Editorial: Danella Arsovskën nuk “do e lajë” as Vardari, nëse vërtet po e pengon projektin 200 milion euro me rëndësi të madhe për Shkupin?!

nga Redaksia

Shkup, 11 shtator – Ndërtimi i stacionit të pastrimit të ujërave të zeza në Shkup tashmë duhej të kishte filluar. Por pengesë për fat të keq, si duket po paraqitet institucioni që duhej të i jepte shtytjen më të madhe këtij projekti, qyteti i Shkupit dhe kryetarja e saj Danella Arsovska. Ndërkohë flitet për skenarë të pistë, më të pistë se ujërat që duhet t’i pastrojë stacioni filtrues, respektivisht skenarë që nuk i lanë as vardari shkruan Zhurnal. Sepse, që ku ka marë postin, për Arsovskën thuhet se nuk ka “prekur” thujase asnjë projekt të rëndësishëm për banorët e kryqytetit edhe pse zgjedhjet i fitoi me premtime të shumta për një kryeqytet modern, i cili do të ishte shembull madje për mbarë rajonin. Një histori e tillë ka shumë gjasë të ngjajë edhe me stacionin për pastrimin e ujërave të zeza.

Ministrja e ekologjisë “ndez” alarmin

Por afati për fillimin e këtij projekt të rëndësishëm tashmë ka kaluar. Kjo me siguri do të rezultojë edhe me vonime në përfundimin e realizimit të projektit, shkruan Zhurnal. Sepse që të fillojnë punimet ndërtimore nevojitet që Qyteti i Shkupit t’i përmbushë obligimet e veta, thotë ministrja e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Kaja Shukova, në intervistën e dhënë për Meta.mk. “Që të fillojë ndërtimit i stacionit të pastrimit më parë duhet të përfundojnë edhe dy aktivitete. Bëhet fjalë për shpronësimin e tokës dhe planifikimin urbanistik, dy aktivitete që duhet t’i kryejë Qyteti i Shkupit”, sqaron ministrja Shukova.

Për momentin Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nuk ka komunikim të drejtpërdrejtë me Qytetin e Shkupit, por vetëm përmes grupit punues. “Unë tashmë i kam bërë thirrje Qytetit të Shkupit dhe “Ujësjellësit dhe kanalizimit” që të jenë pak më aktivë në proces, sepse këto dy aktivitete janë kusht që Ministria të marrë leje nga bankat për t’i paguar një paradhënie “Ujësjellësit”, e nga atje edhe realizuesit të projektit”, thotë ministrja Kaja Shukova.

Ajo shpreson se Qyteti i Shkupit do t’i kryejë këto obligime sa më shpejt që të mund të fillojë kështu ndërtimi i stacionit të pastrimit në Shkup. “Nuk do të lejojmë që procesi të ndalojë, aq më pak të dështojë”. Do të presim edhe një ose dy muaj dhe do shohim se çfarë do të bëjmë më pas. Ky është një projekt me vlerë prej 200 milionë euro, nga të cilat 70 milionë janë grant”, tha ministrja Shukova.

Është zgjedhur realizuesi më i favorshëm, Arsovskës si duket nuk i pëlqen!

Përndryshe procedura e tenderit për ndërtimin e stacionit për pastrimin e ujërave të zeza tashmë ka përfunduar dhe është zgjedhur realizuesi më i favorshëm, pas çka pasoi një zënkë mes partisë VMRO-DPMNE dhe kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska për tentativa për manipulim të tenderit gjatë përzgjedhjes së realizuesit. U shkarkua edhe drejtori i NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, i cili ishte nga radhët e VMRO-DPMNE-së, që ishte shkak kjo parti të anulojë mbështetjen për kryetaren e Shkupit, shkruan Zhurnal.

Tenderi për ndërtimin e stacionit për pastrimin e ujërave të zeza në Shkup u shpall në verën e vitit 2020, ndërsa për shkak të zvarritjes së procedurave nga Qyteti i Shkupit, po vonon edhe fillimi i punimeve në terren. Afati fillestar për përfundimin e ndërtimit të këtij objekti kapital ishte viti 2026. Nëse mendon që të bëhet anëtare e BE-së Maqedonia e Veriut do duhet të ndërtojë stacione për pastrimin e ujërave të zeza në të gjitha vendbanimet më të mëdha.

Stacioni për pastrimin e ujërave të zeza në Shkup duhet të ndërtohet në afërsi të lagjes Trubarevë dhe do të mundësojë trajtimin primar dhe sekondar të ujërave të zeza nga qyteti i Shkupit. Ky stacion do të ketë kapacitet për të përmbushur nevojat e 540.000 banorëve. Uji i trajtuar do të ketë një cilësi të lartë, gjë që do të përmirësojë cilësinë kimike dhe bakteriologjike të ujërave të lumit Vardar.

Për momentin ujërat e zeza nga kryeqyteti derdhen të patrajtuara drejtpërdrejt në lumin Vardar, ndërsa stacione më të vogla për trajtimin e ujërave të zeza janë ndërtuar në Saraj për lumin Treska dhe në Novosellë për lumin Lepenec, përmes të cilave duhet të bëhet trajtimi i ujërave të zeza nga vendbanimet që gravitojnë rreth këtyre lumenjve. Përndryshe në intervistën për Meta.mk, ministrja e mjedisit jetësor, Kaja Shukova, thekson se Qyteti i Shkupit është një nga katër komunat në vend për të cilën është siguruar donacion prej 10 milionë eurosh për zvogëlimin e pasojave nga ndotja e ajrit. Më konkretisht, udhëheqësia e Qytetit të Shkupit do të marrë fonde për blerjen e gjashtë autobusëve ekologjikë për transport publik.

Stacioni filtrues do të vendoset në Komunën e Gazi Babës, në bregun e majtë të lumit Vardar në zonën e Trubarevës dhe do t’u shërbejë mbi 500.000 banorëve. Implementues i projektit do të jetë NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit, Ministrinë e Mjedisit jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Financave. Ndërtimi i stacionit filtrues duhet të fillojë në vitin 2020. Siç kanë njoftuar mediumet, projektin në vlerë 200 milionë euro nga kreditë dhe grantet do ta realizojnë kompania gjermane VTE dhe ajo vendase “Zhikol”, e cila mposhti në tender konkurrentin turk “Kuzul”, për të cilën thuhej se bën “tifo” kryetarja Danella Arsovska.

Trajtimi i ujërave të zeza në Shkup do të zgjidhet përgjithmonë me ndërtimin e stacionitfiltrues, me çka do të ulet ndotja e lumit Vardar dhe do të ngrihen standardet për mbrojtjen e mjedisit jetësor./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More