Agjencia Zhurnal.mk

Editorial Dëbimet nga Kabineti Zaev, autokritikë e qeverisë apo betejë brenda BDI-së ?!

Shkup, 24 Prill, Zhurnal.mk – Qeveria e koalicionit në Maqedoni të Veriut këtyre ditëve ndodhet përballë hamendjes nëse ajo duhet që të bëjë ndryshime në përbërjen e saj për shkak të disa rezultateve jo të mira në reformat e nevojshme vendore në rend e ligj; pastaj rezultateve në frontin e investimeve të huaja të cilat vitin e kaluar nuk shkuan fare në zonat shqiptare por vetëm në zonat maqedonase e deri tek, apo edhe të, përplasjeve në rritje brenda vet BDI-së.

Burimet brenda LSDM-së dje i kanë thënë Zhurnal.mk se freskimi i përbërjes në qeveri po mendohet që në rend të parë të përfshijë dy ministra të cilët vijnë nga radhët e BDI-së.

Ky freskim, përkatësisht ndërrim po sipas këtyre burimeve pritet që të ndodhë aty nga vera, por tash për tash ende nuk flitet me të njëjtin zë për ndonjë ndërrim të mundshëm të ndonjë ministri nga radhët e LSDM-së apo të partnerëve të tjerë shqiptarë të saj, PDSH-së e Alternativës.

Qeveria e Zaevit ndodhet në ngërç aktualisht me PSP-në meqë ligin e ri për futjen e saj si degë e posaçme në kuadër të prokurorisë së përgjithshme nuk mund të bëjë pa 2/3 e votave, pra pa votat e deputetëve të VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë, Zaev dhe ministrat e tij shqiptarë muajin e kaluar u lavdëruan për 624,5 milion Euro investime që kinse i paska sjellë kjo qeveri vitin e kaluar.

Por, VMRO-DPMNE i qeverisë së Zaevit se pjesa më e madhe e këtyre investimeve të realizuara në vitin 2018 ishin projekte të nisura gjatë qeverisjes që më pashme, deri më 2016 me BDI-në.
Këto investime për të cilat u lavdërua kryeministri Zaev dhe Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, për publikun e gjerë shqiptar mbeten pa adresa.

Zhurnal.mk tash e më shumë se dy muaj ka kërkuar sqarime nga qeveria se ku shkuan këto investime, sa shkuan në komunat me shumicë shqiptare e sa në komunat me shumicë maqedonase.

Përgjigja as sot e më shumë se dy muaj nuk erdhi as nga Bekteshi e as nga Koço Angjushevi, përndryshe “shefi” i investimeve të huaja në qeverinë e Zaevit.

Për qytetarët shqiptarë, investimet e trumbetuara mbeten një mollë e ndaluar. Traditë kjo e trashëguar edhe nga qeveritë e kaluara.

Një numër simbolik i investimeve prej se qeveritë VMRO-DPMNE-BDI e nisën para rreth tetë vitesh me vrull fushatën e tërheqjes së investimeve të huaja, kanë shkuar në zonat me shumicë shqiptare. Pjesa ekstreme dërmuese shkuan atje ku deshën maqedonasit.

Kjo gjendje është një ilustrim se si BDI u tregua e dobët përballë partnerit të saj qeveritar të deritashëm, që dikur udhëhiqej nga Nikola Gruevski.

D.m.th. projektet e investimeve të trumbetura në vlerë prej 624,5 milion Euro ishin nisur vite më parë, e siç thotë VMRO-DPMNE vetëm 30 për qind e tyre janë meritë e qeverisë së tashme LSD-BDI-PDSH-Alternativë-RDK nuk u shijuan nga të shqiptarët.

Po kjo qeveri ditë me parë tha se për këtë vit parasheh se do të ketë rreth 1. 1 miliardë Euro investime të huaja.

Ministri Kreshnik Bekteshi, ishte vet ai që paralajmëroi javë më parë këtë shumë investimesh për vitin 2019.

Se ku do të shkojnë këto investime dhe sa do të shkojnë në zonat me shumicë shqiptare e sa në zonat me shumicë maqedonase këto parashikime mbeten ende enigmë.

