Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Edhe me vetëm 30 deputet “Parimi i Badinterit”, mund ta sjellë postin e Kryeministrit të parë Shqiptar !

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 13 qershor – Bashkimi i partive politike shqiptare do të shtronte seriozisht në tryezën e bisedimeve nevojën që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të drejtojnë me qeverinë e ardhshme. Nëse të gjithë partitë shqiptare arrijnë të merren vesh për një emër, i cili do të ishte i pranueshëm për ata, atëherë shumë lehtë do të gjunjëzoheshin partitë maqedonase dhe do të detyroheshin që postin e kryeministrit t’ua japin shqiptarëve.

Parimi i Badinterit!

Në qoftë se shqiptarët e bashkuar do të fitonin 30 deputetë dhe do të kishin një synim të përbashkët që të marrin kreun e qeverisë, kjo padyshim se do të ndodhte, ose në të kundërtën do të shkaktohej krizë e thellë politike dhe institucionale në Maqedoninë e Veriut.

Nëse shqiptarët do të këmbëngulni të bashkuar për postin e kryeministrit, logjikisht supozohet se edhe maqedonasit do të bëheshin bashkë dhe me rreth 90 votues do të thonin se nuk do të lejojnë që postin drejtues të shtetit t’ua jepnin shqiptarëve. Në këtë rast do të krijoheshin dy blloqe të ndara dhe blloku politik maqedonas do të formonte qeverinë pa praninë e shqiptarëve.

Edhe pse nuk ka një ligj të shkruar ku është e patjetërsueshme që shqiptarët të jenë pjesë e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, partitë maqedonase nëse do të pranonin që të bëjnë qeveri pa shqiptarët, do të shkaktonin “vetëvrasje politike”.

Në këtë moment do të shkaktohej një krizë e thellë politike, pasi me vendosjen e parimit të Badinterit, nënkuptohet që nuk guxon të ndodhë majorizimi i shumicës ndaj pakicës. Në këtë rast, asnjë ligj nuk do të mund të kalonte në Kuvend pa shumicën e votave të shqiptarëve dhe bashkësive tjera etnike. Edhe pse qeveria do të mund të propozonte ligje, këta nuk do të mund të kalonin në Kuvend, për shkak se do të ishte e patjetërsueshme edhe shumica e votave të deputetëve shqiptarë. Me këtë formë do të bllokohej puna e Kuvendit, i cili është motori kryesor që e vë në lëvizje të gjithë aparaturën shtetërore. Maqedonia e Veriut është Republikë parlamentare dhe çdo vendim duhet të marrë pëlqimin e Kuvendit. Me bllokimin, kjo nënkupton se bllokohet edhe miratimi i buxhetit, programeve vjetore, votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, ligjeve të ndryshme etj., që do të paralizonte shtetin në tërësi.

Partitë maqedonase nëse nuk do të pranonin kushtin e shqiptarëve për kryeministër dhe do të formonim qeveri pa shqiptarët, kjo do të krijonte hapësirë për themelimin e institucioneve paralele nga ana e politikanëve shqiptarë, që do krijonte një ndasi edhe më të thellë mes dy komuniteteve dhe në këtë formë do të hapej rruga për federalizim ose ndarje teritoriale. E që fundi i kësaj politike mund të ishte edhe shkatërrimi i plotë i Maqedonisë së Veriut si shtet.

Qytetet e drejtuar nga shqiptarët s’do e dëgjonin qeverinë

Në momentin që do të formohej qeveri një-etnike, problemi do të zbriste edhe në nivelin lokal dhe pikërisht në këtë moment do të ndodhnin përplasjet e para në relacionin pushtet lokal dhe pushtet qëndror. Kryetarët e qyteteve dhe komunave të cilat drejtohen nga shqiptarët, e që kryesisht janë të shtrira në gjithë pjesën veri-perëndimore të shtetit, do të funksionin në mënyrë të pavarur, pa pasur nevojë që të merrnin urdhra nga pushteti qendror, ose t’i respektonin ato. Sistemi edukativo-arsimor, shëndetësia, infrastruktura, taksat e financat do të menaxhoheshin nga kryetarët shqiptarë dhe kjo nuk do të ishte aspak në përputhje me angazhimin e pushtetit për kontroll të tërësishëm.

Por, në këto raste nëse do të respektohej parimi i Badinterit, atëherë kjo do të shkaktonte probleme për shumicën shqiptare, sepse nuk do të kalonte asnjë nga propozimet e kryetarit të komunës në Këshillin komunal, për shkak se aty nevojitet që të votojnë shumica e këshilltarëve që janë nga pakica maqedonase dhe bashkësitë tjera etnike me numër më të vogël. Por nëse parimi Badinterit shkilet dhe nuk respektohet në nivelin qëndror, atëherë edhe pushteti lokal nuk do ta respektonte atë dhe në këtë formë do vinte deri te përplasjet e para.

 Si mund të fitohet kryeministri shqiptarë!

Me mënyrën se si partitë shqiptare ishin pozicionuar për zgjedhjet e 12 prillit (të cilat nuk u mbajtën për shkak të pandemisë), shqiptarët e kanë të vështirë të bashkohen, pasi një pjesë e tyre veç se më ka arritur marrëveshje parazgjedhore me LSDM-në e Zoran Zaevit, i cili hapur ka kundërshtuar idenë që kryeministri i ardhshëm të jetë shqiptarë. Partitë tjera shqiptare ASH, Alternativa dhe PDSH-ja, e konsiderojnë si marketing politik propozimin nga ana e BDI-së.

Por, rrethanat mund të ndryshojnë pas rezultateve të zgjedhjeve parlamentare. Nëse ciladoqoftë parti maqedonase, do të ishte e varur më shumë se kurdoherë më parë për votat e shqiptarëve, atëherë partitë politike shqiptare, të gjitha, pa përjashtim cila ka fituar më shumë apo më pak vota, mund ta vendosin si kusht kryesor për formim të qeverisë, postin e kryeministrit.

Deputetët e lëvizjes BESA, e cila është pjesë e koalicionit të parë parazgjedhor mes shqiptarëve dhe maqedonasve, mund të mbështesin këtë ide edhe mund të vie deri te prishja e koalicionit të deritanishëm me LSDM-në. Megjithatë mandatin e tyre si deputet nuk mund ta marrë askush, sepse ai është mandat që është fituar nga vota e popullit dhe kjo parti mund të ishte pjesë e qeverisë së ardhshme.

Në këtë mënyrë, shqiptarët do të lidhnin një marrëveshje interne me të cilën do të kushtëzonin marrjen e pozitës së kryeministrit, ngjashëm siç u bë me Marrëveshjen para formimit të qeverisë në vitin 2016, kur një nga kushtet kryesore për të formuar qeverinë me shqiptarët ishte zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe, hapja e rrugës së integrimit në NATO e BE, zbardhja e proceseve të montuara etj.

Në këtë formë, me bashkimin e të gjithë faktorëve politik shqiptarë, partitë maqedonase do të detyroheshin t’iu japin në drejtim qeverinë politikanëve shqiptarë, e që do të tregonte ngjashëm sikur me kryeparlamentarin se shqiptarët dinë dhe munden të udhëheqin me këtë shtet.

Nëse partitë maqedonase nuk do të pranonin kushtet e shqiptarëve, kjo do të ishte vetëvrasja e tyre politike që do të çonte drejt turbullirave dhe problemeve edhe më të mëdha për Maqedoninë e Veriut.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...

Regjistrim Domain, Ueb Hosting, Uebfaqe për kompaninë tuaj, vetëm për    273 euro

error: Content is protected !!