Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Me 30 deputetë, a garantohet posti i “Kryeministrit” !?

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 12 qershor – Ideja e lançuar që shqiptarët të kenë për herë të parë postin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut ka ngritur shumë pyetje nëse kjo është vetëm një megaide që të përdoret për fushatë zgjedhore ose ekzistojnë kushte reale që të realiozhet ky qëllim madhor? Nëse bashkohen të gjithë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe dalin me listë të përbashkët zgjedhore, sipas modelit të deritanishëm zgjedhor mund të fitojnë 30-31 deputetë. Shtrohet pyetja se a mundet me këtë numër të deputetëve, të nominohet kandidat për kryeministër shqiptarë!

BDI e zyrtarizoi kërkesën – vijojnë reagimet

Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka dalë edhe zyrtarisht me kërkesën për zgjedhjen e kryeministrit të parë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Përmes një video-mesazhi në rrjetin social Facebook, Ali Ahmeti, partia e të cilit është pjesë e qeverisë, ka thënë se pas zgjedhjeve të reja, kryeministër i vendit duhet të zgjidhet një shqiptar, i cili, siç tha ai, do të angazhohet për barazi të të gjithë qytetarëve.

 “Kryeministri i parë shqiptar do të udhëheqë një gjeneratë të re të politikës, duke përfaqësuar një shoqëri të barabartë dhe duke udhëhequr Maqedoninë e Veriut drejt një të ardhmeje të begatë, si vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian. Një kryeministër, i cili unifikon dhe që do të nisë një epokë të re, jo vetëm në historinë shqiptare, por edhe në historinë e Maqedonisë së Veriut, madje edhe në historinë e Evropës”, ka deklaruar Ahmeti, pa dhënë sqarime se si do ta realizojë këtë synim.

Propozimi për kryeministrin e parë shqiptarë nga ana e BDI-së në opinion ishte paraqitur javën e kaluar dhe në reagimin e tij të parë, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, kishte deklaruar se kryeministër do të jetë vetë ai në rast të fitores në zgjedhje, ndërsa BDI-në e paralajmëroi se me ide të tilla, të mos llogarisë se do të mund të jetë pjesë e qeverisë së re.

Ndërsa Aleanca për Shqiptarët, parti shqiptare në opozitë, kishte deklaruar të martën se propozimi i BDI-së është si pasojë e rënies së popullaritetit të saj, të cilin synon ta ngritë me propozime të tilla.

Çfarë thotë Kushtetuta!

Në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, në nenin 90 theksohet se “presidenti i Republikës, mandatin për formimin e qeverisë ia beson kandidatit të partisë, përkatësisë, partive që kanë shumicën në kuvend”.

BDI-ja, por edhe partitë tjera politike shqiptare deri më tani asnjëherë nuk kanë dalë si parti e parë apo e dytë fituese në zgjedhje. Mandatin për formimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në vazhdimësi e kanë marrë njëra nga dy partitë maqedonase: Lidhja Sociale Demokrate (LSDM) apo VMRO-DPMNE.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut momentalisht udhëheqin me një nga tre postet më të larta në shtet, atë të kryetarit të kuvendit, të cilin e ushtron, Talat Xhaferi.

Edhe me 30 deputetë, s’garantohet kryeministri

Kryetari i BDI-së, Ahmeti, në fjalimin e publikuar në profilin e tij në Facebook, është shprehur se kandidati për kryeministër duhet të jetë një personalitet i pranueshëm për të gjithë, andaj u bëri thirrje të gjitha partive tjera që të mbështesin propozimin e tij.

“Tani është koha. Është koha për t’u bashkuar, koha për të vepruar përsëri së bashku. Kjo është një thirrje për të gjitha partitë shqiptare dhe të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të tjerët, për të mbështetur kauzën tonë, e cila është më e madhe se të gjithë ne. Tani është koha për ta bërë së bashku historinë”, ka theksuar Ahmeti.

Por, si qëndron e vërteta me bashkimin e votave!

Nga jeta e deritanishme politike në Maqedoninë e Veriut, të gjithatë parti shqiptare asnjëherë nuk janë bërë bashkë për të pasur një listë zgjedhore. Gjithashtu, nga modeli i deritanishëm zgjedhor shqiptarët nuk kanë pasur më shumë 25 deputetë nga 120 sa janë gjithsej, pasi votat nga partitë e vogla humben dhe primatin e marrin çdoherë koalicionet dhe partitë e mëdha. Ky sistem ka bërë që shqiptarët vazhdimisht të apelojnë për bashkim, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Në zgjedhjet e ardhshme, koalicion parazgjedhor ka paralajmëruar Aleanca për Shqiptarët me Alternativën, ndërsa BESA ka nënshkruar koalicion parazgjedhor më LSDM-në e Zoran Zaevit. BDI dhe PDSH kanë njoftuar se do të shkojnë të vetme në zgjedhje, ndërsa VMRO DPMNE ka mbledhur si gjithmonë partitë më të vogla të djathta maqedonase. Kalkulimet e deritanishme janë se maksimumi që shqiptarët mund të grumbullojnë vota është arritja e 30-31 deputetëve, me kushtin e vetëm që ata të gjithë të bashkohen në një listë zgjedhore.

Duke e pasur parasysh Kushtetutën, presidenti edhe në këtë rast nuk do të mund t’ia jepte mandatin të nominuarit për kryeministër nga shqiptarët, sepse ky do të ishte ndoshta i treti në renditje. Për të ardhur në rend të shqyrtohet emri i kryeministrit shqiptarë, do të duhej që dy partitë që do të dalin të parat, të tërhiqen me arsyetimin se nuk mund të formojnë qeveri, ndërsa shqiptarët të garantojnë se kanë 61 deputetë, të cilët do ta mbështesin kandidatin e tyre për kryeministër.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev menjëherë ka reaguar dhe ka sqaruar se as nuk bëhet fjalë që ata mund të mbështesin një kandidat për kryeministër shqiptarë, pasi ai vetë do të jetë kandidat për kryeministër  i Maqedonisë së Veriut.

Kjo, nënkuptuan se edhe nëse shqiptarët do të dilnin të gjithë së bashku në një listë zgjedhore, e kjo as që mund të ndodhë, pasi veç se më janë  formuar koalicionet parazgjedhore, sërish nuk do të mund të garantonin pozitën e kryeministrit shqiptar.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...

Regjistrim Domain, Ueb Hosting, Uebfaqe për kompaninë tuaj, vetëm për    273 euro

error: Content is protected !!