Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Kushtet nëpër burgje tmerruese, të burgosurit nuk trajtohen si njerëz!

Editorial nga Agjensia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 10 janar – Burgjet e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të mbeten më kushte të mjerueshme. Kushte minimale si higjiena në vendet ku ushqehen, nevojtoret dhe deri te vendi i gjumit, janë vetëm disa faktorë që ndikojnë në privimin e të të burgosurve për të qenë më të rehat në vendin ku ata vuajnë dënimin.

Të burgosurit ankohen për kushte katastrofike

Shoqëria civile në Maqedoni, Avokati i Popullit dhe OJQ-të për respektimin e të drejtave të njeriut disa herë kanë alarmuar për gjendjen e kushteve nëpër burgje. Para dy viteve të burgosurit në Maqedoninë e Veriut realizuan grevë urive për kushtet e këqija në burgje, por nuk rezultoi me ndonjë iniciativë konkrete nga ana e shtetit për përmirësimin e kushteve në vendet ku ata vuajnë dënimin.

Të burgosur shqiptarë kanë rrëfyer nga brenda mureve të burgjeve se kushtet janë shumë të këqia. Nuk ka kushte për mjekim, ndërkaq ilaçet dhe ushqimet i sjellin familjarët. Nëpunësit janë të korruptuar dhe kërkojnë ushqime nga të burgosurit. Gjatë dimrit, kur temperaturat janë të ulëta, nuk ka ngrohje të mjaftueshme. Nevojtoret nuk janë të riparuar dhe mundësia për infeksion nga papastërtia është shumë e madhe.

Lulzon krimi e korrupsioni

Në burgjet e Maqedonisë së Veriut lulëzon krimi dhe korrupsioni, mes të burgosurve dhe të punësuarve. Institucioni Avokati i Popullit, thotë se përveç burgjeve, edhe në shtëpitë për risocializim gjendja nuk është më e mirë pasi fëmijët keqtrajtohen nga punonjësit. Konstatimi gjeneral është se nëpër burgje, korrupsioni funksion si sistem ku janë të involvuar shumë lloje të njerëzve, të burgosur, persona zyrtarë por edhe njerëz nga jashtë burgut për çka ka vërejtje serioze, prandaj kërkohet që kjo çështje të merret parasysh seriozisht nga shteti.

Ka edhe raste ku personat maltretohen fizikisht, goditje në pika të dobëta të trupit, rrahje nëpër vendet ku nuk ka kamera e kështu me radhë.

Drejtorët e burgjeve ankohen se ka mungesë të fondeve të nevojshme për rinovim dhe kjo është arsye kryesore për kushtet e mjerueshme nëpër burgje. Ata madje thonë se të burgosurit shpesh herë i sulmojnë policët e burgjeve, të cilët marrin paga prej 20% më të ulëta se policët e zakonshëm.

Kujdesi shëndetësor i pamjaftueshëm

Përkujdesja mjekëve për mbarëvajtjen e sistemit shëndetësor nëpër burgje është e pamjaftueshme. Ndaj të burgosueve nëpër burgje është e nevojshme të ketë sistem të mirëfilltë shëndetësor që gjithësesi se nuk do të vareshte drejtpërdrejtë nga puna dhe intelekti i një mjeku të vetëm.

Në shumë burgje nëpër shtet nuk gjendet as edhe një mjek. Burgu në Idrizovë për momentin ka vetëm një mjeke të përgjithshme e cila punon në dy turne dhe dy motra medicinale, ndërsa në qendrën për metadon në Idrizovë, ka gjithsej 250 të burgosur me terapi të metadonit.

Momentalisht në farmacinë e burgut nuk gjendet asnjë farmacist dhe kjo gjë duhet të ndryshojë. Mjekët të cilët janë nëpër këto institucione nuk kanë pajisje të mjaftueshme për mjekëim, e në shumë prej tyre as edhe kompjuter për evidentim të të dhënave për të sëmurët.

Forma dhe rëndësia e dënimit të burgosurve nuk duhet ndikojë në krijimin e paragjykimeve në mendjen e mjekut. Të burgosurit duhet të trajtohen njëjtë si pacientë të rregullt që kërkojnë ndihmë nëpër spitale e klinika.

