Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Komunat s’po i hapin sytë mjaftueshëm të shfrytëzojnë paratë nga BE-ja

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 12 shtator – Maqedonia e Veriut si shtet që synon të bëhet pjesë e familjes evropiane nuk po arrin të shfrytëzojë maksimumin nga programi i fondeve evropiane IPA, mjete këto të dedikuara për përforcimin e kapaciteteve demokratike të shtetit. Tanimë kur Bashkimi Evropian, fillon të hapë më shumë qesen për shtetet që fillojnë negociatat, nevojitet që sa më parë komunat dhe institucionet përkatëse të fillojnë të bëjnë programe adekuate për të thithur sa më shumë fonde nga Brukseli zyrtar.

Brukseli hap qesen, institucionet s’din si ti marrin paratë

Për periudhën 2014 – 2020, Brukseli i ka ndarë Maqedonisë së Veriut 664 milionë euro për shfrytëzim nga programi IPA, mjete këto të destinuara kryesisht për përforcimin e kapaciteteve në administratën publike, transport, bujqësi, por në fokus mbetet lufta kundër korrupsionit dhe sundimin e shtetit ligjor. Për këtë arsye qeveria mjetet nga fondet IPA duhet t’i orientojë në përforcimin e kapaciteteve në institucioneve që janë përgjegjëse për të luftuar korrupsionin

Fatkeqësisht deri më tani janë shfrytëzuar vetëm 40% nga fondet evropiane IPA, e kjo për shkak se kapacitetet e Maqedonisë së Veriut janë shumë të dobëta për të krijuar projekte me të cilat do t’i vjelin mjetet.

Qeveria aktuale të paktën në mënyrë deklarative duhet të tregohet më e interesuar në shfrytëzimin e mjeteve evropiane, më shpresëdhënëse është fakti se Brukseli së fundmi është treguar më i vendosur që këto mjete të realizohen në mënyrën e duhur.

Përfundimisht Maqedonia e Veriut si shtet duhet të shërohet nga sëmundja kronike në kuptimin e vonesave me hartimin e projekteve dhe realizmin e planeve që kanë të bëjnë me mjetet evropiane. Ka më shumë institucione që nuk janë aq transparente sa duhet në menaxhimin e buxhetit, kjo është e pa tolerueshme për shtetet me demokraci të zhvilluar pjesë e së cilës familje synon të behet Maqedonia e Veriut. Pikërisht këta probleme e bllokojnë dhe shfrytëzimin maksimal të mjeteve nga IPA fondet.

Qeveria duhet të bëjë përpjekje maksimale që të shfrytëzojë këto mjete, veçanërisht tani kur ka më shumë se kurrë nevojë për ndihma, prandaj duhet të dëshmohet se me profesionalizëm arrin t’i bëj ballë luftës kundër korrupsionit.

Në drejtësi, proceset hetimore janë shumë të rëndësishme prandaj çdo keqpërdorimi mjeteve duhet të ndëshkohet. Detyrë e qeverisë është që të hartoj plan konkret dhe të trajnojë staf profesional, i cili në çdo institucion dhe komunë do të dijë se si të krijojë projekte për të përfituar paratë që ndahen për Maqedoninë e Veriut.

Mençuria do të jetë që mjetet të destinohen në drejtime të duhura dhe tepër të nevojshme prandaj duhet të luftohet korrupsioni, i cili duhet ta çlirojë shtetin nga prangat që e bllokojnë zhvillimin e saj në të gjitha dimensionet.

Gjithashtu duhet të përforcohen kapacitetet e institucioneve përkatëse që pjesa e mbetur e fondeve IPA të shfrytëzohet maksimalisht.

Njerëzit e duhur duhet të vendosen në vendin e duhur. Fatkeqësisht një gjë të tillë nuk e kemi parë në të kaluarën, por edhe tani në disa institucione po vazhdon avazi i vjetër, përkatësisht fondet e Bashkimit Evropian që shihen vetëm nga aspekti politik dhe jo ai pragmatik, prandaj gjithçka ka të bëjë me shfrytëzimin real për përforcimin e kapaciteteve demokratike të vendit.

Më së shumti fonde nga programi IPA, Maqedonia e Veriut ka arritur të shfrytëzoj në pjesën që ka të bëjë me përforcimin e kapaciteteve për realizimin e reformave, ndërkohë ngec shumë sa i përket thithjes së fondeve evropiane nga programet që kanë të bëjnë në lëmin e bujqësisë dhe infrastrukturës.

Paratë të përfundojnë në duar të sigurta

Paratë të cilat i lëshon Bashkimi Evropian, të ashtuquajtura IPA fonde, duhet të arrijnë tek shfrytëzuesit e vërtetë e jo të përfundojnë në xhepat e mashtruesve dhe projekteve joadekuate.

Për çdo mashtrim që mund të ndodhë autoritetet administrative si dhe nga gjyqësori e policia duhet të bashkëpunojnë me OLAF, e cila ka mandat të hetojë mashtrime dhe korrupsion që e përfshijnë buxhetin e BE-së në vendet kandidate dhe kandidatët potencial.

