Shkup, 1 shtator – Gjatë verës së vitit të kaluar me 57 vota “për” dhe 32 “kundër”, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin për pajisje me shtetësi. Sipas ndryshimeve në ligjin për shtetësi, parashihet që shtetësia të mund të merret shumë më lehtë se sa më parë, por edhe pse ka kaluar një vit, procedurat thuajse vazhdojnë me ritmin e vjetër. Më së shumti problemet ndodhin me popullsinë shqiptare, të cilët ose janë lindur në Maqedoninë e Veriut dhe për vite të tëra nuk kanë nënshtetësi, ose janë të martuar/a me shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Shtetësia gjithmonë ka qenë “plagë e hapur” për shqiptarët
Nuk dihet ende saktësisht se sa persona nuk kanë shtetësi në Maqedoninë e Veriut, por ky numër besohet së mbi 3000 persona. Rreth një mijë persona besohet se kanë lindur në Maqedoninë e Veriut, por për arsye nga më të ndryshmet, organet përgjegjëse nuk iu kanë dhënë nënshtetësi. Personat e tjerë që nuk kanë nënshtetësi janë kryesisht persona që janë të martuar me shtetas/e të Maqedonisë së Veriut.
Fatkeqësisht, ligji për shtetësi në Maqedoninë e Veriut është një nga ligjet më të debatuar që ka shkaktuar reagime dhe tensione të shumta në vend. Kjo përplasje vazhdimisht ka ardhur si pasojë e disa dispozitave që ka përmbajtur ky ligj, të cilat janë cilësuar diskriminuese pasi ajo më së shumti ka goditur shqiptarët. Ndonëse shtetësia është marrëdhënie juridike mes individit dhe shtetit, e njëjta gjë nuk mund të thuhet se vlen edhe për Maqedoninë e Veriut, pasi shtetësia këtu është më shumë se juridike që lidhet direkt me çështjet etnike, e gjithë kjo ka ndikuar që ky ligj të komplikohet dhe mos t’i jepte zgjidhje për një kohë të gjatë.
Ligji i parë për shtetësi në Maqedoninë e Veriut është miratuar në 27 tetor të vitit 1992, ku në bazë të saj përcaktoheshin kushtet që çdo person duhet t’i plotësoj që të bëhet shtetas i Maqedonisë, por ky ligj atëherë u kundërshtua fuqishëm nga shqiptarët në atë kohë pasi dispozitat e saj privonin shumë persona nga kjo etni që të merrnin atë.
Kështu me qëllim “rregullimin” e këtij ligji diskriminues, janë ndërmarrë disa ndryshime si ai i vitit 2004, 2008, 2011, 2016 dhe ky i fundit i vitit 2021. Ndryshimi i fundit u inicua nga opozita shqiptare ASH-AAA, e cila hasi në pengesa të fuqishme nga opozita maqedonase të cilat parashtruan mijëra amendamente me qëllim bllokimin e miratimit të saj. E gjendur në këtë situatë opozita shqiptare u kundërpërgjigj me bllokimin e funksionimit të parlamentit përmes parashtrimit të mijëra amendamenteve për ligjet të cilët silleshin në kuvend për miratim.
Me anë të një marrëveshje politike u arrit dakordësia që opozita shqiptare të zhbllokonte parlamentin, ndërsa në anën tjetër shumica parlamentare merrte përsipër sjelljen e ligjit për miratim. Këtë gjë ata e bënë duke i vendosur ligjit flamurin evropian, i cili ishte imun ndaj bllokimeve të opozitës e kështu në korrik të vitit të kaluar ky ligj u miratua.
Çfarë kushtesh duhet për të marrë nënshtetësinë?
Kërkesa për tu pajisur me shtetësi bëhet pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila është edhe përgjegjësja për pajisjen e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut me dokumente personale.
