Shkup, 25 korrik – Dihet që moti se skena politike në Maqedoninë e Veriut është e mbingarkuar. Kjo vlen si për spektrin e partive shqiptare, poashtu edhe për spektrin e partive maqedonase, kurse nuk ngecin fare as komunitetet më të vogla, si turqit, romët, boshnjakët, serbët,….
Edhe po të kishte Maqedonia 100 milionë banorë, ky numër partish do të ishte i madh, e lëre më për një vend që ka rënën nën 2 milionë, kur është në pyetje numri i popullsisë.
Jo vetë që janë shumë parti politike, por kur arrijnë periudha turbulente politike, ndahen e përçahen edhe në shumë rryma e fraksione, duke shkaktuar një kaos edhe më të madh politik, shkruan Zhurnal.
Një periudhë të tillë turbulente politike po kalojmë edhe në këto momente.
Ndarjet në partitë tona politike janë nga më të ndryshmet. Një formë e ndasive është në baza lokaliste. Fillon nga një rajon, kundër një rajoni tjetër, për të kaluar më poshtë mes dy komunave të ndryshme, e pastaj mes fshatrave të ndryshme, e deri te ndarjet në nivel mëhallash.
Pyetje që parashtrohet shpesh herë është se kush dhe çka i përçan partitë politike në Maqedoninë e Veriut? Janë dy shkaqe që përmenden: “paraja dhe sevdaja”.
Shkaku i parë përmendet në kuptimin e interest, kurse shkaku i dytë në kuptimin e “shuarjes” së dashurisë së vjetër dhe gjetjes së një dashurie të re (politike). Për shkak të bindjes së gjerë të krijuar në opinion se këto janë dy shkaqet kryesore për përçarje, njerëzit tanë nuk u besojnë edhe përçarjeve konceptuale, që nuk është se nuk ndodhin, sado që janë më të rralla, shkruan Zhurnal.
Këto lëvizje ndodhin në çdo vend evropian dhe të botës. Mirëpo kur përshpeshtohen, si në rastin e Maqedonisë së Veriut, atëherë krijohet bindja se bëhet fjalë për shtet joserioz.
Për këtë arsye duhet kërkuar ilaç për këtë “virus”. Duhet kërkuar “vaksinë” efikase politike, e cila edhe nëse nuk e zhduk tërësisht këtë dukuri negative, atëherë së paku do ta ulë në kufijt e normales.
Një “vaksinë” e tillë efikase pa dyshim se do të ishin listat e hapura të kandidatëve për deputetë. Përmes këtyre listave votuesit do të mund të japin votën e detyre për kandidatë seriozë, e jo për të tillë që në kthesën e parë shkojnë andej kah i çon interesi personal, e jo interesi për të cilin janë zotuar para qytetarëve, kur e kanë kërkuar votën e tyre. /Zhurnal