Shkup, 31 tetor – Çdoherë kur bëhet fjalë për korrjen e ndonjë suksesi politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, lufta që bëhet brenda llojit është se kush do i marrë meritat. Partitë shqiptare kërkojnë që në kuadër të ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në të, gjuha shqipe në Kushtetutë mos të mbetet edhe më tutje si gjuha të cilën e flasin mbi 20 për qind i numrit të përgjithshëm të popullsisë. Por kjo luftë për bajraktarizëm mes partive shqiptare që po ndodh ditëve të fundit, duket se po e dëmton procesin aq shumë sa në fund të fundit, të gjitha partitë shqiptare do të mbesin me gishta në gojë!, shkruan, Zhurnal.mk
Të gjithë shqiptarët për ndryshimet Kushtetuese, por kush t’i marrë lëvdatat!
Lëvizja Besa ka bërë thirrje për rikthimin e tryezës së partive shqiptare për të diskutuar heqjen e 20% nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Tryeza e partive shqiptare si në formën e Platformës së Tiranës është rikthyer përsëri në vëmendje për shkak të tentativave në prag të ndryshimeve kushtetuese të cilat duhet të bëhen për shkak të lëvizjes më tej të vendit drejt integrimit evropian, proces ky që varet pikërisht nga hapja e Kushtetutës.
Lëvizja Besa ka thënë se mbështet ndryshimet kushtetuese për të çuar para integrimin evropian, por paralelisht me këtë kërkon të plotësohet edhe kërkesa për statusin e gjuhës shqipe.
Heqja e 20 për qindëshit do të jetë kusht edhe i Aleancës për Shqiptarët për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese. Kjo çështje njëherë e përgjithmonë duhet të zgjidhet, thonë nga kjo parti.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e Qeverisë është për ndryshimin e përkufizimit të shqiptarëve në Kushtetutë. Nga kjo parti thonë se “ka ardhur koha që të hiqet termi “20%” dhe zëvendësimi i të njëjtit me formulim adekuat siç është “gjuha shqipe” dhe “populli shqiptar”.
Alternativa kërkon të mos vjetrohen veprat penale
Alternativa ka për qëllimi që të krijojë mekanizëm kushtetues që do t’i adresojë të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar në pushtetin ligjëdhënës, ekzekutiv dhe në pushtetin lokal, të cilët duke abuzuar me pushtetin e tyre, në mënyrë të paligjshme janë pasuruar në mënyrë marramendëse.
Alternativa thotë se ligjet mund të kenë efekt prapaveprues edhe në rastet që kanë të bëjnë me vjetrimin e përgjegjësisë penale për abuzime nga persona te emëruar ose të zgjedhur gjatë zbatimit të autorizimeve publike, me çka u kanë shkaktuar dëm fondeve publike, mjeteve buxhetore në nivel qendror dhe lokal dhe me ato abuzime kanë përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme.
Me këtë amendament do të krijohet bazë e mirë kushtetuese për revidimin e të gjitha procedurave gjyqësore për persona që tash ose më herët janë zgjedhur ose emëruar, e të cilat janë ndërprerë për shkak të vjetrimit eventual të përgjegjësisë penale.
Maqedonasit këmbëngulin se nuk është koha për gjuhën shqipe!
Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, ka thënë se do të pranonte ndryshimin sa i përket gjuhës shqipe, por ajo ka kërkuar që nga Kushtetuta të hiqet parimi për mbrojtjen e bashkësive etnike, apo të shqiptarëve nga mbivotimi dhe nga përcaktimi tjetër kushtetues që parasheh garantimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
VMRO DPMNE thotë se nuk është kundër përfshirjes së pakicës bullgare në Kushtetutë, por kundër marrëveshjes me Bullgarinë, të cilën e vlerëson të dëmshme për interesat shtetërore e kombëtare maqedonase.
Mickoski kërkon garanci nga BE-ja se bullgarët nuk do të vendosin kritere të reja dhe procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut të bëhet deri në vitin 2030.
Kryeministri dhe njëherësh kryetar i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski ka thënë se ndryshimet kushtetuese janë çështje procedurale dhe posa të sigurohet mbështetje nga ana e të gjithëve, atëherë duhet të fillojë ajo procedurë në të cilën do të marrin pjesë të gjitha partitë politike, ekspertë të të drejtës kushtetuese dhe Ministria e Drejtësisë dhe përmes një diskutimi të arrihet qëllimi, gjegjësisht Kushtetutë e cila do t’i përgjigjet shumicës më të madhe e cila është përfaqësuar në Parlament.
Sa i përket propozimin të partive shqiptare që të hiqet formulimi 20 për qind nga Kushtetuta, që, sipas tyre do të ishte edhe kusht për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, Kovaçevski tha se të gjithë duhet të kenë prioritet vazhdimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian dhe kjo duhet të jetë prioritet edhe për këtë çështje, pse po fillojnë ndryshimet kushtetuese, ndërsa kjo është, siç tha, sa më shpejt mbyllja e fazës së skriningut të negociatave dhe hapja e kapitullit të negociatave.
A mund të mbetet gjuha shqipe sërish si “20 %”
Tani kur për shkak të presionit ndërkombëtar ka filluar debati për ndryshimet kushtetuese, shqiptarët dalin me propozime nga më të ndryshmet. Disa kushtëzojnë me heqjen e gjuhës shqipe, të tjerët kërkojnë të mos vjetërsohen veprat penale, e të tretët kërkojnë mbajtjen e një tryeze siç ishte ajo në Tiranë.
Në fakt, të gjithë partitë shqiptare janë që të largohet emërtimi për gjuhën shqipe, si gjuha që e flasin 20 për qind e popullatës, sepse një definim i tillë nuk ndodh askund në botë. Tani pasi po zbatohet gjuha shqipe dhe u pa se Maqedonia e Veriut nuk ka rrezik nga shqiptarët, heqja e kësaj terminologjie është e logjikshme dhe vetvetiu e pranueshme. Por, kështu nuk mendojnë maqedonasit, të cilët çdoherë kur bëhet fjalë për të drejtat e shqiptarëve këmbëngulin në inatin e tyre.
Ajo që shqetëson opinionin shqiptar është se a janë mirë të koordinuara partie politike shqiptare dhe a do të dinë që në mënyrë shumë perfide ta bëjnë realitet këtë ndryshim.
Duket se te shqiptarët ka filluar lufta e bajraktarizmit, e që nënkupton se kur të bëhet ky ndryshim, kush i pari t’i marrë meritat e lëvdatat. Kjo garë duke bërë “hopa pa i hipur ende kalit” ka gjasë që të dëmtojë tepër procesin, sepse në opinion duket se më shumë ndryshimet po i kërkojnë shqiptarët se sa bullgarët. Shqiptarët duhet të gjejnë metoda që pa shumë zhurmë mediatike, të bashkuar me një propozim konkret, të kërkojnë që të hiqet “20 %” dhe barrën e ndryshimeve kushtetuese të imponuara nga bullgarët, tua lënë bullgarëve.
Ata duhet të koordinohen shumë qartë, pa pasur nevojë sërish të shkojnë në Tiranë a Prishtinë, me të vetmin qëndrim që kjo është kërkesë e patjetërsueshme dhe për këtë s’ka as arsye dhe logjikë të diskutohet më shumë! Çdo veprim tjetër për të marrë pika të ulëta politike do t’i çojë shqiptarët edhe drejt votimit të ndryshimeve Kushtetuese, edhe drejt mos realizimit të kërkesës së tyre për gjuhën shqipe!//Zhurnal.mk