Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Mosardhja e mërgimtarëve, i la qytetarët duarthatë!

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 28 gusht – Republika e Maqedonisë së Veriut ka një traditë të gjatë të emigrimit të popullatës në vende të ndryshme të botës, ku qytetarët migrojnë për arsye të ndryshme, por kryesisht për shkak të ekonomisë. Qytetarë nga Republika e Maqedonisë së Veriut jetojnë në shumë vende të botës, të cilët mbajnë lidhje familjare, tradicionale dhe kulturore me vendin e origjinës.

Kryesisht diaspora nga Maqedonia e Veriut jeton në disa vende të Evropës, përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, Italinë, Austrinë dhe Suedinë, ndërsa në vendet e tjera evropiane ka numër më të vogël të emigrantëve. Edhe në Kanada, ShBA dhe Australi, jeton gjithashtu një diasporë e madhe me origjinë nga Maqedonia e Veriut.

Rreth një miliardë euro hyjnë çdo vit nga diaspora

Roli i diasporës për sa i përket ekonomisë së Republikën së Maqedonisë së Veriut ka një rëndësi të madhe.

Statistikat e Bankës Popullore për të ardhurat dytësore, pra hyrjen e parave nga punëtorët nga jashtë tregojnë se në vitin 2019 ishte mbi 195 milionë euro. 2018-ta e mëparshme ishte 200 milion euro. Por, jozyrtarisht, është një shumë më e madhe sepse emigrantët kur vijnë në vend mbajnë para. Ende nuk ka të dhëna për vitin 2020.

Por, jozyrtarisht, shifrat shkojnë mbi një milliard euro, që është një kapital i madh që hyn në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Shumica e këtyre parave shpenzohen për të jetuar dhe vetëm një pjesë e vogël përfundojnë si investime. Shumica e parave vijnë nga Evropa Perëndimore dhe më pak para nga kontinentet tjera. Nga 55 deri në 80% të hyrjes totale të këtyre parave përdoret për konsum, shpenzohet nga familjet dhe një pjesë më e vogël prej 11 deri 18% janë të destinuara për investime dhe kursime afatgjata.

Për shkak të pandemisë, nuk erdhën as gurbetçarët

Qindra miliona euro derdhen në vend nga diaspora, por pandemia e koronavirusit, siç parashikohej nga Banka Botërore, ka lënë pasoja edhe për personat që varen nga paratë që dërgohen nga diaspora.

Pothuajse çdo qytetar njeh dikë që është shpërngulur jashtë vendit ose dikush nga familja e tij e ngushtë ka vendosur të kërkojë një të ardhme më të mirë jashtë vendit. Pandemia e koronavirusit ka çuar në largimin nga puna të shumë punëtorëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, dhe pasojat tashmë po ndihen nga familjet e tyre, të cilat varen nga paratë që i dërgojnë ata. Paratë që vijnë nga jashtë janë një shumë të rëndësishme për ekonominë, sepse arrijnë në 20 përqind të BPV-së.

Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut nuk ka të dhëna se sa janë paratë që sivjet janë futur nga jashtë, por besohet se këto të hyra janë ulur për 50 për qind. Hyrja e parave nga jashtë është ulur për shkak të kufizimit të lëvizjes së njerëzve dhe së dyti sepse punëtorët tanë jashtë vendit kanë humbur vendet e punës dhe për shkak të pandemisë nuk kanë mundur të punojnë dhe të udhëtojnë jashtë.

Përveç remitencave, ekonomia e Maqedonisë së Veriut ka përfituar miliona euro shtesë nga diaspora gjatë sezonit të verës sidomos për shkak të investimeve në patundshmëri dhe shpenzimet që diaspora i ka bërë për organizmin e ahengjeve familjare.

Pritjet janë që këtë vit të ketë më pak remitenca, qoftë në formë të transfereve të parave, për shkak se një pjesë e diasporës është prekur nga pandemia ose rënia e të hyrave si pasojë e pandemisë dhe në anën tjetër një pjesë tjetër që zakonisht ka ardhur në vizitë, këtë vit nuk ka qenë prezentë.

Efekti i drejtpërdrejt i diasporës është në fuqinë blerëse. Kjo ka ndikuar në rënien e konsumit në vend në një anë, por në anën tjetër mërgimtarët kanë qenë edhe investues në patundshmëri, pra këtë vit edhe në këtë pjesë ose komponentë të ekonomisë ka pasur ndikimin e vet.

Sipas Bankës Botërore, shpërthimi i COVID-19  dhe masat e nevojshme të frenimit, janë duke shkaktuar presion të paparë për investimet, konsumin privat, por edhe për eksportet dhe remitencat nga diaspora. Sipas BB-së për shkak të pasojave të pandemisë vlera e dërgesave në të gjithë botën ka rënë me 20 përqind këtë vit.

Diaspora ka humbur besimin

Një pjesë e diasporës ka humbur besimin në Maqedoninë e Veriut, e fajtor kryesor është rritja e korrupsionit dhe mos sundimi I ligjit. Përkundër kësaj, diasppora është e interesuar të investojë dhe të bëjë maksimumin që paratë e fituara t’i rigjenerojnë në vendin e tyre të lindjes.

Për fat të keq, ka kompani në Maqedoninë e Veriut që ende funksionojnë në mënyrë të paligjshme dhe shteti nuk arrin t’i mbyllë të gjitha ato kanale të paligjshme. Diasporës duhet t’u ofrohen projekte tërheqëse, si dhe të përmirësohet komunikimi me mërgimtarët.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mbështetje të proceseve investuese, miratoi një Ligj për Mbështetjen e Investimeve, i cili u miratua nga Parlamenti, ku për herë të parë, përveç investitorëve të huaj dhe vendas, të cilët do të marrin mbështetjen e shtetit në varësi të investimeve, investitorëve nga diaspora vendosen veçmas.

Në Ligjin për investime nga diaspora ekziston një nen në të cilin thuhet se përveç subvencioneve që do të marrin në plan të përgjithshëm, mërgimtarët që do të investojnë tek ne, do të marrin një mbështetje shtesë prej 10 përqind nga shteti nëse vendosin të investojnë në Maqedoninë e Veriut.

Edhe për kundër kufizimeve të lëvizjes së lirë dhe dështimit që mërgimtarët të vijnë sivjet në vendlindje, nevojitet që qeveria e re urgjentisht të formulojë strategji se si t’i motivojë ata që të vijnë e të investojnë në vitin e ardhshëm, kur të gjithë po shpresojnë se pandemai do të marrë fund.

Shuma e zvogluar e parave që vijnë nga diaspora, duhet të jetë një leksion i mirë për qeverinë se diaspora mbetet një trung i rëndësishëm  në mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik të Maqedonisë së Veriut.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...