Personat e burgosur edhe pse privohen nga liria kanë të drejtat e tyre

Të burgosurit edhe pse supozohet se kanë kryer ndonjë vepër penale dhe janë të privuar nga liria me vendim gjyqësor, ata megjithatë kanë të drejtat e tyre. E drejta e parë është e drejta e jetës. Pra, ata nuk mund të privohen nga jeta duke qenë në burg. Liria tjetër, që është shumë e rëndësishme dhe fatkeqësisht më së shumti shkilet te të privuarit nga liria, është liria nga tortura. Nuk guxon të torturohet ose të sillen në një gjendje që do të ndikonte në një sjellje ç’njerëzore, degraduese dhe jo humane. Në këto raste, mund të ketë indicie, pasi ka shkelje të këtyre dy lirive, përkatësisht të të drejtave, liria nga tortura dhe e drejta e jetës, që rezulton me vdekjen e tyre.

E drejta në jetë dhe liria nga tortura për shtetin krijojnë detyrime. Pra, shteti jo vetëm që duhet ta respektojë të drejtën e jetës dhe lirinë nga tortura, por duhet të merr masa dhe t’i mbrojë ato sepse ke persona që janë privuar nga liria që janë në gjendje të keqe shëndetësore. Obligimi i shtetit është të ofrojë ndihmë mjekësore. Mos ofrimi i ndihmës mjekësore që rezulton me vdekje, do të thotë përgjegjësi për shtetin për privim nga jeta.

Ka persona që janë të varur nga droga, poashtu edhe ata kanë të drejta e tyre, duhet tu jepet terapi e caktuar, metadon dhe kështu me radhë. Pastaj kushtet nëpër burgje që është konstatuar se janë të mjerueshme, mund të rezultojnë me infektime, bakterie të ndryshme që kanë pasojë vdekjen, e cila gjithashtu mund të jetë përgjegjësi e shtetit.

Në burgjet e Maqedonisë së Veriut shkilen konventat ndërkombëtare

Në burgjet e Maqedonisë së Veriut ka indicje për shkelje të konventave ndërkombëtare, por në këtë arspekt duhet të të bëhen hulumtime se cili është shkaku i vdekjes së një të burgosuri.

Ka shumë konventa ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të burgosurit, personat e privuar nga liria. Është konventa evropiane, neni 3 dhe 2. Konventa kundër torturës, në suaza të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Evropës. Ka minimum 4-5 konventa për këtë çështje, por duhet të bëhet hetim i mirëfilltë se a bëhet fjalë për vdekje natyrore, për shembull dikush mund të ketë sulm në zemër, apo vdekja ka ardhur si pasojë e mos kryerjes së detyrimeve nga ana e shtetit.

Maqedonia e veriut ka qenë disa herë e kritikuar nga ana e organizatave jo-qeveritare, siç është Komiteti i Helsinkit dhe nga ana e Avokatit të Popullit si dhe nga organizatat ndërkombëtare që hulumtojnë të drejtat e të burgosurve. Maqedonia e Veriut është shumë prapa me realizimin të drejtave të të burgosurve si dhe kushteve nëpër burgje. Ka shumë akuza për mënyrën e trajtimit të të burgosurve në institucionet ku ata vuajnë dënimin, por më shqetësuese është për ata persona që gjenden në paraburgim.

Maqedonia e Veriut nuk i përmbush të drejtat e të burgosurve në bazë të atyre kritereve të cilat janë caktuar në konventat ndërkombëtare por edhe në ligjet vendase se çfarë të drejta duhet të kenë të burgosurit, çfarë kushtesh për jetesë që janë kushte minimale, si ato higjienike por edhe kushtet minimale njerëzore ku ata vuajnë paraburgimin apo edhe më pas dënimin me burg.

Ka shumë për tu bërë dhe kërkohet investime nga ana e shtetit, por fatkeqësisht te ne e shohim se investimet bëhen në tjera drejtime dhe nuk bëhen në përmirësimin e kushteve të institucioneve shtetërore ku bëhet ri-socializimi i personave të burgosurve.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...