Shkruan, Agjencia Zhurnal.mk
Shkup, 24 prill – Përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut është thuajse tema më e nxehtë që çdoherë kur preket shkakton shpërthime në dy kampet politike, tek shqiptarët por edhe te maqedonasit. Vazhdimisht nga pushteti maqedonas ka pasur stërkëmbëza që gjuha shqipe mos të përfillet dhe se gjuhë e vetme zyrtare në Maqedoninë e Veriut të jetë gjuha maqedonase. Megjithatë, në të kaluarën ka pasur disa ndryshime ligjore, të cilat nga pushteti shqiptar i atëhershëm ishte promovuar se gjuha shqipe është gjuha e dytë zyrtare në vend.
BDI reagon kundër nënçmimit që i bëhet Inspektoriatit të gjuhës shqipe
Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj zhvillimeve të fundit që prekin Inspektoratin për Zbatimin e Gjuhëve, institucionin kyç për mbikëqyrjen e ligjshmërisë në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Ata pohojnë se prej më shumë se katër muajsh, inspektorët e këtij institucioni nuk kanë marrë pagat, nuk kanë sigurim shëndetësor, as mbulim social. BDI vlerëson se kjo nuk është thjesht një padrejtësi sociale – kjo është një strategji e qëllimshme për t’i larguar profesionistët që janë trajnuar dhe licencuar me vite për të mbrojtur ligjin. “Ky është kapitulli i radhës në një ofensivë të organizuar kundër statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Fillimisht, institucionit iu mor pavarësia, duke u futur nën Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim kontrolli dhe varësie politike. Tani, me mosdhënien e pagave dhe shpërfilljen e funksionit të tyre, synohet shkatërrimi përfundimtar i këtij mekanizmi mbikëqyrës”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Gjuha shqipe nuk po përdoret siç duhet
Është fakt se institucionet shtetërore ku drejtorët apo ministrat janë maqedonas, nuk e zbatojnë ligjin e gjuhës shqipe në praktikë dhe kjo bëhet me tendencë të qëllimshme. Gjuha shqipe nuk përdoret as në ueb-faqet e ministrive dhe ndërmarrjeve publike, dokumentet zyrtare publikohen ekskluzivisht në maqedonisht dhe së fundmi goditet edhe institucioni që mbikëqyr zbatimin e ligjit.
Nëpër shumë institucione ku shqiptarët kanë udhëhequr, gjuha shqipe ka mbetur vetëm ashtu siç e kanë lënë ata, ndërkaq udhëheqësit e rinj, kryesisht maqedonas, nuk merren aspak me këtë çështje. Në një farë forme shesin patriotizëm tek pala maqedonase, duke i bindur ata se deri sa të jene ata funksionarë nuk do të respektojnë gjuhën shqipe.
Si është rregullimi i përdorimit të shqipes?
Sipas regjistrimit të popullsisë më 2022, Maqedonia e Veriut i ka rreth 2 milionë banorë, nga të cilët 54 për qind janë maqedonas, 29 për qind shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër janë pjesëtarë të komuniteteve më të vogla. Përdorimi i gjuhës shqipe është rregulluar ndërkohë edhe me ligje të tjera, përfshirë një të vitit 2008, ndonëse ai, sipas njohësve të drejtësisë, përfshinte një interpretim të ngushtë.
Ligji i ri, ai për përdorim të gjuhëve, i shumëpërfolur viteve të fundit, i cili nisi të diskutohet qysh më 2017 dhe u miratua më 2018, parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe, dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2.
Ndryshimet kryesore që solli ligji i ri ishin: përdorimi i gjuhës shqipe edhe në procese gjyqësore, në bankënota dhe në uniforma policore.
Partia VMRO-DPMNE, e cila më 2018 ishte në opozitë, ndërsa sot në pushtet, e kundërshtoi ashpër miratimin e Ligjit, nuk mori pjesë në votim dhe e dërgoi këtë dokument menjëherë në Gjykatën Kushtetuese.
VMRO DPMNE-ja e ka kundërshtuar vazhdimisht ligjin dhe është zotuar se do të bëjë “korrigjime”, kur të fitojë pushtetin. Disa besojnë se ndërkohë janë ndërtuar narrativë se shqiptarët kanë siguruar më shumë të drejta sesa u takojnë. Së fundmi, kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, ka thënë se nuk po kontestohet i gjithë ligji, por “vetëm dy-tri dispozita”. Disa besojnë se ai po aludon në gjyqësor, në bankënota dhe në uniforma.
Partitë shqiptare në pushtet sigurojnë se nuk cenohet gjuha shqipe
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, nga koalicioni shqiptar VLEN, ka thënë se gjuha shqipe nuk cenohet nga Qeveria, dhe se të drejtat e qytetarëve nuk do të degradohen, por do të avancohen. Ndonëse është dërguar në Kushtetuese, Ligji për gjuhët është zbatuar në pjesën më të madhe. Në institucionet qendrore, të gjitha tabelat janë në dy gjuhë, ndërsa dokumentet publikohen në gjuhën maqedonase dhe atë shqipe.
Edhe partnerët tjerë të kaolicionit, siç është Aleanca për Shqiptarët kishte deklaruar se nëse preket gjuha shqipe, kjo do të jetë vija e kuqe dhe kjo mund të shkaktojë dalje nga qeveria. Ndërsa nga “Alternativa” kishin thënë se gjuha shqipe nuk është zyrtare por është një gjuhë e “përkthyer” dhe se do të formulojnw ligj të ri. Partitë shqiptare në pushtet garantojnë se gjuha shqipe nuk do të konsiderohet më së gjuhë e 20% por si gjuhë e dytë zyrtare.
Mos të derdhen “lot krokodili” për gjuhën shqipe!
Përplasje për gjuhën shqipe, siç u tha më lartë, në të kaluarën ka pasur shumë. Premtimet kanë qenë gjithmonë se gjuha shqipe do ta zërë vendin e duhur, pra si gjuhë e dytë zyrtare në vend. Megjithatë, pas shqetësimeve të ngritura në kohën e fundit po del se nuk është pikërisht ashtu siç thuhej. Në fakt, me ligj, nuk thuhet qartë se gjuha shqipe është gjuëh zyrtare, por thuhet se gjuha e dytë që e flasin më shumë se 20% e popullatës është gjuhë zyrtare, por për përdorim të brendshëm. Kjo nënkupton se në komunikim të jashtëm, gjuhë zyrtare është vetëm gjuha maqedonase, por shqiptarët mund të flasin në gjykatë, në polici, në kuvend në qeveri… në gjuhën shqipe. Një ndër të “arriturat” më të mëdha me të cilën krenohej BDI-ja ishte se e kanë zyrtarizuar gjuhën shqipe. Kjo doli se nuk është e vërtetë dhe tani mundohen që të arsyetojnë veprimet me thënien se për gjuhën shqipe është luftuar për çdo pikë e për çdo presje.
Sidoqoftë, edhe pse ka pasur avancim të gjuhës shqipe, ajo kur me ligj nuk u bë zyrtare. Prandaj të qash sot për gjuhën shqipe është derdhje e “lotëve të krokodilit”.
Nga ana tjetër partitë shqiptare në pushtet duhet të punojnë fuqishëm që njëherë e përgjithmonë ta mbyllin këtë kapitull dhe të dëshmojnë se gjuha shqipe është e pacenueshme dhe është e barabartë me gjuhën maqedonase. Në të kundërtën, shqetësimet te popullata shqiptare do të ngelen gjithmonë dhe kjo do të ketë pasoja tek çdo parti politike.