Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Kadri Veseli e PDK-ja kërkojnë gjykatë për Serbinë aty ku Rusia ka veto

Politikanët e Kosovës duhet të bëjnë të mundurën aty në parlamentin  e Kosovës me gjykatën speciale ekzistuese në Hagë të Holandës e jo të hutojnë qytetarët e tyre me kërkesa të cilat varen nga Rusia dhe Vladimir Putini.
 
Prishtinë, 17 Maj, Zhurnal.mk – 20 vjet pas largimit të forcave serbe dhe 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë politikanët e Kosovës i kanë tejkaluar kufijtë e absurditeteve të tyre shumë herë.
 
Politikanët e Kosovës janë pikërisht ata që me injorimin e tyre të pabesueshëm por shumë të vërtetë këtyre javëve po tentojnë që të ringjallen nga humnera e tyre e dështimeve të shumta duke bërë thirrje për krijimin e një gjykata ndërkombëtare për krimet e luftës të kryera nga kriminelët serbë.
 
Është pikërisht kreu i PDK-së e Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ai i cili që nga muaji i kaluar e mori timonin e kësaj thirrjeje.
 
Pak ditë para tij, të njëjtën ftesë e bëri edhe ish-kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një paraqitje në Kongresin e SHBA-ve.
 
Por, as Jahjaga e as Veseli deri më tash nuk kanë bërë kërkesë zyrtare me shkrim tek asnjë nga qeveritë e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pra as tek qeveria e SHBA-ve ve e as tek vendet evropiane të cilat kanë ulëse në trupin më të lartë të OKB-së.
 
Njohësit e mirë të funksionimit të sistemit politik ndërkombëtar tashmë po ua thonë publikisht Veselit e Jahjagës dhe qytetarëve të Kosovës të cilët po shpresojnë dhe besojnë në këtë thirrje se kjo gjykatë nuk do të mund të formohet edhe pse premtoi i pari i PDK-së dhe i kuvendit.
 
Veseli ende nuk është sqaruar se si do të formohet kjo gjykatë. Me fjalë të tjera ai para publikut në Kosovë po i ik faktit se gjykata të këtilla formohen vetëm kur ka pajtim nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit, pra edhe Rusia, aleatja e madhe tradicionale e Serbisë.
 
E ndërkohë në Kosovë, shoqata « Familja dhe Shpresa » nga Klina që nga nëntori i vitit 2016 ka bërë disa kërkesa drejtuar krejt politikanëve të Kosovës dhe institucioneve të vendit për të plotësuar ligjin e gushtit të vitit 2015 për gjykatën speciale të Kosovës, e cila në formën e tashme po merret vetëm me krimet e pretenduara nga pjesëtarët e UÇK -së.
 
Kadri Veseli dhe partia e tij ishin në pushtet kur u aprovua ky ligj me të cilin me paratë e Bashkimit Evropian u formua kjo gjykatë e një anshme e cila nuk do të merret me krimet e luftës nga Serbia dhe kriminelëve të saj. Atifete Jahjaga ishte kryetarja e Kosovës po në kohën kur u formua gjykata speciale.
 
Por, as në vitin 2015, e as deri më tash, asnjëri prej këtyre të dyve, sikur edhe të tjerët e institucioneve në Kosovë, nuk ia janë përgjigjur kësaj kërkese e cila përfaqëson familjarët e viktimave të luftës nga kjo komunë e Kosovës.
 
Që të gjithë politikanët në Kosovë kanë heshtur dhe po heshtin për kërkesën për plotësimin e këtij ligji të imponuar në këtë formë të njëanshme i cili i amnistoi kriminelët serbë.
 
Prandaj, pse Veseli dhe PDK-ja kanë zgjedhur që të injorojnë kërkesat për plotësimin e ligjit të parlamentit të Kosovës për gjykatën speciale të themeluar në Hagë, e po bëjnë kërkesa nëpër media për një gjykatë ndërkombëtare për krimet e Serbisë, pra një gjykatë të dytë të veçantë ?
 
Veseli nuk duhet të jetë i pa informuar se është Këshilli i Sigurimit të OKB-së ai i cili formon gjykata ndërkombëtare të luftës. KS i OKB-së e pat formuar një gjykatë për krimet e luftës për krejt vendet e ish-Jugosllavisë dhe e mbylli në dhjetor të 2017.
 
Si do të bindeshin vendet perëndimore e pastaj edhe Rusia për të formuar një gjykatë të dytë, përkatësisht të tretë (me këtë për Kosovën të cilën e formoi vet parlamenti i Kosovës me ligj të vetin) ? Veseli para publikut kosovar oo anashkalon të përgjigjet në këtë pyetje.
 
Veseli, PDK-ja dhe krejt partitë politike në Kosovë duhet që të zgjedhin të mundshmen. E mundshmja në këtë rast është plotësimi i ligjit për gjykatën speciale në parlamentin e Kosovës.
 
Plotësimi i këtij ligji do ta obligonte kryeprokurorin Amerikan Jack Smith që të merrej, sipas plotësimit të tij pra, edhe me krimet e serbëve në Kosovë.
 
E kur tashmë në parlament të Kosovës është dërguar një version i ri i ligjit të kodit penal kjo gjykatë në Hagë do të mund të dënonte në mungesë kriminelët serbë, nëse Serbia do të refuzonte që t’i bashkëngjitej punës së kësaj gjykate edhe për krimet nga ushtarët, policët dhe paramilitarët e saj që kanë kryer ndaj civilëve shqiptarë dhe pronave të tyre e pronës shoqërore të Kosovës.
 
Plotësimi i këtij ligji aktual për gjykatën në Hagë për Kosovën ndërkohë do të shtonte presionet ndaj klasës politike në Serbi.
 
Presionet do të vinin gradualisht edhe nga BE dhe SHBA, të cilat do të duhej që të gjejnë mënyra për të gjunjëzuar Serbinë në mënyrë që ajo t’i dërgojë në këtë gjykatë për Kosovën njerëzit e saj që do të akuzoheshin nga Jack Smith dhe zyra e tij.
 

Prandaj, Veseli e politikanët e tjerë të Kosovës duhet të bëjnë të mundurën aty në parlamentin  e Kosovës me gjykatën speciale ekzistuese në Hagë të Holandës dhe ta plotësojnë ligjin selektiv për gjykatën selektive, e jo të hutojnë qytetarët e tyre me kërkesa të cilat varen nga Rusia dhe Vladimir Putini.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...