Megjithatë, fatkeqësisht për të pasur sukses nevojitet bashkëpunim dhe mbështetje aktive e partnerëve në terren, policia dhe prokuroria.

Maqedonia e Veriut ka miratuar Strategjinë kombëtare kundër mashtrimit për të mbrojtur interesat financiare të BE-së, ndërsa në vijim është procesi i krijimit të rrjetit institucional për të luftuar mashtrimin dhe parregullsitë që do të mundësojnë bashkëpunim më të mirë në nivel kombëtar midis institucioneve të përfshira në luftën kundër mashtrimit dhe për të mbrojtur interesat financiare të BE-së.

OLAF kishte dyshuar disa herë se mjetet e IPA fondeve në Maqedoninë e Veriut manipulohen dhe për këtë arsye kishte ngritur hetime që e ka hulumtuar Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut.  Është dyshuar se fabrika dhe kombinate të bujqësisë janë furnizuar me pajisje të cilat nuk përputhen me standardet e përcaktuara, me çka janë keqpërdor 200 mijë euro.

Nga viti 2010 është rregulluar me ligj se nëse bëhet ndonjë mashtrim me mjetet e Bashkimit Evropian, konsiderohet se është vepër penale. Sipas Kodit Penal, çdo individ që do t’i keqpërdorë paratë e Bashkimit Evropian, do të dënohet me gjashtë muaj deri në pesë vjet burg.

Komunat t’i hapin sytë

Maqedonia e Veriut kishte kthyer prara rreth 70 milionë euro të cilat kanë qenë të destinuara për Qendër të re Klinike, ndërkaq në vitet e kaluara pushteti lokal dhe qendror kanë treguar kapacitet jo të plotë për shfrytëzimin e mjeteve nga fondet evropiane.

Hapet çështja se sa kanë kapacitet institucionet në Maqedoninë e Veriut për përgatitjen e projekteve të cilat do të financoheshin nga fondet evropiane, cilat janë dobësitë e organeve shtetërore dhe si të tejkalohen problemet të cilat janë pengesë për përdorimin sa më të madh të parave evropiane.

Interesi te komunat në Maqedoni për fondet evropiane është i madh. Hulumtimet tregojnë se madje 96% nga komunat kanë aplikuar për mjete evropiane, ndërkaq 80% prej tyre kanë zbatuar projekte të financuara nga BE-ja. Ato janë mjaft numra të lartë dhe dëshmojnë në gatishmërinë e komunave që të arrin pjesë në projektet evropiane.

Gatishmëria e tyre varet para se gjithash nga madhësia e komunës dhe kapacitete e tyre administrative. Komunat më të mëdha kanë kuadro të trajnuar, disa disponojnë me sektorë për projekte të BE-së dhe me atë kanë shumë mundësi për shfrytëzimin e mjeteve të BE-së. Megjithatë, pjesëmarrja në projektet evropiane gjithashtu varet edhe nga vullneti politik dhe vizioni për zhvillim të komunës. Më rëndësi është që komuna të investojë në zhvillimin e resurseve njerëzore dhe të zbatojë projekte evropiane, jo vetëm në radhët e tyre të administratës, por edhe të vetë komunitetit.

Kapaciteti financiar i komunës është njëra nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen komunat e Maqedonisë. Një pjesë e madhe e tyre i kanë llogaritë e bllokuara, gjë që është problem serioz për aplikimin dhe zbatimin e projekteve. Gjithashtu, sfidë e madhe është edhe kofinancimi (pjesëmarrje financiare) dhe pagesa e parakohshme. Për disa programe komunat duhet të kofinancojnë një pjesë e mjeteve, ndërkaq ata nuk kanë mundësi ose nuk parashohin mjete në buxhet. Problem është gjithashtu, edhe në programet ku kofinancimi sigurohet nga buxheti qendror, për shembull nëpërmjet bashkëpunimit tejkufitar, komuna duhet që t’i investojë paratë, ndërkaq më pas t’i kthehen mjetet.

Komunat munden t’i rritin mundësitë e tyre për mjetet evropiane nëse lobojnë që të jenë pjesë e proceseve të programimit të fondeve evropiane në Maqedoninë e Veriut  dhe në Bruksel. Komunat duhet që të gjejnë mënyrë që të jenë më të pranishëm dhe më të dukshëm në nivel evropian.

Thuajse të gjitha autoritetet komunale nga BE kanë zyra të tyre në Bruksel ku jo vetëm që informohen, por edhe ndikojnë në miratimin e vendimeve të cilat u interesojnë.  Komunat duhet që të gjejnë mënyra që të krijojnë dhe mirëmbajnë partneritete me komunat e BE-së, pra komunat nuk duhen ngulfatur vetëm në pritje të parave nga Qeveria, por të hapin sytë e të shfrytëzojnë ashtu siç duhet të gjitha mjetet nga Bshkimi Evropian.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...