Shtetësia e Republikës së Maqedonisë fitohet nga origjina, lindja në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, natyralizimi dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Me ndryshimet e reja, theksohet se brenda tre vjetëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, një qytetar i një republike tjetër të ish-RSFJ -së dhe një qytetar i ish-RSFJ -së i cili ka jetuar në territorin e Republikës së Maqedonisë deri më 8 shtator 1991, gjegjësisht deri në shpalljen e pavarësisë të Republikës së Maqedonisë, merr nënshtetësinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut në bazë të këtij ligji, nëse ata i paraqesin një kërkesë autoritetit kompetent dhe i bashkëngjitin kërkesës të paktën një nga dokumentet e mëposhtëm në origjinal ose një kopje të vërtetuar nga një noter publik, i lëshuar nga një organ ose person juridik në Republikën e Maqedonisë në periudhën e përcaktuar në këtë paragraf:
1) certifikatën e lindjes, 2) dëshmi të vitit shkollor të përfunduar (certifikatë ose diplomë) 3) dëshmi të punësimit të krijuar me formularin M1 / M2 4) fletore pune, 5) vërtetimin e taksës së paguar në përputhje me rregulloret ligjore në fuqi në atë kohë në Republikën e Maqedonisë, dmth dëshmi e pagesës së tatimeve të ndryshme, 6) vendimi i tatimpaguesit nga Zyra e të Ardhurave Publike, 7) dëshmi e faturës së paguar për shërbimet e mëposhtme: energji elektrike, ngrohje, ujë, shërbimet telefonike, pasaporta e lëshuar nga ish-RSFJ ose Republika e Maqedonisë, 9) Letërnjoftimin të lëshuar nga ish RSFJ ose Republika e Maqedonisë, 10) Kartë identiteti për të huajt, 11) kartelë shëndetësore, 12) raport, konfirmim, letër lirimi ose dokument tjetër që vërteton se është kryer trajtimi në institucionet shëndetësore publike në Republikën e Maqedonisë, 13) posedimi ose lista e pronës në emër të aplikuesit, 14) librezë kursimi për depozitimin e kursimeve në një bankë (person juridik) të themeluar nga Republika e Maqedonisë në përputhje me ligjin, 15) dëshmi të tjera të lëshuara nga organet kompetente shtetërore të cilat do të konfirmojnë qëndrimin e përhershëm në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe 16) certifikatat e lëshuara nga 1991 deri në 1998 për personat e lindur midis 1984 dhe 1991
Kështu në ligjin e ri hiqet njohja e gjuhës maqedonase si kusht për marrjen e shtetësisë, dhe në të njëjtën kohë shtohen kriteret dhe lehtësohen procedurat për marrjen e saj.
Kështu pas katër ndryshimeve më në fund është krijuar një ligj i cili lehtëson procedurat për marrjen e saj, e kjo do t’i mundësoj që mijëra qytetarëve të vendit tonë tu jepet dokumenti që ata e meritojnë dhe në këtë mënyrë të bëhen edhe zyrtarisht shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Dhënia e nënshtetësive po zvarriten
Ligji i ri për lehtësime me marrjen e nënshtetësisë ka hyrë në fuqi që një vit më parë, menjëherë pas publikimit të saj në gazetën zyrtare, por qytetarët e Maqedonisë së Veriut ende nuk po arrijnë të marrin dokumentet e nevojshme dhe me këtë gjë po zvarriten procedurat ngjashëm sikur më parë. Qytetarët vazhdimisht ankohen se përkundër faktit se kanë aplikuar menjëherë pas miratimit të ligjit, ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Çmenduria shkon deri aty se dikush i ka bërë 50 vite në Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund të merr nënshtetësinë. Kjo nënkupton se ai person as nuk ka sigurim shëndetësor, as nuk ka mundësi për punësim, as nuk mund të udhëtojë jashtë shtetit, pra e thënë troç ai person nuk figuron askund në regjistrat e këtij shteti.
Regjistrimi i popullsisë në vitin e kaluar, tregoi se nga popullsia e përgjithshme në Maqedoninë e Veriut jetojnë 29.52 % shqiptarë, ndërsa në mërgim janë 66.36%. Me këtë përqindje iu bë e ditur njëherë e përgjithmonë të gjithë skeptikëve se shqiptarët nuk janë popullatë nën 20%. Kjo dëshmon se shqiptarëve me ato 2-3 mijë qytetarë që nuk kanë marrë ende nënshtetësi nuk mund t’iu bëhet dëm në uljet ose rritjen e përqindjes së popullatës.
Andaj, duhet me urgjencë që institucionet përgjegjëse të respektojnë ligjin dhe mos t’i zvarritin më procedurat për nënshtetësi. Numri i shqiptarëve, deshën apo nuk deshën ata që i vonojnë nënshtetësitë, është ky që është dhe nuk ka më asnjë arsye dhe mënyrë për të cenuar të drejtat e kësaj bashkësie etnike./Zhurnal.mk