Mirëpo a është faji vetëm i Bekteshit për këtë gjendje të mjerë me investimet të cilat u dërguan nëpër zonat maqedonase dhe nëse këto të paralajmëruaat për këtë vit do të kenë të njëjtin fat sikur investimet e tjera në të kaluarën ?

Cili është rroli i Bekteshit e i BDI-së për 30 % të investimeve nga 624,5 milion Euro, që qenkan meritë e kësaj qeverie e jo e asaj të mëparshme që nuk shkuan ndonjë prej tyre në zonat shqiptare ?

Cili do të jetë rroli i i ministrit Bekteshi, i Zv-Kryeministrit Zoran Angjushev për 1.1 euro milion investime të paralajmëruara për këtë vit ?

Nëse dëbohet nga qeveria Bekteshi, apo edhe Angjushevi, cili do të jetë fati i kësaj shume të paralajmëruar dhe sa prej këtyre projekteve do të investohen në zonat shqiptare e sa në zonat maqedonase ?

Investimet nuk janë grimca që të jenë çështje vendimesh e vetëm 1 apo 2 emrave të qeverisë.
Investimet e huaja, përkatësisht tërheqja e tyre, janë dhe duhet që të jenë çështje në rend të parë të tavolinës të krejt partive politike partnere në qeveri.

BDI e ka një përvojë të hidhur me VMRO-DPMNE gjatë tërë kohës sa ishte në qeveri me të, kur partia e Gruevskit nuk kishte nevojë për votat e BDI-së për të formuar qeverinë, gjë që në mënyrë automatike ia zvogëlonte peshën e fjalës që BDI-së në qeveri, jo vetëm për investime por edhe për krejt të drejtat e tjera të cunguara të shqiptarëve, prej gjuhës së kufizuar shqipe e deri te punësimi proporcional në sektorin publik.

Me dëbimin eventual të Bekteshit, BDI mund edhe të lirohet dhe të heq gradualisht prej supeve të veta një barrë të madhe që e ka për shkak të përçarjeve të brendshme, përkatësisht treshes Hazbi Lika- Fatmir Dehari – ‘Mësuesit’, meqë Bekteshi erdhi dhe u bë ministër me ndihmën e Deharit, atje nga baza e tij në komunë.

Por, ndërrimi i një ministri dhe sjellja e tjetrit, pa ndërruar mendësinë vet BDI-ja dhe shfrytëzuar faktin se LSDM nuk mund të krijojë qeveri pa partitë shqiptare e as ta vazhdojë qeverisjen pa ato, nuk do të ndërronte gjë të mirë për investimet e huaja, përkatësisht gjendjen ekonomike dhe sociale të shqiptarëve e cila është pasojë edhe e gjendjes së mjerë të investimeve në zonat shqiptare, edhe pse pak më e mirë se në vitet e para të pas luftës 2001.

BDI, PDSH, Alternativa dhe RDK, duhet që të së pari të ulen rreth një tryeze të krijojnë një koncept e plan aksioni për investime, dhe të bëhen unik që të përballen me një zë të vetëm me LSDM-në dhe Zaevin pikërisht për investimet e paralajmëruara prej 1.1 miliardë euro për këtë vit dhe për krejt vitet e ardhshme të qeverisë midis tyre.

Investimet e huaja duhet që të shpërndahen në mënyrë proporcionale. Asnjë kompromis këtu nuk duhet bërë me Zaevin apo dikë tjetër nga pala maqedonase.

Bekteshi apo edhe të tjerët para tij, vijnë nga radhët e një partie. Duhet që partia së pari të ndryshojë qasjen për investimet e huaja, për të mundur ndryshuar për të mirë pastaj dhe të krenohet me detyrat e ngarkuara të ministrave shqiptarë dhe rezultatet.

E partia e ka kreun e vet, e ka kryesinë e saj. Krejt partitë i kanë këto struktura për vendimmarrje.

Në rastin konkret për investimet faji nuk është jetim, ai është i përbashkët, prej të parit të BDI-së deri tek anëtari e ministri më i ri i BDI-së dhe partive të tjera shqiptare në pushtet (PDSH, Alternativa dhe RDK).

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Z H

Lajmet e fundit

Loading...