Shkup, 11 korrik – Në disa objekte banimi në Gostivar janë shkruar grafite me përmbajtje naziste dhe antishqiptare. Bashkë me parullën “Vdekje për shqiptarët”, janë vizatuar edhe simbole nënçmuese e ofenduese nga më të ndryshmet.
Grafite të tilla janë shkruar në objektet banesore drejt stacionit të autobusave, konkretisht tek banesat kolektive në rrugën “Mara Ugrinova”.
Qytetarët theksuan se këto grafite përbëjnë kërcënim për to. Sipas tyre ato janë shkruar në orët e vona të natës së kaluar ose herët mëngjesin e sotëm.
Rasti është denoncuar edhe në polici nga ku kanë theksuar se ekipet policore do të dalin menjëherë në vendngjarje dhe do të ndërmarrin masa për evitimin e shkrimeve të tilla provokuese dhe urrejtëse.
Provokime të rastësishme, apo me prapavijë të caktuar?
Reagimi i shpejtë i policisë është i idomodoshëm në drejtim të kapjes së autorëve, por edhe mos përsëritjen e këtyre parullave që përhapin gjuhën e urrejtjes. Veç kësaj duhet të hetohet në detaje edhe prapavija e këtyre grafiteve, nëse janë të porositura prej dikuj, ose janë thjeshtë raste sporadike dhe të rastësishme.
Në rast se janë raste sporadike, dëmi është më i vogël. Por në rast se bëhet fjalë për ndonjë strategji të organizuar për krjimin e tensioneve dhe mosdurimit ndëretnik, atëherë edhe qasja e institucioneve duhet të jetë më serioze, shkruan Zhurnal.
Bazë për dyshime, se mos ndoshta bëhet fjalë për diçka të porositur në drejtim të krijimit të tensioneve, ekziston. Sepse momenti kur ndodhin këto provokime, por edhe vendi ku ndodhin, duket se nuk janë të përzgjedhura rastësisht. Ato vijnë në kohën kur u shënuar 26 vjetori i ngjarjeve tragjike të Gostivarit, kur patti edhe viktima në dhunën policore ndaj shqiptarëve që kërkonin të drejtën për flamur.
Padyshim se bëhet fjalë për një moment mjaft senzitiv për Gostivarin dhe shumicën e qytetarëve të saj. Nëse dikush ka porositur një fushatë të tillë ofenduese, e din se për momentin Gostivari është vendi më i përshtatshëm ku mund të “dhezin” provokimet. Që nga viti 1997 është investuar mjaft që të harrohen ato ngjarje tragjike dhe të ulet mosdurimi ndëretnik në këtë komunë me popullatë të përzier, prandaj i gjithë ky mund dhe investim nuk duhet të sakrifikohet për shkak të një “grusht” provokuesve.
Struktura destruktive duan të “mbjellin” urrejtje, për të “korrur” destabilitet
Qytetarët me gjakftohtësi duhet të injorojnë provokimet e tilla dhe me vetëdije të plotë se dikuj i konvenon që të ketë më shumë provokime dhe urrejtje. Pa marë parasysh se cilës etni i takojnë, qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se as provokimet, e as përgjigja ndaj provokimeve nuk sjellin gjë të mirë për ta, shkruan Zhurnal.
Nëse krijohet një atmosferë e tensionuar nuk përfiton askush nga qytetarët e Gostivarit, por vetëm ata që duan në Maqedoninë e Veriut të shkaktojnë atmosferë të ngjashme me situatën në Veriun e Kosovës. Përfitojnë vetëm strukturat destruktive të cilat duke “mbjellur” farën e urrjetjes, dëshirojnë që në vendin tonë dhe në tërë Ballkanin Perëndimor të “korrin” kaos dhe destabilitet.
Është thënë dhe është përsëritur shumë herë se Ballkani Perëndimor është një ndër zonat më neuralgjike ku Rusia do të dëshironte të zgjerojë hartën e destabilitetit në kontinentin evropian, për të defokusuar në një masë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga agresioni në Ukrainë. Prandaj pa shkaktuar panik të paevojshëm, institucionet duhet të reagojnë me seriozitetin maksimal ndaj çdo provokimi, sado qoftë i vogël që duket, e veçanërisht ndaj provokimeve që I takojnë sferës sensitive siç janë marrëdhëniet ndëretnike. Sepse intencat e Rusisë për të rijuar tensione në Ballkanin Perëndimor, përveç se është përmendur në shumë deklaratave të zyrtarëve perëndimorë, janë notuar edhe në dokumente zyrtare siç është Raporti i Parlamentit Evropian ku thuhet se Rusia po përdor ndikimin e saj në Serbi për të destabilizuar dhe për të ndërhyrë në shtetet sovrane fqinje, sipas një raporti të miratuar më 26 prill nga Komiteti i Parlamentit Evropian (PE) për Ndërhyrjen e Jashtme.
Ndërhyrja në vendet fqinje, siç thuhet në këtë dokument që daton nga 28 prilli i këtij viti, po ndodh: në Bosnje dhe Hercegovinë (BiH) përmes Republika Srpska (RS), në Mal të Zi përmes ndjenjave pro-serbe në vend dhe Kishës Ortodokse Serbe (SPC) dhe në Kosovë duke shfrytëzuar apo nxitur konfliktet ekzistuese në veri.
Ata shtojnë se Rusia ka ende ndikim të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor dhe fuqinë për të ndërhyrë në përpjekjet rajonale për pajtim, integrim dhe reforma drejt demokratizimit.
Raporti mbi ndërhyrjen e huaj në të gjitha proceset demokratike në Bashkimin Evropian (BE), duke përfshirë dezinformimin, nënvizon nevojën që BE të kundërshtojë në mënyrë proaktive propagandën e aktorëve keqdashës në rajonin e Ballkanit Perëndimor “që synon minimin e interesave dhe vlerave të BE-së”. 27 përfaqësues të Komisionit për Ndërhyrjen e Jashtme votuan pro raportit, një kundër dhe një abstenim. Në qershor, ky raport do të votohet në seancën plenare, kur do të marrë një version të Rezolutës së Parlamentit Evropian, shkruan Zhurnal.
Ky raport vlerëson rajonin e Ballkanit Perëndimor si një zonë të konkurrencës strategjike dhe gjeopolitike dhe thekson se disa vende në rajon janë të prirura për destabilizimin.
Vendet e treta gjithashtu pritet të shfrytëzojnë dobësitë, duke përfshirë investimet strategjike dhe fushatat e dezinformimitç pasi stabiliteti, siguria dhe qëndrueshmëria demokratike e vendeve anëtare janë të lidhura pazgjidhshmërisht me sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë demokratike të BE-së. Përmbajtjen e këtij raporti duhet ta kenë parasysh në këto momente jo vetëm qytetarët e Gostivarit, por çdo qytetar i ndërgjegjshëm në vendin tonë. /Zhurnal