Agjencia Zhurnal.mk

Editorial / Maqedonia e Veriut të bëjë kujdes nga ndikimi rus!

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 15 shtator – Zhurnal.mk – Ish ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Philip Reeker, i cili tani është në krye të Evropës dhe Euroazisë në Departamentin e Shtetit, tha se rajoni vazhdon të jetë i kërcënuar nga ndikimi rus.

““Ndikimi i dëmshëm rus mbetet i kudondodhur dhe është një sfidë për vendet anëtare të NATO-s, si dhe për vendet jo-NATO”, ka thënë mes tjerash Reeker, i cili ka rikthyer sërish temën e rrezikut nga ndikimi rs në politikat e shteteve të lindjes, e sidomos në Ballkanin Perëndimor.

Maqedonia e Veriut në NATO, ia këput krahët Rusisë

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut treguan se demokracia e vendit ishte në gjendje të mirë. Reeker, i cili mori pjesë në një diskutim panel mbi ndikimin e Rusisë në vendet e Evropës Lindore, tha se asnjë vend nuk ishte plotësisht i sigurt. Ndikimi i dëmshëm rus mbetet i kudondodhur dhe është një sfidë për vendet anëtare të NATO-s, si dhe për vendet jo-NATO. Edhe në Shtetet e Bashkuara, Rusia vazhdon të përpiqet të ndërhyjë në procesin zgjedhor si dhe dhe përmes aktiviteteve të tjera të dëmshme.

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Aleancë ka një rëndësi “të madhe” për NATO-n, si dhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ambasadori Reeker porositë që të gjithë duhet të punojnë së bashku në trajtimin dhe luftimin e ndikimit të dëmshëm rus duke pasur besim të plotë se qeveria në Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë të punojë për të përmirësuar vendin, për t’u përqendruar në marrëdhëniet ndërkombëtare, sigurinë, stabilitetin e sjellë nga anëtarësimi në NATO.

Rusia i dekurajon shtetet nga BE-ja dhe NATO-ja

Rusia në vitet e fundit ka punuar shumë për të kthyer apo për të rritur ndikimin në Evropë, në përgjithësi dhe po ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor. Rusia, në mënyrë specifike, synon që t’i dekurajojë vendet e Ballkanit Perëndimor në dy rrugë, të cilat i aspirojnë ato, anëtarësimin në NATO dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Strategjia aktuale e Rusisë është që të gjitha këto synime të saja t’i bëjë përmes aktorëve lokalë. Në këtë moment, Rusia nuk ka ndonjë synim të prezencës së shtuar ushtarake. Mirëpo, të gjitha synimet e saj është duke i arritur duke punuar me tensionet ekzistuese, pra duke i keqpërdorur situatat konfliktuoze në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe këtë është duke e përdorur si taktikë që t’i rrisë tensionet dhe t’i prishë relacionet.

Ndikimi në vendet e Ballkanit Perëndimor është element i rëndësishëm i gjeopolitikës së Rusisë. Ndër elementet që mundësojnë shtrirjen e këtij ndikimi, janë karakteristikat aktuale që ka rajoni i Ballkanit Perëndimor, siç është faza e tranzicionit të tij, elementet e dukshme të keqqeverisjes në shumë vende, krizat ciklike të përsëritura. Gjithashtu edhe korrupsioni në nivele të larta, krimi i organizuar, pastrimi i parave dhe dukuritë tjera që provokojnë herë pas herë jo-stabilitet, jo-qëndrueshmëri dhe kriza të formateve të ndryshme, janë të gjitha elemente që i hapin dyert mundësisë për t’u rritur prezenca dhe influenca ruse në këtë rajon.

Lufta e ftohtë me taktika

Sekretarit amerikan i Shtetit, Matthew Palmer patë deklaruar se “synimi i Shteteve të Bashkuara, i Bashkimit Evropian dhe i vendeve të rajonit është i njëjtë – përparimi, por, ndikimit rus, në anën tjetër, më shumë i konvenon që në këto vende të ketë korrupsion dhe gjendje të paqëndrueshme”.
Rusia, dëshiron ta shohë rajonin të ndarë dhe me tensione dhe se ajo “do të vazhdojë me veprimet e saj si deri më tash dhe me ndikim negativ”.
Rast i freskët është ai në Malin e Zi, në vitin 2016, ku dy shtetas rusë, së bashku me disa të tjerë, kanë bërë komplot për të rrëzuar Qeverinë e Malit të Zi.

Rusia, në një masë të caktuar, ka arritur të shtrijë ndikimin edhe në disa nga vendet që janë anëtare të Bashkimit Evropian, por, Ballkani Perëndimor është aktualisht një arenë e përplasjes ndërmjet Rusisë, në njërën anë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, në anën tjetër.

Aktualisht kemi një luftë të ftohtë të shekullit 21, me taktika të reja dhe teknologji të reja, të cilat po i përdor Rusia në këtë rajon.

Marrëveshja Kosovë-Serbi e fundosi ëndrrën ruse

Konflikti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës shpesh është përkufizuar si arena kryesore e betejës së madhe gjeopolitike ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe është njohur nga mbi 110 vende të botës, por jo nga Serbia, Rusia dhe pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian. Aty përmendet edhe hedhja e ideve për shkëmbim territoresh ndërmjet të dyja vendeve, qëndrimet kundërshtuese të Gjermanisë ndaj kësaj ideje dhe qëndrimit amerikan për mbështetjen e “çdo zgjidhjeje paqësore”.

Rusia është një faktor i pashmangshëm për shkak të së drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në të cilin nënvizohet qëndrimi i saj kundërshtues ndaj ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe pavarësisë së Kosovës që i sheh si “një fyerje të drejtpërdrejtë ndaj fuqisë së Rusisë në sferën e saj tradicionale të ndikimit” në rajon.

Ndërsa shpall lidhjet e ngushta me Moskën, Serbia ende synon anëtarësimin në BE, por jo me entuziazmin e dikurshëm.

Rusia kundërshton fuqishëm zgjerimin e NATO-s në Ballkan, ndërsa nuk shpreh shqetësim për zgjerimin e BE-së në rajon. Kremlini kërkon rrugë për të dëmtuar BE-në dhe Ballkani Perëndimor është një arenë e mirë për këtë qëllim.

Retorika pro-Putin dhe kundër-Perëndimit është intensifikuar përmes një rrjeti vendor të këtij narracioni, në të cilin janë të përfshirë partitë politike dhe aktorët individual politikë.

Lidhjet e biznesit janë një faktor me rëndësi në marrëdhëniet e Serbisë me Moskën, dhe ka një “ide në Serbi se Rusia është investuesja më e madhe”, ndonëse të dhënat flasin ndryshe.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit, Donald Trump, është goditja më e fortë e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor dhe me këtë formë i prehen krahët ndikimit të lindjes.

Edhe qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet të mbajë ngushtë agjendën e saj drejt integrimit në BE, dhe në këtë formë të ruajë sigurinë dhe stabilitetin e saj, duke u bërë faktor paqeje në rajon. Përpjekja për ndikim rus do të jetë gjithmonë, por nëse të gjithë aktorët politik vazhdojnë të përmbushin detyrat e BE-së dhe aleancës me SHBA-në, do të zbehin dhe do të këpusin ndikimin e Rusisë. Në të kundërtën, dëmi që mund të shkaktojë influenca dhe politika ruse për rajonin do të jetë e madhe dhe e parikuperueshme./Zhurnal.mk

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Z H

Lajmet e fundit

Loading...