëve të cilët më parë kanë qenë të përfshirë në skandale diplomatike si pjesë e MPJ-së. Kur ata kanë qenë në rang më të ulët me veprimet e tyre dëmtuan diplomacinë, e rast i tillë është propozimi I partisë DOM, e cila si ish-këshilltare e ambasadës në Romë, konsiderohet se është drejtpërdrejt përgjegjëse për çështjen gjyqësore në të cilën MPJ duhet të paguajë dëme prej rreth 250,000 euro. Në një nga emrat kishte procedura disiplinore në MPJ, ku u pushua nga puna me vendim të Gjykatës Administrative.

Rritje e numrit të ambasadorëve shqiptarë

Numri i ambasadorëve shqiptarë me emërimet e fundit është rritur në krahasim me numrin e atyre që ishin deri më tani. Aktualisht do të jenë 15 ambasadorë shqiptarë që do të plotësojnë përfaqësitë diplomatike e konsullore të Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët do të kenë shefat e tyre në diplomaci në Zagreb, Romë, Gjenevë, Doha, Otavë, Prishtinë, Kopenhagë, Berlin, Abu Dhabi, Oslo, Bern, Sarajevë, Nur Sultan, Pekin dhe Çikago.

Partitë politike shqiptare edhe përkundër tentimit që të profesionalizojnë diplomacinë, sërish kanë vazhduar të dërgojnë persona politik në diplomaci edhe atë 6 ambasadorë janë emërime partiake që nuk janë diplomatë karriere.

Deri më tani pengesë kryesore për shqiptarët në diplomacinë e Maqedonisë së Veriut ka qenë ngurrimi i ish – presidentit Ivanov, i cili vazhdoi të bllokojë shqiptarët që të dërgojnë ambasadorë në vende të ndryshme.

Diplomacia është zanat i veçantë që mësohet e praktikohet nga diplomatë të karrierës, që në fakt zhvillojnë të gjitha detyrat e tyre në shërbim të politikës së jashtme. Në Maqedoninë e Veriut, diplomacia duhet të profesionalizohet çdo ditë e më shumë pasi çdo ndërhyrje politike është e dëmshme në arritjen e qëllimeve të vendosura në politikën e jashtme.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...