EDITORIAL / Mickovski i rënë pre e “Levicës”, po tenton të bëhet më “katolik se Papa”!

nga Redaksia

Shkruan Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 15 gusht – Përkundër të gjitha përpjekjeve dhe luftës së pakompromis me Bullgarinë, që Maqedonia e Veriut t’i fillojë negociatat me Bashkimin Evropian, tani pengesë kryesore është bërë opozita maqedonase. Nëse deri dje duhej që të bindeshin ndërkombëtarët se sa është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut mos të ngecë në rrugën e integrimit, tani problemi kryesor është që të bindet partia e Mickoskit me argumente se Maqedonia e Veriu nuk humb asgjë, por vetëm se fiton e forcohet edhe më shumë duke u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

VMRO DPMNE në emër të mbrojtjes së Kushtetutës, por e dëmton integrimin e Maqedonisë së Veriut
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka theksuar se Bullgaria do të vazhdojë të paraqesë kërkesa tjera të njëpasnjëshme prandaj këtë e quan një dështim të pushtetit në mos arritjen që të mbrojë siç duhet interesat maqedonase. Ai tha se pushteti është i korruptuar dhe për këtë arsye nuk ka kredibilitet që t’i mbrojë interesat shtetërore.

“Do të paralajmëroj edhe për një proces që po përpiqet ta udhëheqë qeveria, që do të thotë se Evropa po na detyron ta bëjmë këtë. E pasaktë. Evropa nuk na detyron, këtu nuk duhet t’i nënshtrohemi atij provokimi të autoriteteve, pamundësisë së tyre për ta mbuluar me pretendimin se po na detyron Evropa. Evropa ka synime të ndershme dhe ia ka hapur dyert Maqedonisë. Unë besoj në ato synime, por e di kush ka qëllime të pandershme, e kjo është qeveria në Sofje dhe kjo qeveri e jona jo e besueshme dhe e korruptuar”, tha Mickoski.

Ai theksoi se për këtë VMRO-DPMNE e kundërshtoi dhe do të vazhdojë ta kundërshtojë këtë proces ku qëllimi i vetëm është asimilimi i popullit maqedonas, gjegjësisht bullgarizimi.

Mickoski gjithashtu e konsideroi veten dhe partinë e tij si gardian e asimilimit të maqedonasve, ose mos lejimin e bullgarizimit të tyre. E mbi të gjitha, Mickoski tha se ai dhe partia e tij VMRO DPMNE nuk do të lejojnë në asnjë moment ndryshimin e kushtetutës.

“Nuk është evropianizim. Prandaj tani barriera e parë është pandryshueshmëria e Kushtetutës. Edhe pse autoritetet do të vazhdojnë me deklaratat dhe presionet se ka pasur deputetë që do të votojnë. Nuk ka, me çmimin e karrierës sime profesionale dhe politike”, tha Mickoski.

VMRO DPMNE ka rënë nën ndikimin e “Levicës”

Çfarë po ndodh me VMRO DPMNE-në! Pas ikjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në partinë më të madhe opozitare filloi një lloj reformimi, duke ardhur në skenë krejtësisht politikanë të rinj, pa ndonjë bagazh korruptiv, me orientim pro-evropian, të moderuar në qëndrimet e tyre, të cilët kishin synim që të arrijnë në pushtet përmes projekteve ekonomike, punësimit, mirëqenies së qytetarëve dhe sigurisht duke ruajtur interesin kombëtar maqedonas.

Kjo VMRO DPMNE e kishte kuptuar njëherë e përgjithmonë se në Maqedoninë e Veriut ata nuk do të mund kurrë të udhëheqin me shtetin nëse nuk kanë bashkëpunim të mirëfilltë e transparent me shqiptarët. Dhe pikërisht për këto arsye, ata filluan t’i hapin dyert edhe për simpatizantë shqiptarë, edhe të bashkëpunojnë me partitë opozitare shqiptare, edhe të japin deklarata për mediat shqipe, edhe të jenë më shumë prezent në lagjet shqiptare dhe kryesisht të japin një mesazh për funksionim qytetar të shtetit.

Por në fakt ndodhi krejtësisht e kundërta! Mickoski i gjendur në ndikim të rritjes së popullaritetit të partisë “e Majta” të Apasievit dhe humbjes së shumë mbështetësve “radikalë” “ultra-nacionalist” nga partia e tij, u fut në lojën e njëjtë të liderit të së “Majtës”. Në vend se të flasë me gjuhën e moderuar dhe gjuhën e projekteve, ai filloi me gjuhën e nacionalizimit dhe radikalizimit, ose siç thotë populli duke u bërë më “katolik se Papa”.

