Editorial / Edhe pesë vite pas Marrëveshjes së Prespës, RMV nuk arriti të mbyllë të gjitha çështjet me fqinjët

nga Redaksia

Shkruan Zhurnal.mk

Shkup, 19 qershor – Marrëveshja historike e Prespës midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për ndryshimin e emrit të shtetit tregoi se Shkupi zyrtar është në gjendje të bëjë kompromise të vështira, duke gjetur zgjidhje për të ardhmen e vendit. Me Marrëveshjen e Prespës, Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s, por nuk arriti t’i mbyll gjitha hallet me fqinjët. Nëse bëhet bilanci se çfarë fitoi Maqedonia e Veriut nga Marrëveshja e Prespës, lirisht mund të thuhet se mbi të gjitha ajo fitoi sigurinë. Shkupi zyrtar me këtë vendim të vështirë, arriti të futej në ombrellën e forcës më të fuqishme në botë, e kjo duket pikërisht tani kur situata në Evropën lindore është në gjendje lufte. Nëse Maqedonia e Veriut do të ishte jashtë anëtarësimit në NATO, sigurisht që shërbimet e ndryshme, e sigurisht ato ruse do të arrinin të shkaktonin destabilizim të vendit, siç kanë tentuar shpeshherë në të kaluar, duke përdorur religjionin, marrëdhëniet ndëretnike, përçarjen midis forcave politike…, shkruan “Zhurnal”.

Por, edhe pse të gjithë menduan se Marrëveshja e Prespës ishte Marrëveshja e fundit dhe më e dhimbshmja që do të bënte ky vend, tani për tu bërë anëtare e BE-së, pengesë shtesë janë kërkesat bullgare. Bullgarët nuk bënë asnjë zë në momentin kur duhej që Maqedonia e Veriut të anëtarësohej në NATO, sepse atyre u duhej një vend fqinj i sigurt dhe stabil, por nxorën “kthetrat” e tyre në momentin kur vendi duhej të fillonte anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 ka përdorur veton për të bllokuar Maqedoninë e Veriut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian. Sofja konteston gjuhën dhe identitetin maqedonas duke kërkuar nga Shkupi që të pranojë “rrënjët bullgare” në identitetin e tyre. Bullgaria gjithashtu kërkon respektimin e të drejtave të bullgarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar përfshirjen e tyre në kushtetutën e këtij vendi, si popull shtet formues.

Tani, kjo barrë e rëndë për qeveritë në kontinuitet shkakton kokë dhimbje në shumë aspekte. Kryesisht shkakton probleme në rrafshin politik, por edhe në rrafshin ekonomik, social, të arsimit dhe çështjeve identitare që i kanë grupe të ndryshme, shkruan “Zhurnal”.

Përderisa për klasën përparimtare të shoqërisë, Maqedonia e Veriut sheh përpara pas Marrëveshjes së Prespës, për pjesën nacionaliste Marrëveshja nuk i solli asgjë pozitive Maqedonisë së Veriut sepse ajo konsiderohet një poshtërim ndërkombëtar, mohim i shtetit dhe depersonalizim të institucioneve. Sipas këtyre rrymave politike, edhe ndryshimet kushtetuese ku duhet të futen bullgarët në Kushtetutë, nuk duhet të ndodhin, sepse ky shtet po e humb identitetin e tij.
Prandaj në opinionin më të gjerë perceptohet se hallet dhe problemet nuk po i hiqen qafe Maqedonisë së Veriut dhe ky perceptim mban më shumë kur kemi parasysh se me çfarë problematika ballafaqohet ky vend.

Në vend se qeveritë në Shkup të merren me problemet ekonomike, infrastrukturën, mjedisin, arsimin, shëndetësinë, ata fatkeqësisht merren njëherë me grekët, pastaj bullgarët e në të ardhmen ndoshta edhe me serbët.

Pa anëtarësimit të vendit në NATO është përmirësuar dukshëm klima e biznesit sepse në këtë formë është krijuar një siguri më e madhe juridike për kapitalin gjatë ushtrimit të veprimtarive të ndryshme ekonomike.

Benefitet e para nga nënshkrimi i protokollit për pranim në NATO, fillimisht janë ndjerë në bursat ndërkombëtare. Sapo nisi rruga e zgjidhjes së kontestit të emrin ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, me intensifikimin e bisedimeve për emrin, indeksi i bursave u rrit për 30 për qind.

NATO paraqet një nga faktorët kyç për zhvillimin e ekonomisë sepse paqja dhe stabiliteti janë parakusht për zhvillimin e bizneseve. Përfitimet e Maqedonisë së Veriut nga anëtarësimi në NATO janë në plan afatshkurtër, atë të mesëm dhe afatgjatë, dhe në këtë formë do të ndjehen edhe përfitimet që do t’i ketë shteti.

Por për të pasur efekt anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO në përmirësimin e standardit jetësor, paralelisht duhet të angazhohet në realizimin e politikave kualitative në planin ekonomik, të ulet në masë të theksuar korrupsioni si dhe t’i jepet shtytje zhvillimit të sektorit privat, dhe mbi të gjitha rëndësi ka sundimi i drejtësisë.

Fatkeqësisht, duket se deri sa të mbyllen ndryshimet kushtetuese dhe të fillojnë bisedimet me BE-në, edhe faktorët ndërkombëtarë duket se po mbyllin njërin sy sa i përket korrupsionit dhe sundimit të së drejtës. Prandaj, situata kaotike me mos zgjidhjen edhe të çështjes me bullgarët më së shumti iu intereson atyre që duan t’i shmangen sundimit të së drejtës, korrupsionit dhe ekonomisë së lirë.

Andaj, edhe pse duket se Marrëveshja e Prespës nuk ishte “shkopi magjik” që ndryshoi jetën e qytetarëve, megjithatë, rruga drejt progresit veç se ka filluar!

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More