Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Nëse VMRO-ja i fiton zgjedhjet, çdo parti shqiptare e gatshme të formoj qeveri me ata!

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, janar – Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 12 prill në Maqedoninë e Veriut, kanë ngritur sërish dilemat se a do të bashkëpunojnë partitë shqiptare me ish-partinë e Nikolla Gruevskit, nëse ky i fundit i fiton zgjedhjet. Në vitin 2016, partitë shqiptare kishin marrë vendim që të mos bashkëpunojnë me VMRO DPMNE-në, pa u plotësuar dhe pranuar kërkesat e shqiptarëve siç ishte zyrtarizimi i gjuhës shqipe, vazhdimi i punës së Prokurorisë Speciale publike si dhe integrimi euroatlantik i vendit.

Atëbotë edhe intelektualët shqiptarë të Maqedonisë, përmes një letre të hapur u janë drejtuar partive shqiptare të cilat mund të negociojnë me partinë e Nikolla Gruevskit, VMRO-DPMNE, e cila e mori mandatin për formimin e Qeverisë. Në këtë letër, theksohet fakti se “VMRO-DPMNE akoma udhëhiqet nga persona që kanë përgjegjësi për gjendjen katastrofale në çdo segment të jetës shoqërore e politike dhe si të tillë nuk gëzojnë kredibilitet që edhe më tej të udhëheqin me shtetin”. Pas qëndrimeve, qoftë tani apo ato që i ka theksuar në të kaluarën, intelektualët shqiptarë potencojnë se me këtë parti politike, nuk duhet komunikuar.

Si është disponimi i shqiptarëve ndaj VMRO DPMNE-së!

Pasi kanë kaluar tre vite të VMRO DPMNE-së në opozitë dhe vendi defakto ka ndryshuar kursin duke u bërë pjesë e NATO-s dhe pret hapjen e negociatave me BE-në, gjërat kanë ndryshuar.

Lëvizja Besa vlerëson se partitë maqedonase nuk kanë dallime konceptuale për sa i përket çështjes së shqiptarëve në Maqedoni të Veriut. “Besa” do të respektonte parimin fituesi me fituesin dhe se do të kushtëzonte partinë e bllokut maqedonas me kërkesat dhe zgjidhjen e problemeve kyçe që tangojnë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Ata kërkojnë barazim të plotë mes maqedonasve dhe shqiptarëve e për këtë arsye nuk e kanë problem të bëjnë koalicion me cilëndo parti që do i respektojë këto kërkesa.

Nga BDI kanë deklaruar se do të koaliciononin me VMRO DPMNE-në, vetëm nëse ata i plotësojnë disa kushte që janë të rëndësishme për ta, ose përndryshe nuk do të koalicionojnë me VMRO-DPMNE-në edhe pse ndoshta ata mund të jenë mandatari të ri të qeverisë.

BDI do të bëjë koalicion me secilën parti që është fituese, por nëse bëhet fjalë për VMRO-DPMNE-në, atëherë ata do të duhet të dëshmojnë se me të vërtetë janë të interesuar për anëtarësim në BE.

Nga vetë VMRO DPMNE-ja, theksojnë se kanë komunikim të vazhdueshëm me të gjitha partitë politike, kështu që edhe me BDI-në mbajnë raporte të mira, por ata janë kundër një komunikimi me kushte.

Aleanca për Shqiptarët deri tani nuk ka menduar të bëj koalicion me partinë opozitare të VMRO-DPMNE-së, edhe pse ata kanë pranuar se ideologjikisht janë më afër me VMRO-DPMNE-në sesa me LSDM-në, pasi të dy partitë janë djathtiste. Përkundër këtij qëndrimi, në nivel lokal “Aleanca për Shqiptarët” është në koalicion me VMRO-DPMNE-në në drejtimin e komunës së Gostivarit.

Partitë politike shqiptare janë të gatshme të bëjnë koalicion me partitë maqedonase pas zgjedhjeve por secila nga to ka kushtet e veta.

PDSH e “Alternativa” duket se janë më afër ndonjë koalicioni zgjedhor me LSDM-në se sa më VMRO DPMNE-në.

VMRO DPMNE e konsideron veten se është e reformuar!

Nga VMRO-DPMNE thonë se 35 mijë amendamentet e parashtruara më parë nuk janë kundër gjuhës shqipe, por kundër mënyrës anti-kushtetuese të miratimit të Ligjit të Gjuhëve. Nga VMRO DPMNE edhe pse kishin tentuar ta pengojnë ligjin për shqipen, kishin thënë se ata nuk kanë për qëllim as t’i hakmerren BDI-së për amendamentet e tyre kundër “Ligjit për Branitellat” të deponuara në vitin 2012, dhe as ta bllokojnë ligjin, por të njëjtin ta përmirësojnë dhe të avancojnë edhe për të drejtat e bashkësive të tjera etnike.

Veprimet e kryesisë së re të ish partisë së Gruevskit nuk janë që të dëmtojë imazhin e tyre përballë elektoratit shqiptar. VMRO-DPMNE pohon se asnjëherë nuk ka pasur problem në raport me Shqiptarët dhe këtë e kanë dëshmuar në vitin 2008 gjatë koalicionimit me BDI-në. Ata theksojnë se këtë e dëshmuan edhe në vitin 2011, kur bëhej fjalë për ligje të tilla. Edhe në vitin 2008 u soll një ligj i tillë për promovimin e përdorimit të gjuhëve të bashkësive etnike, më saktë të bashkësisë etnike shqiptare, pastaj edhe në vitin 2011, e kështu me radhë. VMRO konsideron se si parti kanë gjithmonë kredibilitet politik, si për t’iu kërkuar votat e shqiptarëve, ashtu edhe për të kërkuar partner të koalicionit nga rradhët e kampusit politik shqiptar.

Kreu i VMRO-DPMNE-së ka deklaruar se ai pret që të marrë mbështetje jo vetëm nga maqedonasit, por edhe nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera etnike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vendit më 12 prill.

Ai ka pohuar se në Gostivar, ku shumica e banorëve janë shqiptarë, shumë shqiptarë dhe turq e kanë përshëndetur dhe i kanë premtuar se do t’ia japin votën partisë së tij, pasi ishin të zhgënjyer nga gjithçka në LSDM.

Duket se të gjithë partitë politike po vazhdojnë të mos deklarohet të presa që nuk do të bashkëpunojnë me VMRO DPMNE-në në të ardhmen. As edhe vetë Mickoski nuk jep deklarata të prera të tipit të Gruevskit që na votoni neve për t’i mposhtur shqiptarët.

Leksioni nga zgjedhjet e kaluara në politikë është mësuar nga të gjithë (edhe nga shqiptarët, edhe nga maqedonasit). Prioritet i secilit është mbetja në pushtet, kurse në politikë “kurrë mos thuaj kurrë”!

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...