Agjencia Zhurnal.mk

Editorial Ekskluziv: ASH e Ziadin Sela “harruan” t’iu ankohen Mogherinit, Hahnit e BE-së për dështimet tjera të BDI-së e PDSH-së ?!

Në pjesën e fundit të editorialit lexo për problemet e një lideri të një shteti në Bashkimin Evropian (BE)në tentimet për t’u ricikluar.

Shkup, 30 Mars, Zhurnal.mk – Në “non-paper” (v.j. shqip: ‘jo-letër’) siç tha dje ASH se ua paska dërguar Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Ecropian Federica Mogherini, Komissionerit Johannes Hahn, e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të bllokut evropian, kjo parti opozitare e Ziadin Selës renditi për bukuri një varg çështjesh problematike që kanë të bëjnë me drejtësinë, çështje ligjore e nepotizmin në punësime në Maqedoni të Veriut e udhëhequr nga LSDM-BDI.

ASH-ja shkruan në letrën e 25 Marsit dërguar (nga TETOVO e jo nga TETOVA apo TETOVË) zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian (KE) dhe ministrave të vendeve anëtare të BE-së se qeveria e tashme e LSDM-së dhe BDI-së ( ‘harroi’ ta përmend edhe ish-partinë e Ziaedin Selës, PDSH-në, Alternativën e RDK-në ) “ka dështuar në çështjet kryesore që ndërlidhen me proceset demokratike dhe integruese të vendit edhe atë në këto segmente kryesore të cilat janë edhe pjese kyçe të rekomandimeve të BE për marrjen e datës së Maqedonisë së Veriut për fillim të negociatave me BE”, shkruan Zhurnal.mk.

“Procesi që çoi në ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës dhe proceset në vijim e sipër që janë vendimtare për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, janë karakterizuar me sulme të shumta mbi shtetin e së drejtës, duke sinjalizuar kështu një kapje të re të shtetit nga qeveria SDSM-BDI,” shkruan ASH-ja.

Në këtë ‘jo-letër’ partia e Ziadin Selës u shkruan zyrtarëve evropianë se cilat janë qëndrimet e ASH-së dhe masat që duhet ndërmarrë në Maqedoni të Veriut për:

  • përgjegjësi për sulmin e 27 prillit 2017 ndaj Parlamentit;
  • reforma gjyqësore dhe hetime proaktive, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë nivelin e lartë dhe krimet e zbuluara nga përgjimet e vitit 2015;
  • reforma e shërbimeve të inteligjencës dhe sigurisë;
  • reforma e administratës publike.

Por, ASH-ja ndalet me kaq në këtë letër.

Kjo parti e cila hyri në qeveri me LSDM e BDI, për të tjera arsye, e doli prej saj pas pak mujsh për arsye krejtësisht të ndryshme me ato për të cilat hyri në këtë qeveri që tash po bënë “një kapje të re të shtetit”, në këtë ‘jo-letër’ nuk e shkroi asnjë fjalë të vetme për gjendjen me të drejtat e kufizuara të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Kur ASH-ja e Selës hyri në këtë qeveri me LSDM e BDI, e njëjta u fut me partinë më të madhe shqiptare anëtarët e lartë të së cilës dyshohen për mit-marrje e keqpërdorime të tjera ndesh me ligjin.

Lënda për “Magyar Telecom” (ku thuhet se Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi të BDI-së e ish anëtarë të LSDM-së së vitit 2006 morën para për të eliminuar konkurrencën në treg) ekziston që prej vitit 2011 në prokurori.

Përkundër kësaj, ASH-ja hyri në qeveri dhe e kishte partner pushteti BDI-në, përkatësisht Sela ishte për ca muaj partner me Ahmetin edhe përkundër dosjes ‘Magyar Telecom’ dhe dosjeve të tjera.

ASH-ja hyri në qeveri me LSDM e BDI edhe përkundër lëndës për Ejup Halimin e BDI-së të dyshuar në lëndën ‘Titanik 3’.

