Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Bullgaria po hedh gjemba në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, por nuk ka forcën e Greqisë!


Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 16 shtator – Zhurnal.mk – Bullgaria po e bllokon Maqedoninë e Veriut në kuadër të negociatave për draft kornizën negociuese për të cilën diskutohet në KOELA, grupi punues i Këshillit të Zgjerimit të BE-së dhe vendet që negociojnë anëtarësimin. Mediat bullgare kanë pohuar se zyrtarët bullgarë po bllokojnë fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut për shkak të një numri arsyesh në lidhje me respektimin e Marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Politikanë në Sofje janë kërcënuar se nëse këto probleme nuk tejkalohen deri në fund të shtatorit, Bullgaria nuk do të dorëzohet dhe do të bllokojë fillimin zyrtar të negociatave për Maqedoninë e Veriut, të cilat sipas njoftimeve nga Berlini duhet të zhvillohen në dhjetor.

Mediat bullgare pohojnë se Sofja po kërkon një dokument të posaçëm të nënshkruar nga qeveria në Shkup, i cili do të garantojë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Miqësisë midis Maqedonisë dhe Bullgarisë.

Dokumenti, i cili nuk zbulon se çfarë emri duhet të ketë pala maqedonase, duhet të pranojë të gjitha pozicionet bullgare në lidhje me historinë, librat shkollorë, Goce Dellçevin dhe revolucionarë të tjerë, shmangien e termit fashiste për ushtrinë Bullgare nga Lufta e Dytë Botërore dhe disa çështje të tjera.

Ky dokument u njoftua indirekt disa ditë më parë nga Zëvendës Kryeministri Bullgar Karakachanov, i cili tha se Maqedonia e Veriut nuk do të fillojë negociatat me BE derisa të plotësojë kërkesat Bullgare.

VMRO-DPMNE në protesta në mbrojtje të Delçevit

Opozita maqedonase VMRO-DPMNE mbrëmë ka vazhduar serinë e demonstratave që filluan javën e kaluar me një protestë kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike. Anëtarët dhe zyrtarët e VMRO-DPMNE-së marshuan para ndërtesës së Ministrisë së Drejtësisë drejt Ministrisë së Punëve të Jashtme në mbështetje të Goce Dellçevit, revolucionarit i cili, sipas Mickoski, është “vija e kuqe e dinjitetit të maqedonasve”.

“Dellçev është vija e kuqe e dinjitetit dhe identitetit tonë dhe kjo është arsyeja pse ne jemi këtu sot, sepse Dellçev është Maqedonia dhe shtylla e ekzistencës sonë si popull”, u tha Mickoski të pranishmëve, i veshur me një bluzë të kuqe me imazhin e revolucionarit.

Protesta dërgoi mbështetje për anëtarët maqedonas të Komisionit të Përbashkët Historik me Bullgarinë dhe kritika ndaj qeverisë aktuale.
“Ne protestojmë sepse Delçev është gjithashtu një vlerë evropiane, sepse ideja e tij për liri dhe ngritje kulturore të një kombi është një ide mbi të cilën mbështetet Bashkimi Evropian. Dhe e ardhmja jonë është aty në BE,” tha Mickoski.

Çfarë është problemi me Bullgarinë?

Maqedonia e Veriut pret që në dhjetor të nisë negociatat me Brukselin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe paralelisht me këtë proces të vazhdojë edhe me reformat që janë të domosdoshme për arritjen e synimit që vendi të bëhet pjesë e unionit.

Por, pas Greqisë që nuk e pranonte emrin e Maqedonisë, tani në skenë ka dalë Bullgaria, e cila ka gjasa që ta bllokojë vendin në procesin e integrimit me kushtëzimet për çështjen e gjuhës maqedonase dhe prejardhjes etnike të disa personaliteteve nga e kaluara.

