Agjencia Zhurnal.mk
Editorial Maqedoni Rekomanduar

EDITORIAL/Deputetët maqedonas “tallen” me Parlamentin!

Shkup, 20 janar – Gjatë ditës së djeshme ka ndodhru njjë rast i veçantë dhe i paprecedentë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, pasi edhe përkundër faktit që deputetët erdhën në sallë, ata nuk filluan punën dhe dështuan që ta votojnë Ligjin për regjistrimin e popullatës.

Në mungesë të 61 deputetëve në sallë, Kuvendi dështoi që të mbajë seancën e 30-të, ndërsa në rend dite ishte ligji për ilaçe, interpelanca e zëvendëskryeministrit Dimitrov, por krahas kësaj dështoi edhe votimi i  Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë. Kjo sepse ishte paraparë që nëse do të ishin numrat e mjaftueshëm për shumicë të thjeshtë prej 61 deputetësh, Kryetari të kërkonte të hapet seanca e 29-të, ku e vetmja gjë që ka mbetur është votimi i Ligjit për Regjistrim. Por 61 deputetë nuk ishin në sallë. Nga numërimi u konstatua se të pranishëm janë vetëm 59.

Kryeparlamentari tregoi se shtatë deputetë e kanë informuar se nuk mund të marrin pjesë në seancë. 1 deputet i shumicës është pozitiv me korona, ndërsa një tjetër po pret rezultat të testit.

Fatkeqësisht opozita ishte brenda Kuvendit, por nuk ishin të pranishëm në sallë si formë revolte se përse dy propozime për ligje janë me flamurin evropian, ndërsa sipas tij, nuk kanë lidhje me të.

Kryetari i Kuvendit pas disa thirrjesh, konstatoi se nuk përmbushet kushti për të vazhduar më tej, ndërsa i zhgënjyer tha se deputetët janë brenda në Kuvend, janë nënshkruar por refuzojnë të hyjnë në sallë.

Por, përse kaq shumë politikanë e intelektualë maqedonas i shqetëson më shumë regjistrimi i banorëve të vendit sesa mohimet e njëpasnjëshme të fqinjëve? Përse gjithë kjo frikë nga numri i vërtetë i shqiptarëve në këtë vend, sado që kanë mbetur të vetmit qytetarë që i pranojnë bashkëvendësit ashtu siç kanë qejf.

Njohësit e së shkuarës dhe së tashmes së këtyre hapësirave e kanë të qartë gjenezën e frikës së pushtetarëve nga e vërteta e përbërjes etnike të popullatës së Maqedonisë së Veriut, veçmas pas rënies së sistemit monist, kur u vështirësua manipulimi me shifra dhe me tkurrje të numrit të pjesëtarëve të etnive pakica, ku futen pa të drejtë edhe shqiptarët.

Duket sikur pikërisht vështirësitë e sajimit të gënjeshtrave të reja janë shkaqet që e kanë penguar regjistrimin e popullatës 20 vitet e fundit, sepse sot askush nuk mund t’i konvertojë shqiptarët, bullgarët, serbët, torbeshët, romët e tj., në atë që s’janë dhe nuk duan të jenë kurrë.

Frika se cila etni sa pë rqind do të dalë, ka bërë që obstruksionet te kampi maqedonas të jenë të dukshme. Brenda kuluareve të tyre ishte ushqyer ideja se shqiptarët janë nën 20 për qind prandaj duhet t’iu merren edhe ato pak të drejta që i posedojnë.

 Sapo afrohet dita e Regjistrimit të popullatës, politikanët maqedonas nuk dinë se si tani ta gënjejnë elektoratin e tyre nëse shqiptarët dali 30 për qind, ose më shumë, ashtu siç ishte pretenduar gjithmonë.

Lojërat e ndotura politike janë bërë pretekst që mos të vazhdojë puna e Kuvendit e fatkeqësisht shqiptarët duken të pafuqishëm karshi manipulimeve LSDM – VMRO DPMNE.

Opozita shqiptare hapur ka deklaruar se do ta mbështesë ligjin për Regjistrimin e Popullsisë, ndonëse kanë kritikat e tyre, të cilat do t’i thonë edhe në seancën e votimit. Fillimisht VMRO DPMNE dhe “E Majta” kërkonin me ngulm regjistrimin, pastaj kur kuptuan se numrat nuk janë siç ata i donin, tani mundohen me çdo kusht që ta vonojnë e ta pengojnë sjelljen e këtij ligji, që për hir të të vërtetës nuk është ideal, megjithatë është një përpjekje e mirë që regjistrimi të ndodhë.

Regjistrimi në Maqedoninë e Veriut është më i politizuar se askund tjetër në botë, sepse nga vetë Kushtetuta të drejtat e bashkësive etnike fitohen në bazë të përqindjes së tyre. E tani, është shumë e qartë se nëse numri i një bashkësie rritet, të drejtat e tyre do të duhet të rriten, që në fakt është zbulim i gënjeshtrave dhe manipulimeve të vazhdueshme që ndodhin në kurriz të shqiptarëve.

Opozita shqiptare bashkë me BDI-në në pushtet nuk po arrijnë të gjejnë forcë dhe zë të mjaftueshëm që t’ i bëjnë të qarta qëndrimet e tyre karshi kësaj problematike dhe të detyrojnë LSDM-në, si partnere e koalicionit që të shtyjë përpara këtë proces. Regjistrimi është kyç dhe duhet të bëhet ashtu që mos të dëmtohet asnjë qytetarë, të dihet saktë numri i tyre, i pëlqen apo jo dikujt. (Zhurnal.mk)

Postime të ngjashme

Tërmeti dridh vendin, epiqendra në Mavrovë

T E

Aksioni policor në “Bogorodicë”, kapen qindra kilogramë marijuhanë

T E

Alarmojnë mërgimtarët me dokumentacion të skaduar, përmes postës nuk mund të nxjerin të ri

T E

Milososki: Bujar Osmani mund të ndryshojë statutin e BDI-së, jo Kushtetutën e Maqedonisë

R Zh

“Miqtë e Sharrit”/Hidrocentralet dëmtojnë natyrën

T E

Mickoski nga Klinika Infektive: Nuk ka pakt me krimin dhe kriminelët

T E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...