Agjencia Zhurnal.mk
Editorial Maqedoni TOP LAJM

Editorial: Opozita duke kërkuar “kokën” e Dimitrovit, teston shumicën parlamentare të Zaevit!

Shkruan, Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 22 dhjetor – VMRO-DPMNE-ja edhe zyrtarisht ka dorëzuar nismën për interpelancë për zëvendëskryeministrin për çështje evropiane Nikolla Dimitrov. Dimitrovi akuzohet se nuk respekton Kushtetutën sepse nuk jep llogari para deputetëve për punën e tij edhe pse është ftuar në komisionin parlamentar, se ka mashtruar për marrjen e vendimit pozitiv për fillimin e negociatave dhe për mos-dhënie sqarime për atë që ka punuar në 100 ditët e kaluara. Por sa mban interpelanca e opozitës dhe a mund të kalojë në Kuvend!

Opozita kërkon “kokën” e Dimitrovit

Nga VMRO DPMNE kanë thënë se arsyeja e parë përse kërkohet që Dimitrov të largohet është shumë seriozeç mosrespektimi i Kuvendit nga ana e tij. “Nikolla Dimitrov është ndër ministrat e paktë në Evropë, me përjashtim ndoshta të ministrit në Bjellorusi, i cili nuk u përgjigjet thirrjeve të deputetëve në Kuvend. Arsyeja e dytë për interpelancën e Nikolla Dimitrovit është mossuksesi i tij në 100 ditët e kaluara por edhe në dy vite e gjysmë. Arsyeja e tretë është pasiviteti i Sekretariatit për Çështje Evropiane”, deklaroi Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski ka theksuar se nëse Dimitrov do të kishte qenë i sinqertë ai nuk do të kishte pritur për interpelancë por do të kishte dhënë dorëheqjen vetë, sepse sipas tij ka edhe deputetë të LSDM-së të cilët janë kundër tij.

Sela do të mbështesë interpeleancën kundër Dimitrovit

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela k athënë se si opozitë do të mbështesin çdo iniciativë për interpelancë, në këtë rast edhe interpelancën për zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov.  “Është jo normale të mos votojë për interpelancë të ngritur nga një parti opozitare. Ne jemi parti opozitare dhe do të duhej ta mbështesim çdo iniciativë për interpelancë”, deklaroi Sela.

A ka përplasje në LSDM dhe sa mund t’i kushtojë kjo Zaevit!

Nga LSDM janë përgjigjur se interpelanca do të jetë disfatë e re për VMRO – DPMNE-në dhe Hristijan Mickoskin. Socialdemokratët vlerësojnë se kjo është vetëm vazhdimësi e destruktivitetit dhe dëshpërimit të partisë opozitare.

Por, burime të “Zhurnal” njoftojnë se edhe brenda vetë LSDM-së ka pakënaqësi të shumta dhe rryma të ndryshme të cilat duket se po i ngritin kurth njëra tjetrës. Përçarjet kanë filluar me rrymat pro evropiane, që kërkojnë zgjidhje të çështjes së Bullgarisë, në të cilën bën pjesë Zoran Zaev, dhe krahu tjetër është ai pro serb që kryesisht karakterizohet me ish-kryeministrin Branko Crvenkovski. Në momentin kur Zaev dha deklaratë të fuqishme se është për të gjetur zgjidhje me Bullgarinë me qëllim që vendi të hapë negociatat me BE-në, duke bërë edhe kompromise shtesë dhe gjetjen e një gjuhe të përbashkët, ishte Crvenkovski ai i cili doli publikisht kundër dhe kërkoi përgjegjësi nga Zaevi. Në këtë pikë, Dimitrov si ish kuadër i VMRO DPMNE-së, por që për shkak të regjimit të Gruevskit u bashkua me LSDM-në duke qenë Ministër i punëve të jashtme dhe më pas Zv.Kryeministër për çështje të eurointegrimit, edhe pse me tone më agresive, sërish deklaroi se është për zgjidhje me bullgarët.

Nga ky moment spekulime të ndryshme janë folur edhe brenda LSDM-së se ka përçarje të madhe, ndërsa Zaev mundohet të mbajë nën kontroll këtë pakënaqësi. “Pro” dhe “kundër” Zaevit dolën edhe figura të larta në parti, por përkundër presionit të Crvenkovskit, numri i atyre që i dolën kundër Zaevit ishte më i vogël dhe për këtë arsye kryeministri konsiderohet se e ka ende kontrollin mbi partinë. Fitorja në Shtip dha edhe një sinjal tjetër se LSDM  e drejtuar nga Zaev nuk është në rënie.

Opozita duke i ditur të gjitha këto rrethana, dëshiron të testojë qeverinë e Zaevit, nëse ai e ka ende nën kontroll çdo deputet ose jo, ose thënë ndryshe cili nga deputetët do të dirgjiohet nga Crvenkovski e cili nga Zaevi.

Arsyet e numëruara nga opozita për thirrjen e interpelancës janë të kota dhe nuk mbajën fare, prandaj qëllimi i interpelancës është më i thellë se sa duket në shikim të parë.

Çështja është e ndjeshme, por rreziku për të rrëzuar Dimitrovin është i vogël. Nëse dështon Dimitrov, hapet kutia e pandorës edhe për rrëzimin e qeverisë, prandaj Zaev me çdo ngulm do të mundohet që ta mbajë edhe për kohë të gjatë Nikolla Dimitrovin si zv.kryeministër për çështje të eurointegrimit. Edhe përkundër pakënaqësive brenda LSDM-së kundrejt Dimitrovit, Zaev e di mirë se nëse ikën një ministër si pasojë e presionit të opozitës, atëherë do të ikë edhe komplet qeveria e tij.

Postime të ngjashme

Bilall Kasami: 2 deputetë të opozitës shqiptare do t’i bashkohen shumicës

R Zh

Editorial në News Week / Biden të luftojë për drejtësinë në Ballkan

R Zh

Ministri Hoxha takon prodhuesit e orizit

T E

Votëbesimi i Qeverisë mund përsëri të vendoset në test, pa kaluar 90 ditë

T E

Zjarr tek liqeni Treska, dyert e mbyllura e zjarrfikësit nuk mund të hyjnë?

T E

Kasami: Grafa etnike do të bëhet realitet

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...