Editorial: Ligji për amnisti në vend se të “relaksojë” burgjet, po tensionon politikën

nga Redaksia

Shkup, 29 shtator – Ligji i propozuar nga Ministria e Drejtësisë ka ngritur shumë debat në opinion. Arsyetimi i propozuesit është se në burgjet e vendit ka mbipopullim, ndërsa kushtet janë jonjerëzore. Për këtë arsye, duhet të lirohen të burgosurit e veprave më të lehta.
Nga gjithsej 2.114 të burgosur në të gjithë vendin me Propozim ligjin e ri për amnisti lirohen plotësisht 286 persona, ndërsa 996 të burgosur marrin lirim të pjesshëm nga efekti prej 30 për qind, deklaroi ministri i Drejtësisë Krenar Lloga në konferencën e sotme për mediat.

Siç tha ministri, kjo shifër u referohet personave që tashmë janë në burgje në të gjithë shtetin, derisa për ata 2.813 që presin të shkojnë në burg do të ketë listë shtesë nga Drejtoria e Zbatimit të Sanksioneve.
Ministri Lloga informoi se Propozim ligji për Amnisti në Kuvend do të hyjë në procedurë të shkurtuar dhe nuk do të jetë me flamur evropian.

Përplasje pushtet-opozitë, por dallime edhe brenda pushtetit

Propozimi i Ligjit për amnisti është paraparë si propozim për relaksimin e gjendjes në burgje. Mirëpo, ende pa arritur në Kuvend është e qartë se ky ligj do të tensionon raportet politike si në raportet pushtet-opozitë, poashtu edhe raportet brenda vetë pushtetit.
Ministri Krenar Lloga nuk ka demantuar lidhur me pyetjen nëse një pjesë e të dënuarve të rastit Monstra do të përfshihen nga ligji i ri, duke mos hyrë në detaje.
“Nuk dua të hyj në atë se cila lëndë do të përfshihet nga ligji, ndoshta do të jenë edhe njerëz nga 27 prilli. Se cilat lëndë bëjnë pjesë në amnistinë nuk do të thotë asgjë për mua”, tha ai, duke theksuar se vepra për të cilën ngarkohen këta të dënuar ishte parashikuar edhe me ligjin e vitit 2018.

Por, mundësinë për amnistimin e të akuzuarëve në rastin “Monstra” e kundërshton edhe partia kryesore në pushtet, LSDM, shkruan Zhurnal.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski nga foltorja e Kuvendit tha se grupi parlamentar i LSDM-së do të paraqesë amendament nëse shtrohet mundësia që me propozimligjin e ri për amnisti të përfshihen edhe personat e dënuar për vrasjen në Liqenin e Smilkovës apo siç njihet në opoinion, rasti “Monstra”.
“Posa të hyjë ligji në procedurë parlamentare, nëse do të ketë raste siç i përmendni ju, grupi parlamentar i LSDM-së do të paraqesë një amendament me të cilin do të përjashtohen nga mundësia për amnisti”, tha Kovaçevski.

VMRO-DPMNE paralajmëron bllokadë me amendamente

Edhe më kundërshtuese është VMRO-DPMNE opozitare, shkruan Zhurnal. Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, duke e komentuar deklaratën e djeshme të kryeministrit Dimitar Kovaçevski se grupi i deputetëve të LSDM-së do të dorëzojë amendamente nëse ekziston mundësi të amnistohen të dënuarit e rastit “Monstra”, tha se “Ligji për amnisti ende nuk është miratuar në Parlament, ndërsa flasim për amendamente të cilat viijnë nga vetë Qeveria”.

“Shtrohet pyetja çfarë kanë bërë të gjithë ata në seancën e qeverisë kur është shqyrtuar ky ligj. Kryeministri Kovaçevski shpresoj nuk është turist në seancat e Qeverisë, dhe kur do të vijnë tekstet e propozuara të ligjeve merr informacion të detajuar çfarë përmbajnë ato propozim ligje, ndërsa veçanërisht shpresoj që ligjet e tilla specifike edhe vetë i lexon. Nëse nuk e bën këtë, atëherë sa më parë duhet të largohet nga vendi që e ka aktualisht, sepse nuk është i denjë për atë vend”, deklaroi Mickoski pas vizitës në Komunën e Gazi Babës.
Ai madje ka paralajmëruar se VMRO-DPMNE do ta bllokojnë me amendamente ligjin për amnisti të dorëzuar në Kuvend, sepse qëllimi i pushtetit me këtë ligj, siç thotë, është që të lirohen kriminelët që vuajnë dënim me burg.

“Dhe shikoni qeverinë e LSDM-BDI-së, gjegjësisht BDI-LSDM-në, siç e keni më të lehtë, po përgatitet për një opozitë serioze. Po, do ta bllokojmë, këtu nuk duhet të ketë dilema, ky nuk është një ligj me flamur evropian siç ishin ndryshimet në kodin penal dhe ne do ta bllokojmë në kuadër të procedurës kuvendore, sepse ky ligj ka një qëllim të dyfishtë. I pari është të lirohen kriminelët që vuajnë dënim me burg, sepse ashtu u kanë premtuar, këtu nuk mendoj vetëm për LSDM-në dhe BDI-në, por edhe për partnerin më të vogël të koalicionit, Aleancën për Shqiptarët, nëse në përgjithësi ekziston, nëse është nuk është shkrirë në BDI apo të paktën në atë pjesë që identifikohet si Aleanca për Shqiptarët, do të thotë këto janë obligime të ndërmarra ndaj kriminelëve që janë në vuajtje të dënimit me burg, një pjesë e tyre të marrin ulje, amnisti të pjesshme, një pjesë amnisti të plotë dhe më pas po ata kriminelë të njëjtë të gjenden në rrugë dhe t’i bëjnë probleme qeverisë së ardhshme të VMRO-DPMNE-së, duke menduar se në atë mënyrë do të fitojnë”, ka deklaruar Mickoski një ditë më parë.

Edhe Lidhja Demokratike kërkon nga kryeministri Dimitar Kovaçevski tërheqjen e projektligjit të ri për amnisti, sepse ky ligj është pazar politik mes partnerëve të koalicionit LSDM, BDI dhe Aleancës së Shqiptarëve dhe vazhdimësi e ndryshimeve të fundit në Kodin Penal me të cilat u sulmua brutalisht rendi juridik.

“Zoti Kovaçevski, mos u mërzitni të shkruani amendamente në ligjin e propozuar nga Qeveria që ju drejtoni. Do të ketë mijëra amendamente dhe të jeni të sigurt që ligji nuk do të kalojë. Meqë ra fjala, a e dini se si dukeni tani me shpalljen e amendamentit? Ju po i dërgoni një mesazh opinionit: Unë kam mendimin tim, por nuk jam dakord me të”, thuhet në reagimin e LD-së.

Nga lidhja Demokratike theksojnë se Qeveria e shkatërroi sistemin e sundimit të ligjit dhe e kërcënon integrimin evropian të Maqedonisë. Në të njëjtën kohë, i bëhet thirrje Bashkimit Evropian që të ndërtojë një qëndrim të qartë në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal, të cilat ulin dënimet për zyrtarët, si dhe ligjin e fundit të propozuar për amnisti, i cili do të amnistojë personat që kryejnë krime të rënda. /Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More