Shkruan, Agjencia Zhurnal.mk
Shkup, 23 shtator – Nëse fillon të lexosh komentet nëpër dhe publikimet nëpër rrjetet sociale, të vjen turp se çfarë thëniesh, fyerjesh, urrejtje e sharjes, mund të krijojë mendja e njeriut. Ndonjëherë pyetemi vetvetiu, se kush qenkan këta njerëz që deri tani nuk i paskemi njohur. E në fakt, po del që është shumë e vërtetë thënia se “ranë mediat sociale, dhe secili tregoi fytyrën e vërtetë që nuk e paskemi njohur”! Shteti duhet që ligjin ta zbatojë me dënime më të ashpërta ndaj gjithsecilit që fyen, shantazhon, poshtëron dhe përdor gjuhë të urrejtjes dhe çdonjëri duhet të ketë kujdes se çfarë shkruan.
“Kushdo që fshihet pas tastierës duhet të jetë përgjegjës për atë që shkruan, u shpreh Presidenti Stevo Pendarovski në diskutimin publik “Gjuha diskriminuese në mediat digjitale – situata dhe sfidat”, e cila u mbajt në kabinetin e tij, ka rihapur edhe njëherë debatin për gjuhën që përdoret në mediat sociale.
“Jam thellësisht i bindur se bashkëpunimi dhe veprimet e përbashkëta të të gjitha palëve të interesuara në shoqëri janë kyçe në luftën kundër përmbajtjeve diskriminuese në hapësirën e internetit, por edhe në përgjithësi në jetën publike. Parandalimi i këtij fenomeni, i cili minon seriozisht themelet bazike të çdo shoqërie që synon gjithë përfshirjen, duhet të bëhet prioritet kombëtar”, theksoi presidenti Pendarovski.
Thelbësore është që kushdo që fshihet pas komoditetit të tastierës duhet të jetë i vetëdijshëm se është përgjegjës për atë që thuhet apo shkruhet, thotë presidenti Pendarovski.
Kreu i shtetit shtoi se duhet të rikthejmë mirësjelljen në komunikimin në shtëpi, në vendin e punës, në publik dhe në rrjetet sociale, pra të matim peshën e fjalëve tona.
Frustrimin mos ta shprehim në internet!
Për të pasur efekt dhe rezultate pozitive në luftën kundër gjuhës së urrejtjes duhet që të kemi bashkëpunim dhe veprime të përbashkëta të të gjithë aktorëve në shoqëri, të cilat janë kyçe në luftën kundër përmbajtjeve diskriminuese në hapësirën e internetit, por edhe në fjalimin publik në përgjithësi.
Komunikimi nuk guxon të reduktohet, siç është tani, në masë të madhe, në energji negative, zhgënjime, sulme ndaj personit, fjalime diskriminuese apo gjuhë urrejtjeje, por komunikimi duhet të jetë korrekt dhe debat i arsyetuar.
Debati duhet të përmirësohet gjithandej. Në shtëpitë tona, në vendin e punës, në publik dhe në mediat sociale, gjithsecili duhet të rivendos mirësjelljen në komunikim dhe të matim peshën e fjalëve tona. Dhe jo rastësisht, fjala popullore thotë “fjalët nuk bëjnë eshtra, por i thyejnë kocka”. Fatkeqësisht në hapësirën e internetit ku nuk ka barriera fizike, gjithnjë e më shumë janë të shpeshta shembujt e nënçmimit, sulmeve të pabaza, shpifjeve ku në vend të komunikimit mes njerëzve, fjalët shërbejnë si instrument sulmi dhe përjashtimi.
Diskriminimi lëndon dhe dëmton njësoj çdo person, minon integritetin dhe vetëbesimin e tij dhe lë pasoja të qëndrueshme mbi një person, të dashurit e tij dhe shoqërinë në tërësi, qoftë kjo edhe një fyerje nëpërmjet internetit nga ndonjë person që as nuk e njeh personalisht.
Gabime të shumta edhe në gjuhën e internetit
Niveli kulturor i një individi tregohet nëpërmjet pastërtisë së gjuhës, ndërsa në rrjetet sociale del në pah kultura e ulët e edukatës të personave të cilët duke përdorur “fjalë pa vend” tregojnë se në çfarë niveli gjenden. Kujdesi për të shkruar gjuhën shqipe pa gabime ka qenë dhe mbetet sërish i rëndësishëm, por në gjuhën që po përdoret nëpër rrjetet sociale thuajse nuk respektohet asnjë standard.
