EDITORIAL / ASH-ja me njërën këmbë në qeveri, Alternativa në siklet !

nga Redaksia

Shkruan, Agjencia Zhurnal.mk

Shkup, 12 tetor – Në kampin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, skena politike ka filluar të shkundet sërish dhe priten të ndodhin ndryshime në përfaqësimin e tyre në qeveri. Së fundmi, po bëhet gati që në qeveri të futet edhe Aleanca për Shqiptarët, me të cilën qeveria do të forconte shumicën parlamentare me qëllim që të mos ketë pengesa në të ardhmen për implementimin e ligjeve dhe platformës politike pro-evropiane. Por, kush po frikësohet dhe pse ka shqetësim për këtë hap të radhës!

ASH-ja me njërën këmbë në qeveri!

Pas dorëheqjes së kryetarit të deritanishëm të ASH-së, Zijadin Sela, zërat që kjo parti të futet në qeveri kanë filluar të shpeshtohen. U.d. Kryetari i Aleancë për Shqiptarët, Arben Taravari ka thënë se për momentin nuk ka ofertë që kjo parti të bëhet pjesë e Qeverisë, pasi si parti janë të koncentruar në riorganizimin e qeverisë, por që në rast se ka ofertë të këtillë atëherë do ta shqyrtojnë gjë gjë të tillë.

Deputetë brenda kësaj partie kanë shprehur qëndrime ndryshe, që do të thotë se brenda ASH-së nuk janë të gjithë të mendimit që kjo parti duhet të futet në qeveri. Syrija Rashidi, deputet i kësaj partie ka thënë se Aleanca për Shqiptarët është subjekt serioz politik e cila nuk sjellë vendime në bazë të thashethemeve hipotetike, por vendimet politike i ka në bazë të asaj çka është reale dhe objektive.
Por, u.d. kryetar, Arben Taravari e ka lënë të hapur rrugën duke pohuar se një vendim të tillë do ta marre kryesia më e ngushtë e partisë, e cila do ta bëjë publike këtë fakt në momentin kur të ketë një ofertë të tillë serioze.

Alternativës nuk po i bëhet qejfi!

Në lidhje me mundësinë e hyrjes së ASH-së në qeveri, nga partia Alternativa e cila është pjesë e Qeverisë kanë thënë se nuk besojnë që Aleanca për Shqiptarët është e gatshme të bëhet pjesë e Qeverisë, ndërkaq kujtojnë reagimet e kësaj partie kur Alternativa u bë pjesë e Qeverisë.

“Ne nuk besojmë se Aleanca për Shqiptarët ka dëshirë të hyjë në Qeveri, kjo për arsye se ata e kanë quajtur me nota perversiteti inkuadrimin e Alternativës në Qeveri, por nëse e kanë tejkaluar këtë dhe kanë dëshirë ta ndihmojnë këtë qeveri proeuropiane, ne – ashtu siç kemi thënë gjithmonë mund të jemi vetëm aleatë dhe bashkëpunëtorë”, kanë pohuar nga kjo parti.

Çfarë në të vërtetë po gatuhet për qeverinë e ardhshme!

Kryeministri Dimitar Kovaçevski vazhdon të ketë probleme në sigurinë e shumicës stabile parlamentare dhe për këtë arsye, si opsion për të shtuar numrin e deputetëve e ka parë edhe mundësinë e kyçjes së ASH-së në qeveri. Parimisht një dakordësim të tillë e ka marrë edhe nga partnerët e tij në koalicion, partinë shqiptare BDI, e cila është e gatshme që të lejojë shtimin e shumicës parlamentare. Largimi i Zijadin Selës, ia ka lehtësuar edhe PDSH-së që ASH-ja të jetë më e pranueshme në qeveri, kështu që nuk ka një bllokim nga ana e Menduh Thaçit. Të vetmive që nuk po iu bëhet qejfi që ASH-ja mund të jetë në qeveri janë Alternativa, e cila me aq numër të paktë të deputetëve, arriti të marrë funksione të larta, edhe atë dy ministra dhe shumë funksione të tjera. Është shumë e qartë se tani kur të futet edhe ASH-ja, “kolaçi” i pushtetit do të ndahet, e që nënkupton se për t’i dhënë ASH-së diçka, do t’iu merret partive tjera aktuale në qeveri. Më së shumti në këtë pjesë mund të humbasë Aletrantiva, të cilës është e sigurt se do t’i merret një ministri, por edhe pozita tjera të drejtorive.

