Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Nëse duam kryeministër shqiptar, duhet ta heqim statusin e popullit “20 përqindësh”

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 9 qershor – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) gjatë ditëve të fundit ka përhapur idenë e përfitimit të postit të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut. Duke zhvilluar një fushatë intensive për përfitim të votave, duket se ky truk i BDI-së më shumë është për marketing të brendshëm politik se sa realisht mund të arrihet ky post duke i pasur parasysh rrethanat e deritanishme.

Nëse vërtet BDI e ka dert hallin dhe statusin e shqiptarëve, atëherë më e rëndësishme është që të ndryshohet vetë statusi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ku ata në kushtetutë mbetën si një popull që ka të drejtat e “20 përqindshit”! Pikërisht ky përkufizim i bën shqiptarët si popull jo të barabartë me maqedonasit dhe është koha e fundit që partitë shqiptare ta ndryshojnë këtë nënçmim ndaj shqiptarëve.

Statusi juridik i shqiptarëve i pabarabartë me maqedonasit!

Po bëhen gati 30 vite nga pavarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe statusi juridik i shqiptarëve në këtë shtet është ende i pabarabartë me maqedonasit.  Në këto vite edhe pse ka pasur avansime të statusit të shqiptarëve pas Marrëveshjes së Ohrit, sërish shumë pak është bërë në drejtim të përmirësimit të statusit juridik të tyre gjatë kësaj periudhe.

Strukturat udhëheqëse maqedonase në vazhdimësi janë angazhuar në ndërtimin e shtetit të Maqedonisë së Veriut vetëm mbi baza të kombësisë maqedonase, duke pasur si synim degradimin e statusit të shqiptarëve nga ai i kombësisë që kishin para viteve të nëntëdhjeta, në statusin e bashkësive etnike.

Me ndryshimet kushtetuese sforcohet në periudhën e pluralizmit politik formimi i shtetit unitar maqedonas, që do të thotë një shtet – një komb. Pra, një shtet vetëm i maqedonasve ku jetojnë edhe bashkësi të tjera etnike, në mesin e të cilëve janë dhe shqiptarët.

Për këtë gjendje, përkatësisht status të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në masë të madhe ka kontribuuar edhe paaftësia e shqiptarëve gjatë këtyre viteve të fundit, përkatësisht sindromi i paaftësisë së shqiptarëve për t`u organizuar në mënyrë kolektive kundër politikave nacionaliste të elitave udhëheqëse maqedonase.

Duke pasur parasysh statusin e shqiptarëve, është e nevojshme që të ndryshojë aktit më i lartë juridik në vend e që është Kushtetuta.

Edhe pas gati tre dekadave pavarësi dhe pas miratimit të Kushtetutës, shqiptarët nuk kanë arritur të kenë statusin e barabartë dhe për këtë arsye është koha e fundit, që të gjitha subjektet politike dhe jopolitike të fillojnë debatet serioze për ndryshimin e Kushtetutës, e cila, në vazhdimësi është gjenerator i krizave nga më të ndryshmet në vend.

Maqedonisë së Veriut i nevojitet një Kushtetutë e re, edhe për harmoni të bashkëjetesës, edhe për aspekte të gjuhëve zyrtare, për mënyrën e vendimmarrjes, për punën e institucioneve, këshillin gjyqësor, për komitetin për marrëdhënie ndëretnike. Janë të pamjaftueshme ndryshimet e statusit të shqiptarëve edhe me ndryshimet kushtetuese të vitit 2001, që u bënë pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit.

Ndryshimet e para 20 viteve kanë lënë shumë zbrazëtira juridike, pasojat e të cilave po ndjehen edhe sot.

Pritej që gjatë zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit të vetëdijesohet pala maqedonase në ndryshimin e çështjeve tjera që kërkoheshin nga shqiptarët për të ardhur te statusi i barabartë i tyre në Maqedoninë e Veriut. Por edhe kjo nuk ndodhi as në çështjen e përdorimit të gjuhës, as në çështjen e vendimmarrjes apo të mbrojtjes nga majorizimi.

Gjuha shqipe konsiderohet si gjuha e atyre që e flasin “20 për qind” e popullatës

Gjuha shqipe, edhe pse e avansuar ka statusin edhe më të pavolitshëm se kushtetuta e vitit 1974, pasi tani në Kushtetutë gjuha shqipe përmendet vetëm me numra, si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Ligji i fundit që u votua për përdorimin e gjuhës shqipe ka kaluar në Kuvend si ligji për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike. Ky ligj parasheh përdorimin e plotë të gjuhës shqipe, apo siç thuhet të gjuhës që e flasin më shumë se 20 për qind e popullatës, ndryshe nga maqedonishtja, në Qeveri, Kuvend, organet e pushtetit gjyqësor dhe administratën publike.

Për dallim nga më parë, tani edhe drejtuesit e seancave, qoftë të Qeverisë apo Kuvendit, nëse janë shqiptarë, ato do të mund t’i udhëheqin në gjuhën e tyre.

