Shkup, 4 korrik – Muaji qershor e korrik janë muajt kur shumë të rinj vendosin për fatin e jetës së tyre. Nxënësit regjistrohen në shkollat ku planifikojnë, ndërsa maturantët kërkojnë të studiojnë atje ku mendojnë se në të ardhmen mund të kenë një jetë më të mirë. Fatmirësisht, në Maqedoninë e Veriut është zhdukur teoria e viteve më parë kur shumë të rinj e të reja nuk shkonin në fakultet e në shkolla të mesme. Pas vitit 2001, shqiptarët nuk kanë më arsye të ankohen se kanë mungesë të universiteteve në gjuhën shqipe. Sot mundësitë janë të mëdha dhe tek populli është krijuar vetëdija se pa shkollim të mirëfilltë nuk ka përparim, shkruan “Zhurnal”.
Sipas të dhënave statistikore, numri i studentëve sivjet është rritur me 4.2 për qind se sa vitin e kaluar akademik. Numri më i madh i të diplomuarve zgjodhën universitetet shtetërore, më shumë se 77 për qind e numrit të përgjithshëm të studentëve të sapo regjistruar. I pari në listë është “Shën Kirili dhe Metodi” ku janë regjistruar 21 448, ndërsa më së shumti studentë ka në fakultetin e shkencave të informatikës ku janë regjistruar 4468 studentë të rinj.
Ndërsa aktualisht tërheqës nga universitetet shtetërore është ende Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, i cili ka numrin më të madh të studentëve të mjekësisë, gjithsej 3.309, ndërsa pasojnë pasuar nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip me 3.149 studentë, dhe në fund Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup me 2898 studentë.
Universiteti i dytë më i madh mbetet ku interesimi është më i madh është për fakultetet e Universitetit të Tetovës, ku vitin e kaluar akademik janë regjistruar gjithsej 7918 studentë, ndërsa prej tyre 5134 janë femra, shkruan “Zhurnal”.
Ndër universitetet private, më i pëlqyeri është Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, ku janë regjistruar 2088 studentë, i ndjekur nga Kolegji Amerikan dhe i treti në listë është universiteti FON.
Në fakultetet fetare të Ortodoksëve në Shkup nga viti i kaluar janë regjistruar 81 studentë të rinj, ndërsa në Fakultetin e Shkencave Islame 248 studentë.
Kur i sheh gjithë këta studentë që marrin udhën e dijes, çdonjërit i bëhet zemra mal, sepse kjo ishte një ëndërr e kamotshme. Por, fatkeqësia tek studentët dhe të rinjtë në Maqedoninë e Veriut, e sidomos te shqiptarët është se nuk ka një koncept të qartë se ku duhet të profilizohen që në të ardhmen mos të ketë probleme sigurimin e vendeve të punës. Një dukuri e çuditshme ndodhë me neve, që dikur të gjithë dëshironin të studionin gjuhë e letërsi, ose pedagogji, pastaj juridik e ekonomi, e së fundmi të gjithë shkojnë në degën e mjekësisë. Kjo mospasje e një planifikimi të mirëfilltë pastaj shkakton “tërmet” në momentin kur këta të diplomuar duhet të punësohen. Dhe, pikërisht për këto fajtorë, ndodhë që të kemi të diplomuar, me master dhe me doktoraturë që do të duhet të shesin në tezgat e “Bit Pazarit”!, shkruan “Zhurnal”.
Nga hulumtimet paraprake që bëhen, rreth 21% e studentëve kanë vendosur që të largohen dhe të kërkojnë mundësi studimi jashtë vendit. Cilësia e programeve të studimit e vlerësimet e universiteteve janë ndër shkaqet për të cilat të rinjve kanë vendosur që të ikin jashtë për të gjetur programe më të mira studimi. Vendet më atraktive për studime janë Bullgaria dhe Sllovenia, por edhe vendet e Evropës perëndimore.
Të dhënat e fundit të hulumtimit “Migrimi i të rinjve, arsimimi”, tregon se interesimi i të rinjve për të studiuar jashtë vendit pothuajse është dyfishuar, gjegjësisht nga 13% sa ishte para 5 vitesh, tani kjo përqindje ka arritur në 21%.
Motivet e të rinjve për të studiuar jashtë vendit kryesisht kanë të bëjnë me perspektivat dhe disa kritere ekonomike. Të rinjtë janë shprehur se faktori ekonomik është faktor kyç për migrimin dhe ndërtimin e një karriere profesionale jashtë vendit.
Nuk do të thotë se këta studentë që do të studiojnë jashtë vendit do të emigrojnë përgjithmonë, por shanset dhe tendencat për një gjë të tillë janë shumë të larta. Emigrimi i përkohshëm i cili do lidhej me plotësimin e arsimit, pra kalimin nga arsimi i mesëm në atë të lartë, po shkon drejtë emigrimit të përhershëm në të ardhmen, sepse të rinjtë integrohen në vendin ku mësojnë, krijojnë lidhje të mjaftueshme, kanë mundësi punësimi dhe kjo në fund nënkupton se ata do të qëndrojnë atje, shkruan “Zhurnal”.
Në këtë mënyrë ka lëvizje demografike dhe Maqedonia e Veriut zbrazet, ndërsa Sllovenia për shembull mbushet me studentë dhe rezidentë nga e gjithë bota. Shembull më i mirë se si të krijohen politikat arsimore është Sllovenia, e cila ka arrit në përfundimin se nuk duhet vetëm një politikë arsimore klasike, por një strategji klasike, demografike e tyre, që të mbajnë gjallë vendbanimet e tyre.
Të gjitha vendet kanë probleme me potencialet demografike dhe ajo që zhvillon vendin është rinia e cila siguron që të ketë perspektivë në të ardhmen.
Prandaj, është koha që të kemi një sistem të mirëfilltë të arsimimit, të klasifikimit, të programeve cilësore studimore, duke iu treguar të rinjve se mos të turren e të vrapojnë të gjithë në një drejtim, por të shohin se ku është e ardhmja më e mirë për punësimin e tyre. Profesorët, shkollat e mesme por edhe Ministria e Arsimit duhet t’iu japin kahe të rinjve se nga ata duhet të shkojnë në të ardhmen. Duhet t’iu tregojnë se në cilin drejtim po shkon bota dhe çfarë do të jenë profesionet e duhura në 5, 10 apo 20 vitet e ardhshme! Pa vizion të qartë në arsim, nuk do të kemi zhvillim cilësor!