Pavarësisht marrëveshjes për fqinjësi të mirë të nënshkruar më 2 gusht të vitit 2017 mes kryeministrave Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, Sofja ka vazhduar të kërcënojë Maqedoninë e Veriut, se në rast se nuk arrihet zgjidhje për gjuhën maqedone, të cilën e quan “gjuhë të kombinuar mes serbishtes dhe një dialekti të gjuhës bullgare”, atëherë do të bllokojë integrimin në BE. Mosmarrëveshje kanë edhe për disa personalitete historike, në veçanti për Goce Dellçevin, heroin e dy vendeve që ka luftuar kundër Perandorisë Osmane.

Bullgaria nuk guxon t’i thotë jo Gjermanisë dhe ta bllokojë Maqedoninë e Veriut

Çështja e vetpërcaktimit dhe vetdeklarimit në lidhje me popullin maqedonas, të maqedonasve që flasin gjuhën maqedone, nuk mund të jetë në kundërshtim me parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian, përfshirë të drejtën e deklarimit. Gjuha maqedonase është punë e qytetarëve dhe kjo çështje është e mbyllur.

“Bullgaria nuk mund të përfitojë nga komplikimi i të ardhmes evropiane të Maqedonisë Veriore, sidomos kur pason hapja e Evropës dhe kthimi i procesit të zgjerimit në agjendën e saj. Nuk do të jetë e lehtë, është një sfidë e madhe, por ne do të përballemi me këtë problem”, ka deklaruar Dimitrov.

Ministri i ri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka thënë ndërkohë se Maqedonia e Veriut është e përcaktuar për të çuar deri në fund zbatimin e dy marrëveshjeve me fqinjët, atë me Bullgarinë për fqinjësi të mirë dhe Marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit.

“Një nga prioritetet kryesore do të jetë raportet e fqinjësisë së mirë, me theks të veçantë të dy marrëveshjet. Është e qartë se kishim një ngecje në procesin e bisedimeve për shkak të pandemisë dhe procesit zgjedhor, që kufizoi komunikimin mes dy vendeve, por tani pas zgjedhjes së qeverisë së re pres që të rinisim të gjitha proceset mes dy vendeve por edhe më gjerë”, ka deklaruar shefi i diplomacisë, Bujar Osmani.

Nëse Bullgaria dëshiron të bllokojë Maqedoninë e Veriut, do të marrë goditje të fortë nga Brukseli zyrtar, sepse vetë Marrëveshja e nënshkruar në Gusht të vitit 2017, mbetet dokumenti kyç që i rregullon marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe ky dokument është pranuar dhe përshëndetur nga Bashkimi Evropian. Çdo gjë më tepër që do ta kërkojë Bullgaria do të has në rezistencë të Brukselit zyrtar sepse po rrezikohet marrëveshja e arritur.

Zërat e fundit dhe të kërcënimeve nga Bullgaria janë më shumë për konsum të brendshëm politik dhe ushqim i nacionalizmit bullgar. Duke marrë parasysh se është Gjermania ajo që kryeson me presidencën e BE-së dhe gjatë kësaj periudhë synohen të fillojnë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, atëherë një Bullgari, e “dobët” karshi shteteve tjera të BE-së, nuk mund t’i thotë jo Gjermanisë në planin e saj për zgjerim drejt Ballkanit Perëndimor. Është më se e qartë se pengesa do të ketë gjithmonë, por Bullgaria nuk ka asnjë arsye shtesë që të bllokojë Maqedoninë e Veriut në rrugën evropiane.

Nëse ndodhë një moment i tillë, atëherë bie poshtë fuqia e BE-së dhe humbet shpresa për anëtarësim nga vendet e Ballkanit Perëndimor, duke kthyer sërish në skenë planet për ndikim rus, kinez, turk etj. Diplomacia e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Bullgarisë, duhet sa më shpejt t’i lejojnë komisionet profesionale që të gjejnë zgjidhjet për temat e nxehta në nivel ekspertësh dhe jo të jepen deklarata pompoze e të pamatura politike.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Z H

Lajmet e fundit

Loading...