Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Mickoski me deklarata “alla Gruevski”

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 21 janar – Siç po afrohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare njëashtu po nxehet tema e çështjes së “Marrëveshjes së Prespës”, me të cilin Maqedonia e ndryshoi emrin në Maqedoninë e Veriut. Kjo Marrëveshje duket se nuk iu pëlqen as maqedonasve, por as grekëve dhe po kthehet në agjendën e partive politike maqedonase.

VMRO DPMNE “nëse fitojmë 81 deputet, do ta ndryshojmë Marrëveshjen e Prespës”, deklarata alla Gruevski

Duke e parë këtë moment emotiv dhe pakënaqësinë tek qytetarët, nga VMRO DPMNE kanë filluar të deklarohen se do ta rishikojnë dhe ndryshojnë sërish “Marrëveshjen e Prespës” në qoftë se ata fitojnë dy të treta të votave. Nga partia opozitare maqedonase nuk tregojnë se çfarë mund të ndryshojnë në këtë Marrëveshje, e cila i zhbllokoi dyert e vendit për t’u anëtarësuar në NATO dhe në  Bashkimin Evropian. Më herët vetë përfaqësues të opozitës kishin deklaruar se është fakt i vërtetë se një Marrëveshje më e mirë nuk mund të arrihej asnjëherë me grekët. Por, tani  kur interesi për vota është i madh në fushatë zgjedhore gjithçka thuhet. Një gjë është fakt interesant se partia e Mickovskit po përdorë të njëjtën gjuhë nacionaliste siç bënte dikur Gruevski. Me pretekstin se nëse kemi 81 vota mund ta ndryshojmë Marrëveshjen e Prespës, kërkon të manipulojë popullatën, në mënyrë të njëjtë siç bënte Gruevski kur kërkonte 61 deputetë nga maqedonasit që mos të jetë i varur nga shqiptarët. Kjo edhe ndoshta mund të këtë efektin e vet te votuesit maqedonas, por është fakt i vërtetë se një gënjeshtër të tillë nuk duhet ta besojë as naivi më i madh pasi Marrëveshja e Prespës është shumë e vështirë të ndryshohet.

Edhe Micotakis manipulonte si Mickovski

E njëjta histori ishte në Greqi para zgjedhjeve parlamentare. Atë botë kryeministri i tanishëm Kirjakos Micotakis hapur thoshte se pas zgjedhjeve do ta ndryshonte “Marrëveshjen e Prespës”, por në momentin që erdhi në pushtet ai tha se do ta respektojë atë pa u përpjekur për ta ndryshuar pasi një Marrëveshje më e mirë nuk mund të arrihej. Ai kur ishte në opozitë e dinte se një gjë e tillë është vëhstirë për ta realizuar, por sërish për interes të votave të personave të pakënaqur e thoshte se Marrëveshjen do ta ndryshojë. Me ardhjen në pushtet u pa qartë se ai këtë e kishte bërë vetëm për marketing politik dhe aspak nuk ishte një premtim i sinqertë.

LSDM argumenton nënshkrimin e Marrëveshjes

Megjithëse kjo marrëveshje hap rrugën për anëtarësimin e vendit në NATO dhe fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, qeveria dhe opozita në fushatën e ardhshme zgjedhore do të diskutojnë pikat e forta dhe të dobëta të saj. Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, tha dje se pezullimi i Marrëveshjes së Prespës me Greqinë do të ishte i rrezikshëm dhe mund ta rikthejë vendin 25 vjet pas. Ai tha se nuk beson në fitoren e VMRO-DPMNE-së në këto zgjedhje, e aq më pak se kjo parti do të fitojë shumicën e 2/3 për të ndryshuar Marrëveshjen.

Zaev shtoi se anulimi i Marrëveshjes është një çështje e rrezikshme dhe kjo është arsyeja pse i gjithë publiku demokratik dhe LSDM-ja janë këtu për të garantuar se Marrëveshja e Prespës do të jetojë dhe të sjellë një të ardhme për vendin tonë.

Sidoqoftë, për publikun më të gjerë, përdorimi i Marrëveshjes së Prespës në një fushatë politike nuk është asgjë e re. Dispozitat e kësaj Marrëveshjeje, të nënshkruar në qershor 2018, ishin një pjesë integrale e fushatës parazgjedhore të vendit, përkatësisht zgjedhjet presidenciale të vitit 2019.

Ahmeti: BDI është garantuese e Marrëveshjes së Prespës

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti gjatë një takimi në Ambasadën Amerikane në Shkup kur ishte takuar me Metju Pallmer, zv. Ndihmës sekretar i shtetit amerikan pat theksuar se BDI është garantues i Marrëveshjes së Prespës, asaj të Ohrit dhe marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë nga çka nuk ka kthim pas në asnjë rrethanë.

Nga BDI kanë theksuar gjithashtu se nëse VMRO DPMNE i fiton zgjedhjet dhe kërkon të bëjë koalicion me këtë parti, atëherë një ndër kushtet kryesore do të jetë respektimi i Marrëveshjes së Prespës, si dhe qëndrimi në rrugën euro-atlantike.

Në qëndrim të njëjtë janë edhe partitë tjera shqiptare që nuk do të përkrahin çdo kthim mbrapa për Marrëveshjne e Prespës.

Manipulime parazgjedhore – Marrëveshja e Prespës s’ka shansa të ndryshohet!

Pavarësisht se sa dëshiron që VMRO-DPMNE ta anulojë, rishikojë, shfuqizojë ose çfarëdo që të mendojë se mund të bëjë me Marrëveshjen e Prespës nuk do të ndodhë. Kjo Marrëveshje ka marrë mbështetje të madhe ndërkombëtare dhe  thjesht nuk do të jetë në gjendje të kërkojë mbështetje nga asnjë forcë politike në nivel ndërkombëtar. Faktori ndërkombëtar, sidomos perëndimi është i kyçur aktiv në të gjitha proceset politike në Maqedoninë e Veriut dhe nuk do të lejohet askush të luajë me ndenjat e popullit dhe me të ardhmen e vendit në formën siç po e bën VMRO DPMNE.

Pa Marrëveshjen e Prespës, do të humbet mbështetja nga partnerët tanë strategjikë, do të ketë bllokada të reja nga Greqia, do të ketë paqëndrueshmëri të re tëbrendshme dhe rreziqet për konflikte do të rishfaqen sërish.

Gjithashtu, është thelbësore të dihet se asnjë parti politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk  do të përkrahte ndryshime të Marrëveshjes, kurse pa parimin e “badinterit” që dmth pa pëlqimin e shqiptarëve nuk do të mund të ndryshojë asnjë vendim që kërkon votim të dyfishtë. Mickoski e di edhe këtë fakt, por ai vazhdon të manipulojë. Mickoski e di se pa këtë Marrëveshje ashtu siç është dhe pa një zgjidhje për emrin e Maqedonisë nuk ka as anëtarësim në NATO dhe as në Bashkimin Evropian. Këtë e dinë të gjithë, por sërish opozita manipulon me emocionet e njerëzve që është tragjike në veprimet politike.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...