Të dy këto lëndë janë renditur po ashtu në ‘jo-letrën’ e ASH-së dërguar zyrtarëve në Bruksel e të tjerëve nëpër shtetet anëtare.

Tash, kur ASH-ja nuk është në qeveri, në ‘jo-letër’ e njëjta parti u shkruan zyrtarëve të BE-së për tentativat e qeverisë që përmes ligjeve të reja dhe përmes PSP-së të shpëtojë nga ndëshkimi po të njëjtit persona të BDI-së me të cilat ASH-ja i kishte partner qeveritar për disa muaj.

Se sa ka moral, etikë dhe principe nga politikanët ( nga të gjithë ata, pa marrë parasysh në cilën parti ndodhen, në pushtet apo opozitë) kjo le të mbetet një pyetje për lexuesit dhe qytetarët e vendit.

Por, ajo që është më e çuditshme në këtë letër të ASH-së së Ziaedin Selës, është fakti se aty kjo parti ‘harroi’ të ankohet tek Mogherini, Hahn e ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së për diskriminimin që po vazhdon ndaj shqiptarëve, e që këtyre javëve ka të bëjë edhe me diskriminimin ndaj fëmijëve të shqiptarëve, e po aq edhe të pakicave të tjera, përmes propozim-ligjit për shtesat e fëmijëve.

Këtë propozim-ligj, ASH-ja e ka kritikuar para medieve dhe publikut shqiptar në Maqedoni të Veriut po aq sa edhe Lëvizja Besa.

Por, ASH-ja e Ziadin Selës nuk ua tha asnjë fjalë të vetme në këtë ‘jo-letër’ zyrtarëve të BE-së për propozim-ligjin diskriminues në fjalë ndaj krejt jo-maqedonasve që e kanë përqindjen me të madhe të lindshmërisë sesa maqedonasit, shkruan Zhurnal.mk.

ASH-ja në këtë ‘jo-letër’ dërguar para pesë ditëve ‘harroi’ e nuk ua tha zyrtarëve të BE-së asnjë fjalë të vetme as për ndryshimet e nevojshme të kushtetutës për gjuhën shqipe (shih deklaratën e nënshkruar edhe nga Sela të Janarit 2017 me BDI-në dhe krejt partitë e tjera shqiptare), apo shih edhe propozim amendamentet e Selës dërguara në parlament e pastaj të tërhequra me shkrim (maqedonisht e jo shqip) me 11 Janar 2019 të njëjtën ditë para votimit të ndryshimeve kushtetuese.

ASH-ja në këtë ‘jo-letër’ të datës 25 Mars 2019 ‘harroi’ e nuk ua tha asnjë fjalë të vetme zyrtarëve të BE-së as për bllokimin e përfaqësimit/punësimit proporcional të shqiptarëve në sektorin publik , i cili sipas raporteve të zyrës së “avokatit të popullit” gjendet ende nën 20 për qind (raporti i fundit në 2018 për të dhënat e vitit 2017 me përqindjen e përgjithshme 19.2 %)

Nuk u shkrua asnjë fjalë e vetme nga ASH-ja në këtë ‘jo-letër’ dërguar zyrtarëve të BE-së se pse ky përfaqësim nuk po arrin tek shifra proporcionale 25% aq sa edhe ka (kishte) shqiptarë në Maqedoni të Veriut sipas regjistrimit të vitit 2002.

Edhe për këto 3 çështje që kanë të bëjnë me interesat e përgjithshëm të shqiptarëve të vendit natyrisht se përgjegjësi-fajtor më i madh në radhët e partive shqiptare është BDI-ja e Ali Ahmetit, sepse tash ( në vitin 2019) po i bëhen plot 15 vite në pushtet, herë me LSDM e herë me VMRO-DPMNE.

Por as ASH-ja, e as ndonjë parti tjetër nuk mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre për këto dështime duke sulmuar kundërshtarët politik e duke luajtur para votuesve rrolin e engjëjve.

