Agjencia Zhurnal.mk
Editorial Maqedoni TOP LAJM

Editorial: Pandemia shpalosi se sa larg është sistemi arsimor në Maqedoni të Veriut

Shkuran, Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 25 dhjetor – Ish-ministri i arsimit, Arbër Ademi derisa ishte në atë pozitë pat dhënë shumë premtime për renovime të shkollave në vendbanimet shqiptare? Tani që filloi pandemia dhe shkollat punojnë me kapacitet të reduktuar ishte momenti më i mirë që të bëhen renovimet e duhura dhe t krijohen kushte adekuate që kur të fillojë mësimi normal të ketë hapësira të mjaftueshme për nxënësit. Shumë shkolla, sidomos te pjesa shqiptare mbeten në gjendje të mjerueshme, me mbingarkesë të nxënësve dhe me kushte minimale për funksionim. Ndërkaq, në pjesën maqedonase, qoftë ne pjesën urbane, por edhe nëpër fshatra, përveç se ka hapësira të shkollave të mjaftueshme, të gjitha janë të pajisura me kushtet e nevojshme për mësim. Por çfarë do të ndodhë tani me ato premtime të BDI-së? A ngelin si premtime boshe , apo do të bëhet trusni ekzekutivi i BDI-së në qeveri për zbatimin e tyre!?

Shkollave shqipe u mungojnë hapësira

Në shumicën e shkollave me mësim në gjuhën shqipe, procesi mësimor në kushte normale (jo tani në situatë pandemie) mësohet në dy turne. Në një klasë ka më shumë nxënës se sa duhet, ndërsa në disa shkolla nevojitet punësimi i mësimdhënësve. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka ndarë nga buxheti i saj mjete për investime në shkolla.

Shkollat dhe komunat me dokumentacionin e kompletuar duhet të konkurrojnë me projektet e tyre në MASH dhe ky dikaster duhet të ndajë mjete nga buxheti në bazë të nevojës për rinovimin dhe ndërtimin e shkollave fillore dhe të mesme në vend.

Për rikonstruime dhe investime në shkolla aprovohet buxheti dhe aty Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të bëjë ndarjen për mjete të caktuara që i nevojiten, siç është rikonstruimi i shkollave fillore, të mesme, për ndërtim të shkollave të reja etj. Ministria e financave e ndan buxhetin që i takon MASH-it  dhe ajo është përgjegjëse për planin dhe programin. Pastaj komunat konkurrojnë në MASH me projekte të ndryshme, kuptohet me dokumentacion të kompletuar, me leje me projekt të detajuar e kështu me radhë, e më pas fillon realizimi.

Sa i përket punësimeve të reja në arsim, pasi kjo gjë ka implikim fiskal atëherë dhe të gjithë drejtohen te Ministria e Financave, e cila bën një kontroll në hapësirat që janë në mjetet dhe aprovojnë ose refuzojnë kërkesat.

Problemi më i madh ndodh me shkollat në Shkup dhe në Tetovë, të cilat ballafaqohen me mungesë të hapësirës, ku në njërën shkollë pothuajse të gjitha paralelet tejkalojnë numrin maksimal të lejuar me ligj.

Sipas ligjit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, numri minimal i nxënësve në një paralele është 24 dhe maksimal 34, mirëpo paralele mund të formohet edhe me numër më të vogël nëse plotësohen kushtet.

Në shumë shkolla, nxënësit e klasës së parë mësojnë në hapësirat  e çerdhes, ndërkaq në disa shkolla nxënësit shfrytëzojnë edhe hapësirat e sallave të sportit për të mësuar. Gjithashtu nuk ka kabinete për lëndët profesionale, ndërsa mungojnë edhe kushtet për sport dhe edukatë fizike.

Nuk ka siguri të mjaftueshme nëpër shkolla

Edukimi është e drejta themelore për të gjithë njerëzit në shekullin 21, kjo është paraparë si e tillë nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut në vitin 1948, e nënshkruar edhe nga RMV-ja. Kjo e drejtë, në mes të tjerash, garanton infrastrukturë të sigurt dhe humane për të gjithë nxënësit në botë.

Nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) informojnë se në tre vitet e fundit ka pasur rritje të butë të numrit të këmbësorëve të cilët janë lënduar nga automjetet në afërsi të shkollave, bëhet fjalë për gjithsej 308 këmbësorë për 4 vite.

2017 – dy viktima, 67 këmbësorë me lëndime të lehta trupore, 18 këmbësorë me lëndime të rënda trupore, 2018 – një viktimë, 72 këmbësorë me lëndime të lehta trupore, 18 këmbësorë me lëndime të rënda trupore, 2019 – dy viktima, 74 këmbësorë me lëndime të lehta trupore, 16 këmbësorë me lëndime të rënda trupore. Marrë parasysh se ende nuk ka mbaruar viti 2020, deri tani gjithsej janë regjistruar 38 këmbësorë të lënduar nga mos pasja e kushteve për siguri nëpër shkolla.