Ndryshime janë paraparë edhe në mbishkrimet në nivel qendror që duhet të jenë në dy gjuhë, ndërsa në nivelin lokal gjuha shqipe do të përdoret në të gjitha komunat ku më shumë se 20 për qind e popullatës flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja, e që në këtë rast ka të bëjë me gjuhën shqipe, edhe pse nuk saktësohet qartë si e tillë.

Zgjidhja e ofruar e avancon në masë të madhe statusin e shqipes, por kjo, nuk mund të nënkuptohet si zyrtarizim i plotë i gjuhës shqipe. Gjuha shqipe nuk është e barabartë me gjuhën maqedonase, me formën e përdorimit të gjuhës shqipe, nuk do të kemi dygjuhësi në Maqedoninë e Veriut.

Përfundimisht, me këto risi  kemi vetëm se një avancim të gjuhës shqipe dhe përdorimin e saj në institucione konkrete, por sërish përdorimi i saj është në nivel të kufizuar, pra assesi nuk mund të flasim se kemi gjuhën shqipe të barabartë me maqedonishten në nivel shtetëror.

Regjistrimi i popullatës problem madhor!

Se sa problematike është Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut e tregon fakti se edhe pas 20 viteve nuk mund të ketë regjistrim të popullatës. Kjo për një arsye të thjeshtë, sepse të drejtat e qytetarëve në Kushtetutë fitohen në bazë të përqindjes së tyre.

Së fundmi, të gjitha partitë politike shqiptare kanë kundërshtuar propozimin e Entit Shtetëror të Statistikave në Maqedoni, që gjatë regjistrimit të popullsisë të fshihet paragrafi rreth përkatësisë etnike dhe asaj fetare.

Këto reagime erdhën pasi drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave kishte paralajmëruar se në bazë të propozim-ligjit për regjistrimin e popullsisë, nuk parashihet paragrafi mbi përkatësinë etnike dhe religjionit.

Në bazë të regjistrimit të popullsisë, që parashihej të realizohet në prill të vitit 2020, për të kuptuar se cilës bashkësi etnike i takon çdo qytetar i Maqedonisë, duhet të përgjigjet në pyetjen “cila është gjuha amë e tij, dhe cilën gjuhë flet në komunikim“.

Partitë politike shqiptare konsiderojnë se regjistrimi i popullsisë në asnjë mënyrë nuk paraqet vetëm një proces të thjeshtë statistikor, por ky operacion është dhe politik sepse pikërisht përqindja e përkatësisë etnike ndërlidhet me realizmin e shumë të drejtave të shqiptarëve që burojnë nga marrëveshja e Ohrit.

Regjistrimi i fundit është realizuar në vitin 2002, që u shoqërua me debate të shumta lidhur me përqindjen e popullatës shqiptare, e cila rezultoi të jetë 25.17 për qind. Nga numri i përgjithshëm dhe në bazë të kësaj përqindjeje, u përcaktuan edhe dispozitat kushtetuese mbi të drejtat e bashkësive etnike.

Me formën që e propozon Enti Shtetërorë i Statistikave, do të nënkutonte shlyerjen e të drejtave të caktuara për popullatën shqiptare, të drejta këto që janë të garantuara me Dokumentin Kornizë të Ohrit që i dha fund konfliktit të armatosur gjatë vitit 2001.

Marrëveshja e Ohrit në fakt është një marrëveshje mes shqiptarëve dhe maqedonasve nga e cila buron ai postulati kryesor për pozitën, statusi si dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve, zhvillimi i demokracisë, zhvillimi i kulturës, arsimit, zhvillimin e gjithçkaje që është me interes të realizimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Si shtyllë kryesore kemi përfaqësimin e shqiptarëve në institucione në përputhje me përqindjen e shqiptarëve sa i përket numrit të përgjithshëm të popullatës si dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

Përderisa nuk është realizuar në tërësi marrëveshja e Ohrit, paragrafi i përkatsisë etnike mbetet element shumë i rëndësishëm në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Maqedonia e Veriut me Marrëveshjen e Ohrit paraqet një shtet me shumë specifika të veçanta ku pikërisht përqindja e popullatës është vendimtare për realizimin e të drejtave të caktuara të shqiptarëve në Maqedoni.

Akoma nuk mund të themi se është mbyllur çështja e integrimit të shqiptarëve në sistem. Integrimi i shqiptarëve në sistem është çështje madhore, ai përfshin vendimmarrje ai përfshin zbatim dhe kontroll të politikave shtetërore dhe ne jemi të vetëdijshëm se shqiptarët në këto segmente nuk janë prezente, ose janë në nivel minimal, në margjina të përfillshme.

Prandaj nëse synohet që ky shtet një ditë të udhëhiqet nga një kryeministër shqiptarë, është e nevojshme që fillimisht të ndryshohet Kushtetuta dhe shqiptarët të jenë qytetarë të barabartë e shtetformues me maqedonasit.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...