BDI vazhdon të mbetet në qëndrimin e me numrin e deputetëve që e kanë nuk lëshojnë pe në humbjen e ndonjë ministrie, ndërsa PDSH-ja nuk ka asnjë ministër, përveç zëvendësministrave dhe disa drejtorive. Edhe partitë më të vogla maqedonase nuk kanë shumë ministri, përveç PLD-së e cila e ka një ministër, ndërsa ka pasur çdoherë ankesa se këta parti nuk e kanë vlerën e njëjtë si partitë më të vogla në qeveri.

Më së shumti që ka funksione dhe ministri në krahasim me forcën dhe numrin e deputetëve është Alternativa dhe pikërisht tani nëse futet ASH-ja, atëherë kësaj partie do t’i merren më shumë funksione.

Në këtë situatë, Alternativa është zënë në siklet, sepse nuk është në gjendje as të largohet nga qeveria, me arsyetimin se po prishen marrëveshjet paraprake, e as të mbetet denjësisht në qeveri. Nëse kjo parti largohet, atëherë shkatërrimi i saj do të jetë evident për shkak të mos seriozitetit që e tregon kjo parti karshi votuesve ose do të duhet të ketë reforma thelbësore brenda saj dhe të qartësohen qëllimet se kush kah do të renditet. Në fillim kjo parti hyri në qeveri si pjesë e Besës, pastaj doli, pastaj sërish hyri si Alternativë dhe në një far mënyre ka krijuar huti dhe joseriozitet te votuesit. Nëse këta vazhdimisht thoshin se nuk hyjnë në qeveri përderisa aty është BDI-ja tani janë pjesë e këtij koalicioni dhe brenda vetë partisë së tyre një numër i përbetuar i anëtarëve dhe votuesve që ishin kundër hyrjes në qeveri, tani rrinë të tërhequr dhe pa interesim për kyçje në politikë.

Nga ana tjetër hyrja e ASH-së në qeveri duket se mund të jetë një “injeksion” për sipmatizantët e saj të cilët janë lodhur nga opozitarizmi, që vazhdimisht shkon duke u venitur. Taravari që po mat forcën e partisë në terren i ka bërë mirë kalkulimet dhe së fundmi duhet të dalë me qëndrimin nëse do të hyjë ose jo në qeveri. Çdo parti politike e ka të qartë se duke ndejtur përgjithmonë në opozitë, nuk mund të motivojë votuesit dhe të mbajë aktiv aktivistët partiak, sepse shanset për të devijuar rrugën janë të mëdha.

Andaj nëse ASH-ja bëhet pjesë e qeverisë, kjo duhet të kuptohet nga të gjithë si mundësi për forcimin e qeverisë dhe nuk duhet të nënkuptohet si konkurrencë brenda llojit. Sidomos Alternativa duhet ta mendojë dy herë nëse duhet të largohet nga qeveria dhe çfarë mund të ndodhë me atë në largohen.

Me rëndësi për Maqedoninë e Veriut në këtë moment është qëndrimi në rrugën euro-integruese dhe një qeveri stabile, e kjo aspak s’duhet ta shqetësoj Alternativën, qoftë edhe me dhënien e disa pozitave që i gëzon kjo parti në Qeveri. Sidomos nëse pak rikujtojmë deklaratat e kryetarit Afrim Gashi kur dikur thoshte se kjo parti është pro-europiane, atëherë s’duhet pasur as frikë, as shqetësim nga një qeveri stabile, përkundrazi një bashkim i mundshëm është situatë ku fitojnë dy palët, ose thënë ndryshe win-win situatë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More