Reformat në arsim kanë shkaktuar reagime të forta

Reformat në sistemin arsimor të prezantuara nga Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut, kanë shkaktuar reagime të shumta në opinion, në veçanti ato që kanë të bëjnë me bashkimin e disa lëndëve mësimore. Me konceptin e ri, të prezantuar nga ministrja Milla Carovska, në arsimin fillor, lëndët e Biologjisë, Kimisë, Fizikës dhe Gjeografisë do të bashkohen në një lëndë – Shkencat natyrore, kurse Historia, Edukimi qytetar dhe një pjesë e Gjeografisë do të shkrihen në lëndën e re- Shkencat shoqërore. Muzika dhe Arti do të shkrihen në lëndën Edukimi artistik.

Nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit kanë siguruar se asnjë mësimdhënës nuk do të mbetet pa punë, madje duke theksuar nevojën edhe për kuadër plotësues. Ministrja ka thënë se “koncepti i ri është në përputhje me vendet e zhvilluara ku ka integrim të shkencave natyrore dhe shoqërore dhe se ideja është që të formojmë të rinj, qytetarë, që mund ta çojnë vendin drejt zhvillimit ekonomik dhe shoqëror”.

Por, Sindikata e Arsimit druan se reformat do të mund të lënë pa punë shumë mësimdhënëse, andaj edhe kërkojnë sqarime mbi konceptin e prezantuar.

Reagimet më të mëdha kanë të bëjnë me lëndën e Historisë, e cila duhet të shkrihet në lëndë të re, tani në periudhën e kontesteve të mëdha me Bullgarinë. Nga Instituti i Historisë kanë theksuar se “historia është mësuese e jetës jo sepse është lëndë në shkolla, por sepse është nevojë ekzistenciale shekullore e çdo vendi”.

Bashkimi i më shumë lëndëve në një, nuk mund të quhet reformë në arsim. Sistemi arsimor ka nevojë për reforma, jo për zhdukje të lëndëve. Revidim të programeve mësimore mund të ketë, edhe modernizim të lëndëve që qasja te nxënësit të jetë më adekuate lidhur me çështjet historike dhe të historiografisë së popullit. Koncepti i ri mësimor pritet të nisë të zbatohet që nga shtatori i vitit 2021. Reforma në arsim, me programe të reja mësimore, me shkurtim të orëve mësimore, ishin paralajmëruar edhe para tre vjetësh nga ish-ministrja e Arsimit, Renata Deskovska, por ato nuk ishin zbatuar në praktikë.

Pandemia tregoi se sa larg është sistemi arsimor në Maqedoni të Veriut

Paraqitja e pandemisë ishte dëshmia më e madhe e cila tregon se sa ka mbetur pas sistemi i arsimit në Maqedoninë e Veriut. Në mungesë të hapësirave të duhura, nxënësit nga klasa e katërt e deri në të vitin e katërt në shkollë të mesme mbetën nëpër shtëpi, duke mësuar online. Kjo për shkak se shkollat ishin të stërngarkuara, me dy dhe tre turne, e me mbi 35 nxënës në një klasë. Ky realitet e detyroi MASH të vendosë që nxënësit mos të shkojnë në shkollë. Edhe mos shkuarja në shkollë bëri që nxënësit të kenë probleme të tjera. Mungesa e teknologjisë për nxënësit, por edhe për vet shkollat ka bërë që mësimi të çalojë shumë shpesh. Pra, nëse do të kishim kushte më të mira nëpër shkolla, më shumë klasa, më pak nxënës brenda, korridore dhe hyrje / dalje të veçanta e protokolle tjera, mësimi do të mbahej me prezencë fizike. Prandaj, është koha që të mendohet në këtë prizëm dhe të bëhen investime më të mëdha në arsim, renovime të duhura, kushte të mirëfillta, kabinete, salla sporti etj… Përveç kushteve elementare, duhet të punohet edhe në avancimin e teknologjisë sepse bota ka ndryshuar pas pandemisë.

Postime të ngjashme

Konsultime onlajn për punën e Grupit punues sektorial për mjedisin jetësor dhe ndryshimet klimatike

Z H

Seancë e re për “Organizatorët e 27 prillit”

Z H

Gati pas një muaji u caktuan vazhdimet e katër seancave kuvendore

Z H

Mot me diell me vranësira të vogla, temperatura deri në 16 gradë Celsius

Z H

Ju del “error” në numrin amë gjatë regjistrimit? Ja si ta tejkaloni pengesën

T E

Edhe Enti i Statistikave nuk kishte internet sot, tha Selami

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...