Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Më pak folklorizëm dhe patriotizëm të rrejshëm në fushatën parazgjedhore!

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 18 nëntor – Në prag të fillimit të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut që do të mbahen më 12 prill, partitë politike kanë intensifikuar bisedimet për formimin e koalicioneve parazgjedhore.

Në bllokun politik maqedonas koalicionet midis partive politike pothuajse nuk ndryshojnë shumë nga zgjedhjet e mëparshme, pasi LSDM dhe VMRO i bashkojnë afër vetes të gjitha partitë e vogla, me qëllim që mos të humben votat e tyre. Deri më tani nuk ka paralajmërime se ndonjëra nga partitë maqedonase e një krahu politik do të kalojë në koalicion në krahun tjetër politik.

Partitë shqiptare ende taktizojnë

Edhe pse në debate të ndryshme, partitë politike shqiptare kanë paralajmëruar se në zgjedhjet parlamentare mund të dalin vetë për ta provuar forcën, një gjë e tillë nuk do të ndodhë pasi analizat partiake kanë konstatuar se me formimin e koalicioneve parazgjedhore, shansi për të fituar zgjedhjet do të jetë më i madh.

Partia shqiptare në pushtet, BDI mund të shkojë e vetme në zgjedhje, por nuk përjashtohet mundësia që asaj t’i bashkohet edhe ndonjë parti më e vogël. Ata gjithsesi presin se si do të luajë opozita shqiptare.

Ndërkaq, takime publike ku është shprehur gatishmëria për bashkëpunim kanë ndodhur ndërmjet partisë “Aleanca për Shqiptarët” dhe “Alternativës”. Dy kryetarët Zijadin Sela dhe Afrim Gashi, pohojnë se janë dakordësuar për parimet e bashkëpunimit, por ende nuk kanë ndarë përfundimisht detyrat dhe përgjegjësitë.

BESA e drejtuar nga Bilall Kasami ende është në vëzhgim të situatës dhe kurrësesi nuk mund ta gjejë veten në bllokun e partive opozitare.

PDSH gjithashtu është ende pa qëndrim final se çfarë do të bëjë më tutje. Ata e dinë se të vetëm mund të dështojnë, ndërkaq të shkojnë në koalicion me BDI-në e vlerësojnë akt të panatyrshëm dhe të palogjikshëm, për shkak të rivalitetit dhe opozitarizmit që e kanë pasur gjithmonë në vitet e fundit.

Mungojnë programet, synim vetëm pushteti

Pavarësisht kalkulimeve politike për koalicione parazgjedhore, partitë nuk orientohen nga ineresi i qytetarëve, por nga interesi dhe inati i individëve partiakë. Në çdo sistem normal demokratik, afrimi i një partie me një tjetër ndodhë për shkak të ideologjive të ngjashme, programeve të përafërta ose interesit të përbashkët.

Në Maqedoninë e Veriut historia ka treguar se partitë nuk e kanë në plan të pari interesin e qytetarëve dhe nuk mbajnë vijën e bashkëpunimit ndërmjet ideologjive, shpeshherë majtiste apo djathtiste, pornë çdo cikël zgjedhor ata i ndryshojnë partnerët pavarësisht rrethanave dhe situatave që krijohen në politikë.

Deri më tani ende nuk u dëgjua se një parti do të bashkëpunojë më ndonjë parti tjetër për shkak se kanë programe të ngjashme, por të gjithë flasin për bashkëpunim me qëllim të dëmtimit të palës tjetër.

Programet politike pa folklorizëm e partiotizëm të rrejshëm

Integrimi i vendit në strukturat euro-atlantike është prioriteti i vetëm që qëndron në të gjitha programet e partive politike dhe duket se vetëm në këtë pikë bashkohen të gjithë.

Sa i përket partive shqiptare ndër premtimet kryesore është angazhimi për promovim të vlerave kombëtare, zyrtarizim të plotë të gjuhës shqipe dhe të drejta të barabarta me popullatën maqedonase. Në programet e partiveshqiptare pritet që të ketë edhe premtime për ndarje të barabartë të buxhetit, pikë kjo e vënë edhe në të kaluarën, por që nuk u përfill asnjëherë siç duhet. Sigurisht, pjesë e programeve pritet të jetë edhe lufta kundër rasteve të montuara politike dhe jodiskriminim në sistemin e drejtësisë.

Ndërkaq, partitë maqedonase më së shumti pritet t’i gërshetojnë përplasjet sa i përket identitetit maqedonas, lëshimet/përparimet që janë bërë me Marrëveshjen për ndryshimin e emrit me Greqinë dhe fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, si dhe dështimi për fillimin e hapjes së negociatave për integrim në BE.

Pikat më të nxehta të fushatës zgjedhore pritet të jenë reformat në drejtësi, akuzat për korrupsion, ikja e të rinjëve, zhvillimi ekonomik,rritja e tatimit, jeta sociale, arsimi i dobët, problemet në shëndetësi etj.

Nuk pritet që të ketë përplasje dhe gjuhë të shtuar të urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe sidomos të kërkesave të tyre, pasi çdonjëra nga partitë maqedonase është e vetëdijshme se nuk do të mund të formojë qeverinë pa e pasur mbështetjen e partive shqiptare.  

Deklaritivisht të gjithë angazhohen për proces zgjedhor pa dhunë, të drejt dhe të ndershëm, por pastrimi i listave zgjedhore, vendimet për një ose më shumë njësi zgjedhore mbeten plagë e sistemit të tanishëm zgjedhor.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...