Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: LSDM-VMRO të lënë inatet për nënkryetar-kuvendi, dhe të pranohet mesazhi i qeverisë!

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 27 gusht – Mbetet ende i paqartë fati i nënkryetarëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, pasi ende nuk është caktuar seancë për zgjedhjen e tyre. Propozimi i deritanishëm është që të ketë 5 zëvendës të Talkat Xhaferit, por ky numër ka shaktuar pakënaqësi sepse konsideorhet i tepërt. Por a i nevojiten Maqedonisë së Veriut 5 nënkryetarë të Kuvendit!

Zaev tërhiqet nga një nënkryetar nëse VMRO DPMNE tërhiqet e para

LSDM-ja do të heqë dorë nga përfaqësuesi i saj në funksionin e nënkryetarit të Kuvendit nëse këtë e bën e para VMRO-DPMNE-ja. Kreu i partisë Zoran Zaev vlerëson se opozita manipulon kur shpalos shqetësimin e saj për numrin e lartë të nënkryetarëve.

Nënkryetarët e Kuvendit përfaqësojnë të gjithë bashkësitë etnike dhe prandaj janë propozuar pesë nënkryetarë të Kuvendit.

Ndërsa, ish deputeti i VMRO-DPMNE-së Ilija Dimovski i bëri thirrje partisë së tij të mos kandidojë nënkryetar të Kuvendit, megjithatë anëtarja e Komitetit ekzekutiv të partisë, ka thënë se nuk do të pranojnë propozimin e Zaevit.

“VMRO-DPMNE nuk do të legjitimojë propozimin e pandershëm të Zaevit i cili është vetëm për koalicion dhe pazarllëqe dhe për këtë arsye nuk do ta pranojë propozimin e tij që VMRO DPMNE të tërhiqet nga posti i nënkryetarit”, tha Dafina Stojanoska, anëtare e KE e VMRO-DPMNE.

Edhe pse partia e Mickoskit nuk e pranon propozimin e Zaevit, akoma nuk ka vendosur nëse do të kandidojë nënkryetar.

Në përbërjen e kaluar kishte gjithashtu pesë nënkryetarë të Kuvendit, por këtë funksion e ushtruan vetëm katër, Goran Misovski, Frosina Remenski, Zekir Ramqilloviq dhe Vesel Memeti. Sipas rregullave të deritanishme, një nga funksionet nënkryetar i Kuvendit i takon partisë më të madhe opozitare. Për të zëvendësuar Xhaferin në seanca plenare nuk është ulur kurrë asnjë nënkryetar tjetër përveç Misovskit. Edhe në paraqitjet publike, kryeparlamentari Xhaferi është zëvendësuar vetëm nga Misovski.

Nënkryetarët paguhen nga 75 deri 80 mijë denarë në muaj, 15 deri 20 mijë denarë më shumë se sa deputetët. Atyre duhet t’u sigurohet kabinet dhe nëpunës të kabinetit gjë që nënkupton shpenzime shtesë nga buxheti i Kuvendit.

Nga sa nënkryetarë kanë vendet e rajonit!

Praktikat nga vendet e rajponit janë të ndryshme dhe pozita e nënkryetarëve është një marrëveshje politike që bëhet ndërmjet palëve. Zakonisht me këtë post, mundohen që të përfshihen grupet e ndryshme parlamentare dhe të bashkësive etnike.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, përveç kryetares Vjosa Osmani, ka edhe 5 nënkryetarë, edhe atë Arbërie Nagavci nga LVV, Kujtim Shala nga LDK, Memli Krasniqi nga PDK, Slavko Simic nga Lista Serbe dhe Fikrim Damka nga Partia demokratike e turve te Kosoves.

Në Shqipëri ku nuk ka shumë blloqe politike dhe pakica kombëtare sikur në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë, ka vetëm dy nënkryetarë të Kuvendit. Krytera i Kuvendit është Gramoz Ruçi, ndërsa në postin e zëvendëskryetarit të Kuvendit janë zgjedhur deputetja Vasilika Hysi (PS) dhe deputeti Myslim Murrizi (grupi parlamentar “Demokrat”).

Parlamenti i Serbisë gjithashtu përveç kryearit ka edhe pesë nënkryetarë, të cilët janë përfaqësues të partive të ndryshme në Kuvend. Numër të njëjtë të nënkryetarëve ka edhe parlamenti i Kroacisë, shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

Ndërkaq Kuvendi i Malit të Zi përveç kryetarit ka edhe tre nënkryetarë, prej të cilëve njëri është nga opozita dhe tjetri është Genci Nimanbegu, përfaqësues i partisë FORCA të popullatës shqiptare që jeton në Mal të Zi.

A është problem të ketë më shumë nënkryetarë?

Nëse analizohen të gjitha Kuvendet dhe përvojat nga vendet e rajonit vlerësohet se çdo vend e ka të rregulluar këtë çështje sipas kushteve dhe karakteristikave të vendit. Shtetet që kanë grupe më të mëdha të interesit, siç janë partitë politike, bashkësitë etnike etj., me qëlim që të kenë përfaqësim më gjithpërfshirës, ofrojnë vende nënkryetarësh edhe për ata.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë është organ përfaqësues i qytetarëve dhe bartës i pushtetit ligjvënës në Republikë. Kuvendi është njëdhomësh dhe përbehet nga 120 deputetë të cilët zgjidhen në zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe të lira me votim të fshehtë. Mandati i deputetëve zgjat katër vjet dhe ata nuk mund të revokohen.

Nënkryetarët bashkëpunojnë me Kryetarin e Kuvendit për realizimin e detyrave të Kryetaritç ata thirren për këshillim nga Kryetari sa herë shihet e nevojshme. Në rast se Kryetari mungon ose është në pamundësi të kryejë detyrat e tij, ai autorizon një nga zëvendëkryetarët për kryerjen e këtyre detyrave.

Seanca për zgjedhjen e pesë nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Veriore nuk është caktuar ende. Kjo kornizë kohore deri në seancën zgjedhore përdoret nga partitë politike për të treguar “shigjeta helmi” tek njëra-tjetra.

Kështu, zgjedhja e nënkryetarëve në legjislaturë vihet në dyshim, të paktën deri në mbajtjen e seancës. Dilema nëse të pestët do të zgjidhen në fund apo në një numër të zvogëluar mbetet akoma për t’u parë deri në seancën e ardhshme parlamentare.

Nëse qeveria dëshiron të jep mesazh shprese se nuk do të keqpërdoren paratë e qytetarëve duhet të zvogëlojë numrin e nënkryetarëve të Kuvendit ngjashëm siç veproi edhe me Ministrat pa portofol, kur vendosi ta largojë këtë pozitë dhe të shkurtojë numrin e ministrave.

Mesazhi duhet të jetë i qartë, prandaj edhe opozita duhet të jetë e sinqertë kundrejt votuesve të saj, se nëse kërkon shkrutim të posteve, për këtë duhet të sakrifikojnë të gjithë, duke përfshirë edhe vetë ata./Zhurnal.mk

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Z H

Lajmet e fundit

Loading...