Mickoski në këtë mënyrë e humbi idenë se pse kishte ardhur në krye të partisë së tij, dhe nga një lider i opozitës, u bë vegël e radikalizmit politik të Apasievit dhe partisë së “Majtë”.

A është VMRO DPMNE gardian i nacionalizimit maqedonas!

Është pikërisht kjo VMRO DPMNE që pas marrëveshjes së Prespës pat deklaruar se në momentin kur do të vijë në pushtet do të ndërmerr hapa për ta zhbërë këtë Marrëveshje dhe në këtë mënyrë do ta rikthejë emrin “Republika e Maqedonisë” nga emri aktual zyrtar “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Tani ky premtim i kotë me të cilin bënte zhurmë Mickoski as që përmendet fare, sepse ai bashkë me bashkëpunëtorët e tij është i vetëdijshëm se kjo gjë nuk mund të ndodhë.

Ai është i vetëdijshëm se Maqedonia e Veriut u bë pjesë e NATO-së dhe me këtë u garantua siguria, paqja dhe sovraniteti territorial i shtetit, e që në rrethana të sotme të luftës Ukrainë-Rusi është më mirë e kuptueshme se përse Maqedonia shpejtonte sa më shpejt të bëhet anëtare e kësaj organizate.

Tani kur ka ardhur koha që të ndryshohet kushtetuta dhe populli bullgar që jeton në Maqedoninë e Veriut së bashku me kroatët dhe malazezët të bëhen pjesë e kushtetutës, Mickoski i rënë në ndikim të së “Majtës” mundohet të luaj rolin e gardianit të interesave maqedonase. Në fakt sërish ai futet në një kurth politik, sepse kurrë më parë VMRO DPMNE nuk ka qenë kundër futjes në Kushtetutë të popullit kroat dhe atij malazez që jeton në këtë vend. Kështu që për “inat” të futjes së popullit bullgar, ai pengon edhe futjen në kushtetutë të kroatëve e malazezëve, që është një kërkesë e kamotshme e këtyre dy shteteve (edhe maqedonasit njihen si pakicë në Kroaci).

Nëse Mickoski kalkulon me vota, se bashkësia bullgare në Maqedoninë e Veriut nuk do ta votojë atë në zgjedhjet e ardhshme, kjo është gabim në hapa të mosnjohjes së proceseve politike, sepse nuk e detyron askënd me dhunë të të votojë politikisht, por duhet ta përfitosh atë dhe t’i bësh oefrtën e nevojshme politike.

Në emër të mbrojtjes së gjoja interesave kombëtare maqedonase, Mickoski bën gabimin e madh, duke i armiqësuar maqedonasit edhe me bullgarët, edhe me kroatët, edhe me malazezët, por edhe me etnitë tjera, vetëm e vetëm duke kalkuluar me lojëra të ulëta politike.

Mickoski po shndërrohet në lider “diktatorial”

Maqedonia e Veriut pa Bashkimin Evropian nuk mund të zhvillohet vetvetiu dhe për këtë ka shumë faktorë, qoftë në rrafshin gjeostrategjik, qoftë në mospasjen e kapaciteteve prodhuese e drejtuese, por edhe në mospasjen e fondeve të mjaftueshme për tranzicionin e duhur.

VMRO DPMNE duhet të kthjellet sa më parë dhe të kuptojë se në familjen e madhe evropiane ka vend për të gjithë, edhe për bullgarët, edhe për maqedonasit, edhe për shqiptarët, edhe për kroatët e malazezët. Integrimi në Bashkimin Evropian duhet të ndodhë sa më shpejtë, duke i hapur dyert e zhvillimit të këtij vendi.

Një parti që i kërcënon deputetët e saj me deklarat të nënshkruara noteriale dhe një lider i tillë partie që nuk i lejon edhe deputetët e tij të mendojnë hapur për integrimin, nuk jep asnjë shenjë tjetër përveç se në të ardhmen mund të kthehet në një “diktator” e në një lider “regjimi”. Demokracia dhe e drejta për të menduar ndryshe duhet të zhvillohet edhe brenda një partie dhe deputetët e zgjedhur me vota të popullit nuk mund të mbahen peng e inateve dhe ideologjive të çoroditura të disa segmenteve partiake./Shkruan Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More