Lexuesit dhe qytetarët e vendit e din se themeluesi i ASH-së, Ziadin Sela, ishte anëtar i PDSH-së e cila ishte në pushtet 2 vite me VMRO-DPMNE, madje ai ishte nën-kryetar i Menduh Thaçit. Mjafton që të shihet ligji për gjuhët i vitit 2008 për të përfolur ‘sukseset’ e ish-partisë së Selës asaj kohe, shkruan Zhurnal.mk.

Fakti se tash pas 10 viteve përsëri u bë edhe një ligj tjetër për zgjerimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe flet shumë për përgjegjësitë e të gjitha partive shqiptare.

Dhe përsëri edhe me këtë ligj të votuar nga krejt partitë shqiptare, që të gjitha ato po tentojnë që të harrojnë një premtim të Janarit të 2017-së.

Përdorimi i 100% zyrtare i gjuhës shqipe përsëri mbetet ‘mollë e ndaluar’ për shqiptarët në Maqedoni të Veriut.

Por, autokritika është grimca më ë vogël që nuk mund të gjejmë tek partitë politike. Ajo nuk mund të gjendet as tek VMRO-DPMNE, as tek LSDM, as tek BDI, as tek PDSH, as tek Alternativa, as tek RDK, as tek ASH-ja, as tek Lëvizja Besa… e as tek ndonjë parti tjetër ekzistuese kudo nëpër rajon, Evropë dhe botë.

Gjithçka tjetër mund të gjesh tek partitë politike dhe shumica e udhëheqësve e anëtarëve të tyre aktiv.

As riciklimi politik nuk mund të mund të jetë i suksesshëm. Sepse riciklim të plotë nuk ka sidomos jo në politikë, e nuk ka as në teknologjinë më moderne të sotme për ruajtje të ambientit.

Me teknologjinë e sotme materiet dhe grimcat që nuk mund të riciklohen hedhen përsëri në natyrë, përpunohen përsëri, por ato janë aty midis nesh, rreth nesh, nën ne, brenda nesh edhe pse shihen dhe pasojat vërehen më pak sepse ato kamuflohen në mënyra të ndryshme.

Ai apo ajo që pretendon se në politikë ka riciklim të suksesshëm politik nuk është për këtë planet, ndoshta mund të jetë për ndonjë planet tjetër për të cilin teoricienti i fizikës i ndjeri Stephen Hawking është gati i bindur se ekziston dhe se është shtatë herë më i madh se planeti i tokës.

Kryetari i Francës Emmanuel Macron është dëshmia më e mirë në skenën politike në këtë planet, se riciklimi në politikë është tentim i dështuar që nga përpara.

Në Francën e tij që nga nëntori francezët e revoltuar po ia dëshmojnë atij këtë dështim të tentimit për t’u ricikluar.

Në fund edhe dy rreshta për Bashkimin e sotëm Evropian.

Në Francën e Emmanuel Macronit ( e të krejt kryetarëve të mëparshëm të Francës) çdo të dytën ditë vetëvritet një bujk. E pabesueshme apo jo ?

I ftojmë krejt krerët e partive politike në Maqedoni të Veriut, Ali Ahmetin, Ziadin Selën, Menduh Thaçin, Afrim Gashin, Vesel Memedin, Ziadin Selën e Bilall Kasamin, për të lexuar në frëngjisht këtë shkrim në LeFIGARO.fr e pastaj t’ua sqarojnë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut pse kaq shumë vetëvriten bujqit në Francë, ndër shtetet ‘më të fuqishme’ në Bashkimin Evropian .

Nëse nuk e kuptoni frëngjishten redaksia e Zhurnal.mk mund t’jua bëjë këtë shërbim përkthimi falas

.

http://www.lefigaro.fr/vox/societe/2018/08/17/31003-20180817ARTFIG00252-pourquoi-un-agriculteur-se-suicide-t-il-tous-les-deux-jours-en-france.php

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Z H

Lajmet e fundit

Loading...