Shkruan Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk
Shkup, 24 dhjetor – Kriza me pandeminë globale të shkaktuar nga Kovid 19 përveç se ka bllokuar të gjithë sistemin shëndetësor kudo në botë por edhe tek ne, ka shkatuar dëme serioze edhe në funksionimin e mirëfilltë të institucioneve tjera. Problemet që kanë ndodhur me orën policore, me oraret e shkurtuara të punës, me reduktimin e të punësuarve në institucionet shtetërore si dhe mbylljen e lokaleve, kanë pasoja të rënda për ekonominë por edhe për vet funksionimin e një shoqërie, por kjo nuk duhet të jetë arsyetim për funksionarët dhe drejtuesit e institucioneve. Duket se shumë funksionarë të paaftë po marrin si arsyetim krizën shëndetësore për të hedhur pluhur dhe mbuluar dështimet e tyre. Prandaj është koha që mos të merren të gjithë me pandeminë, ka persona përgjegjës për këtë punë, të tjerët duhet të shikojnë punët e tyre.
Vaksina në fillim të vitit 2021, të parët vaksinohen politikanët
Vaksinat e para tek ne duhet të arrijnë në fillim të vit ardhshëm. Të parët që do ta marrin janë personeli mjekësor, punonjësit në çerdhe, të sëmurët kronik, si dhe personat mbi 65 vjeç. Në mesin e të parëve që do të vaksinohen do të jenë edhe politikanët, thonë nga qeveria.
Sa i përket furnizimit me kohë me vaksinën antikovid nga qeveria thonë se të gjitha procedurat janë bërë në kohë. Zëdhënësi i Qeverisë Dushko Arsovski, i vlerëson të pavërteta zërat se vendi ynë pret vetëm donacione për ndihmë. Arsovski pohoi se procedurat kanë filluar në kohë. Madje edhe përskaj 800 mijë vaksinave të cilat janë të siguruara, vendi po vazhdon me negociatat e drejtpërdrejta për aplikime te reja, me qëllim të sigurimit të dozave shtësë të vaksinave, që u dedikohen vendeve që nuk janë anëtare BE-së.
Donacionet për vaksinat priten të arrijnë edhe nga mekanizimi Kovaks, dhe përmes Bashkimit Europian.
E derisa vendet fqinje kanë bërë furnizimin e parë me vaksinat, ministri Filipce akoma nuk ka një plan të qartë, akuzojnë nga VMRO-DPMNE.
Ndryshe gjatë 24 orëve të fundit, në Maqedoninë e Veriut janë kryer 2.510 teste dhe janë shënuar 627 raste të reja me Covid -19.
Bien investimet e huaja
Investimet e huaja në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar rënie të theksuar, në veçanti në dy tremujorët e fundit, tregojnë të dhënat e Bankës Popullore. Në tremujorin e tretë, sipas raportit, janë regjistruar disa investime, por ato janë shumë më të ulëta në krahasim me kapitalin e huaj që po largohet nga vendi.
Në tremujorin e dytë është regjistruar një ulje prej 9.3 milionë euro të investimeve të huaja, ose në dy tremujorët e fundit minus 14.7 milionë euro.
Në periudhën e para pandemisë, Maqedonia e Veriut kishe regjistruar 133 milionë euro investime, shifër kjo që pas nëntë muajve është ulur në 119.5 milionë euro, që është një nga rezultatet më të dobëta në viteve të fundit.
Por, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk pajtohen me këto të dhëna. Që nga paraqitja e krizës me pandeminë e koronavirusit, 71 për qind e ndërmarrjeve të huaja punojnë me fitim, pjesa tjetër janë me humbje, por asnjë nga investitorët nuk është larguar, thonë nga Drejtoria për Zonat e Zhvillimit Teknologjike-Industriale. Nga kjo drejtori kanë bërë të ditur se “pagat e punëtorëve në zonat industriale janë më të ulëta se pagat mesatare, pra rriten më ngadalë në krahasim me pagat mesatare neto të qytetarëve të tjerë në vend”.
Përveç krizës në ekonomi të shkaktuar nga COVID-19, investimet ndikohen gjithashtu nga situata politike në vend dhe fuqia punëtore. Nuk duhet nënvlerësuar, e që ka të bëjë me stabilitetin e paqëndrueshëm politik. Sado që ne të duam që të ndajnë fushëveprimin politik nga ai ekonomik, prapë se prapë ka një ndërlidhje shumë të fuqishme njëra me tjetrën me stabilitetin politik. Sigurisht që mosqëndrueshmëria politike po i faturohet ekonomisë.
Pandemia ndikon negativisht në shëndetin mendor
Pandemia e koronavirusit po ndikon negativisht në shëndetin mendor të qytetarëve në Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave të Klinikës së Toksilogjisë, në kuadër të spitalit shtetëror “Nënë Tereza” në Shkup, është rritur për 20 deri në 30 për qind numri i pacientëve të cilët janë mbidozuar me medikamente për qetësim ose kanë tentuar t’i japin fund jetës duke u helmuar me produkte higjienike.
Pandemia e koronavirusit, ka krijuar pasiguri për të ardhmen e shumë qytetarëve, si në aspektin ekonomik po ashtu edhe atë sociologjik, gjë që ka bërë që disa prej tyre të vuajnë nga depresioni.
Për dallim nga vitet e kaluara, kur helmimet dhe mbidozat bëheshin kryesisht për tërheqjen e vëmendjes, gjatë pandemisë, rastet më të shumta lidhen si pasojë e humbjes së vendeve të punës, zvogëlimit të të ardhurave, por edhe frika e vazhdueshme e qytetarëve se në çdo moment mund të infektohen me koronavirusin e ri.
Depresioni që shkaktohet nga pasiguria si dhe frika nga vdekja, janë simptomat e para që i çojnë njerëzit drejt përdorimit të pakontrolluar të ilaçeve kundër depresionit.
Edhe pse ka shumë arsye për dëshpërim, pjesët tjera të shtetit duhet të funksionojnë normalisht dhe drejtuesit e institucioneve tjera nuk duhet të merren me çështjet shëndetësore. Ekziston Komision i veçantë që merret me pandeminë, prandaj politikanët dhe drejtuesit e tjerë duhet të merren me punët e tyre. Të shohin si qëndron puna me ekonominë, pasojat nga pandemia, me gjendjen psikike të njerëzve, me shkollat, çerdhet …