Shkup, 23 qershor – Për fat të keq, përveç ndonjë deklarate optimiste që vjen nga zyrtarët, ende nuk kemi lëvizje konkrete kur dhe si do të bëhen ndryshimet kushtetuese, që janë kushti i vetëm i mbetur për Maqedoninë e Veriut për të filluar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Opozita maqedonase qëndron e “betonuar” se nuk do të përkrahë ndryshimet, kurse pa së paku 6-7 deputetë të tyre, ndryshimet janë të pamundshme.
Qytetarët proevropianë në vend, që sipas anketave janë shumicë bindëse, ka filluar t’i kaplojë nervozizmi nga frika se do të na ikë afati i vendosur deri në fund të muajit nëntor dhe ky proces që zgjat tridhjetë vite mund të kthehet në pikën zero. Do të ishte kjo një humbje e panevojshme kohe, pasojat e të cilës më së tepërmi do t’i ndiejnë qytetarët që janë dëm kolateral, e më së paku politikanët, që realisht kanë bllokuar procesin, shkruan Zhurnal.
Një freski e vogël në këtë fundqershor të nxehtë
Një freski e vogël për qytetarët pro-evropianë të Maqedonisë së Veriut, në këtë fundqershor të nxehtë, ka ardhur nga eurodeputeti bullgar, raportues për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ilhan Kuçuk. Ai sot kak deklaruar se informacione që vendi do të fillojë procedurat për ndryshimet kushtetuese në qeveri dhe në Kuvend gjatë këtyre dy javëve. Këtë e kanë thënë edhe politikanët tanë herë pas here, por kur thuhet nga raportuesi në Parlamentin Evropian, tingëllon më seriozisht, shkruan Zhurnal.
“Këtë javë ose gjatë javës së ardhshme propozimet konkrete duhet të vendosen në komisionin punues të Qeverisë dhe të shqyrtohen nga parlamenti maqedonas,” tha Ilhan Kuçuk, eurodeputet.
Për autoritetet vendase nuk ka afat. As kryeministri nuk tregon se në cilën seancë të qeverisë do të miratohen draft amendamentet për ndryshimet kushtetuese, të cilat, sipas tij, prej javësh janë në fazë përgatitore nga shërbimet.
“Vlerësoj se kemi kohë për t’i miratuar dhe kemi kohë për të biseduar. Deri tani ne kemi pasur bllokime nga jashtë dhe veto nga vendet fqinje megjithatë tani për herë të parë mund të kemi veto dhe bllokim nga brenda shtetit. Prandaj i them opozitës së bllokimi nuk na çon askund por vetëm se e dëmtojnë vendit dhe popullin tonë, të cilët duan të jetojnë në vend anëtar të NATO-s,” tha kryeministri Dimitar Kovaçevski, në një deklaratë që nuk përputhet shumë me optimizmin e eurodeputetit Kuçuk.
Shpresojmë se deklarata e përmbajtur e Kovaçevskit është që të mos shkaktojë reagime negative shtesë nga opozita dhe të mos dëmtohet procesi edhe më tepër. Sepse dihet që draft amendamentet janë përpiluar nga grupi i punës rreth një muaj më parë. Ata parashikojnë përfshirjen e bullgarëve, malazezëve, kroatëve, sllovenëve dhe hebrenjve në Kushtetutë.
Të gjithë kanë bë ndryshime dhe lëshime, pse mos të bëjmë edhe ne?
Procedura për ndryshime kushtetuese, nga hyrja në parlament dhe deri në miratim mund të zgjasë 4 deri në 6 muaj, por nëse ekziston vullnet, mund të kalojë edhe më shpejt. Kjo do të thotë se nëntori si afat ende është i arritshëm, sado që dal ngadalë po futemi në “cajt not”. E nëse ndodh kjo, atëherë me të vërtetë do të gjendemi në një situatë që e përshkruan fjala popullore “duke lyer vetullat, mund të mbetemi pa qerpikë”.
Atëherë mund të paraqiten edhe shumë kushte tjera dhe mund të vijmë në situatë që të lusim të kthehemi sërish në këtë pikë ku jemi- ndryshimet kushtetuese të jenë problem i vetëm. Një mundësi të tillë e ka paralajmëruar me ton mjaft të butë edhe ish presidenti bullgar, Rosen Plevneliev, i njohur si politikan mjaft i qetë dhe i moderuar. Ai na e ka rikujtuar atë që na e kanë thënë edhe shumë përfaqësues tjerë të BE-së, se edhe vende para nesh kanë bë lëshime dhe ndryshime para se të bëhen anëtare të familjes së madhe evropiane, shkruan Zhurnal.
“Gjatë forumit Globsek kam pasur biseda me kryeministrin e RMV-së Dimitar Kovacevski dhe ministrin e Jashtëm Bujar Osmani. U thashë se kur fokusohen vetëm në Bullgari dhe nuk bëjnë reformat e nevojshme në Republikën e Maqedonisë, nuk tregojnë se janë të gatshëm t’i integrojnë vlerat evropiane në veprimet dhe reformat e tyre, në vendimet e tyre politike. Unë u thashë atyre: ‘Ju thjesht po bëni një gabim të madh’ ”, ka deklaruar Plevneliev.
Ai u kujtoi politikanëve tanë se jo vetëm Bullgaria, por edhe Rumania dhe Kroacia, si dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit, bënë reforma shumë të thella, domethënë të gjithë duhej të ndryshonin të paktën 6.000 ligje dhe rregullore.
“Të gjithë sakrifikuan shumë. Ne duhej të arrinim jo vetëm unitet politik, por edhe unitet në nivel social dhe qeveritar në të gjithë BE-në. I thashë kryeministrit Kovaçevski shumë drejtpërdrejt dhe qartë: “Më trego sa reforma ke bërë nga këto 6.000?” Më tregoni nëse keni arritur konsensus politik apo social?” Sepse nëse thjesht uleni mënjanë dhe ankoheni për “Bullgarinë e keqe”, pa bërë reformat e nevojshme, nuk do të ndodhë! Unë i thashë: Mos u fokuso në Bullgari, fokusohu në vlerat evropiane”, tha Plevneliev.
Në ndërkohë ka paralajmërime se është bë presion për të shtyrë votimin e raportit të vjeshtës. Sado që raportuesi Kuçuk ka demantuar këto informacione, sdo mend se nëse ne nuk bëjmë pjesën tonën të punës edhe përgjigja e Brukselit nuk do të mungojë! /Zhurnal