Problemet teorike dhe praktike vazhdojnë të jenë të pranishme dhe jo vetëm në rrjetet sociale sepse gjuha shqipe sot është gjuhë e shumë grupeve virtuale, portaleve, gazetave, forumeve dhe blogjeve në internet. Rrjetet sociale janë ura komunikimi, instrumente nëpërmjet të cilave ndajmë mendime, porosi dhe shoqëri me më shumë individë, prandaj duhet të kemi kujdes për etikën e komunikimit.
Rrjetet sociale mund të jenë një vend ku mund të marrësh dhe të japësh dije dhe njohuri në fusha të ndryshme të jetës, prandaj është shumë e rëndësishme se çfarë shkruan. Atë që e shkruan, e lexojnë me mijëra e miliona njerëz, prandaj njerëzit duhet të jenë shumë të kujdesshëm në këtë aspekt.
Prezenca e fëmijëve dhe të miturve në rrjetet sociale ka bërë që te shohin e lexojnë gjithçka, prandaj duhet njëherë e mirë të mësohemi se si të shprehemi në internet, sepse në këtë mënyrë edukojmë fëmijët dhe gjeneratat e ardhshme.
E gjithë shoqëria, kundër gjuhës së urrejtjes
Është e nevojshme përfshirja e sektorit civil fillimisht si përfaqësues i publikut të gjerë dhe se sistemi i sanksioneve, ligjeve dhe ndëshkimeve nuk mjafton nëse nuk punohet në krijimin e një atmosfere pozitive, me qëllim parandalimin e dukurive negative. Ne jemi ende në një fazë ku në vend që të trajtohet, mund të parandalohet kjo dukuri, dhe pikërisht institucionet dhe shoqëria duhet të përballen në thellësi me këtë problem kompleks. Fyerjet kanë shkuar aq larg, sa është e paimagjinueshme se çfarë dëgjon e çfarë lexon njeriu nëpër internet.
Interneti është një thikë me dy tehe, të cilën mund ta përdorësh për të mirë, por edhe për të keq. Varet prej karakterit dhe interesimit të njeriut. Prandaj është me rëndësi që këtë të mirë të shekullit 21 njerëzit ta përdorin për punë të mira, për projekte, për edukim, për zhvillim dhe në asnjë mënyrë vetëm për budallallëqe, për fyerje e për nënçmim.
Gjuha e urrejtjes dënohet me ligj, por askush nuk e respekton këtë ligj!
Gjuha e urrejtjes është një akt i rregulluar me ligj, si në territorin e Maqedonisë së Veriut ashtu edhe ndërkombëtarisht. Përkufizimi i tij thotë: një formë shprehjeje që përhap, nxit ose justifikon gjuhën e urrejtjes, bën thirrje për dhunë dhe përfshin grupe të ndryshme shoqërore.
Në Maqedoninë e Veriut ka pasur raste të shumta kur është përdorur gjuha e urrejtjes, qoftë në baza fetare, kombëtare, politike e shoqërore. Pa pikë përgjegjësie fyhen fytyrat publike, politikanë, gazetarë e kushdo qoftë tjetër.
Gjuha e urrejtjes shkakton çrregullime mendore që mund ta çojnë personin e synuar drejt vetëvrasjes.
Në sistemin juridik të Maqedonisë së Veriut gjuha e urrejtjes është krim dhe dënimi i saj është i rregulluar me Kodin Penal. Institucionet përgjegjëse për zbatimin e mekanizmave ligjorë për këtë akt janë Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria Publike, Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive. Të gjitha këto institucione veprojnë në kuadër të kompetencave të tyre për gjuhë të raportuar të urrejtjes nga hapësira publike dhe mediatike deri te garat sportive.
Por sado ideale të tingëllojë në letër me institucionet përgjegjëse që kemi, në vendin tonë për shkak të sistemit ligjor, gjuha e urrejtjes mbetet një barrë që jo vetëm nuk e zhdukim por vazhdojmë ta ushqejmë.//Zhurnal.mk