Shkruan, Agjencia Zhurnal.mk
Shkup, 25 gusht – Kuvendi i Maqedonisë së Veriut javën e ardhshme do të fillojë punën pas pushimit kolektiv që e kishin deputetët. Vjeshta pritet të jetë e nxehtë në Kuvend për shkak të zgjidhjes së shumë çështjeve delikate, e ndër më kryesoret është gjetja e zgjidhjes së ndryshimit të Kushtetutës dhe futja e bullgarëve, kroatëve dhe malazaezëve si pakica.
Kuvendi do t’i vazhdojë seancat e ngelura
Më 30 gusht do të mbahet takim koordinues i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi me koordinatorët e grupeve të deputetëve dhe do të merren vesh për dinamikën e punës për javën dhe periudhën që vijon.
Ndër aktivitetet e para në Kuvend pritet të jetë vazhdimi i punës së Komisionit kuvendor për zgjedhjet dhe emërimet për zgjedhjen e gjykatësve kushtetues që të mund sa më shpejtë të plotësohen vendet e zbrazëta, si dhe pikat nga rendi i ditës të seancave të mbetura, duke i përfshirë dhe votimin sipas disa ligjeve për çka nuk kishte kuorum para pushimeve.
Para pushimeve, në takimin e fundit me gazetarët, kryetari i Kuvendit Xhaferi informoi se javën pas kthimit nga pushimi i rregullt do të mblidhen komisionet dhe do të bëhen vazhdime të seancave të caktuara, si dhe se seanca e parë e re e rregullt do të caktohet më 13 shtator.
Sipas informacioneve nga Kuvendi, nëse Qeveria kërkon shpalljen e gjendjes së krizës, Xhaferi mund menjëherë ose deri më 1 shtator të thirr seancë dhe të sillet vendimi.
Deri më tani në këtë mandat janë përfunduar 54 seanca, ndërsa nuk janë përfunduar 29 të tjera, që mbeten ende të hapura. Pikat që janë në rend dite të seancave të papërfunduara, nuk kanë kaluar në komisionet kuvendore. Seanca të papërfunduara kanë edhe dhjetëra komisione kuvendore.
Qeveria kërkon zgjidhje për hapjen e Kushtetutës
Fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian u bë me pranimin e kushtit nga qeveria e Bullgarisë, e cila kërkon që fillimisht në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut të futet pakica bullgare, si pakicë kushtetuese, e pastaj të fillojnë procedurat e parapara për zhvillim të negociatave me BE-në. Kundër këtij kushti ka dalë opozita maqedonase VMRO DPMNE, e cila ka thënë se në asnjë mënyrë do të lejojë që kjo të ndodhë, sepse Bullgaria po kërkon ndryshim të historisë dhe identitetit maqedonas. Për të qenë i sigurt se asnjë deputet nuk do të votojë këto ndryshime, kryetari i VMRO DPMNE-së Mickoski i detyroi të gjithë deputetët e tij që të nënshkruajnë deklarata të verifikuara në noter, se nuk do të votojnë një gjë të tillë kundër vendimit të partisë. Ai shkoi edhe më larg duke thënë se nëse një gjë e tillë ndodhë, atëherë ai do të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë.
Kjo situatë e tensionuar ka bërë që qeveria të mendojë zgjidhje, ndërsa opozita në këtë formë e mban të bllokuar rrugën e integrimit evropian, duke lënë pasoja të shumta në zhvillimin ekonomik të shtetit, luftës së korrupsionit, reformat në sistemin e drejtësisë etj.
Çfarë nënkupton të kesh opozitë politike të përgjegjshme?
Në një demokraci funksionale, veprimi në mënyrë konstruktive në opozitë është formë e udhëheqjes, e cila është po aq e rëndësishme për mbrojtjen e qytetarëve dhe për t’ju shërbyer atyre sa është i rëndësishëm edhe shërbimi në koalicionin qeverisës. Kur qytetarët votojnë, ata ua japin të gjithë 120 deputetëve të Kuvendit të njëjtat detyra dhe përgjegjësi, siç përcaktohen nga Kushtetuta dhe ligjet që rrjedhin nga Kushtetuta. Shumica zgjedh qeverinë e re, ndërsa pakica mbetet në opozitë me të njëjtin besnikëri ndaj Kushtetutës si shumica – dhe të njëjtën përgjegjësi ndaj qytetarëve si partia apo koalicioni në pushtet.
Për fat të keq, jo të gjithë politikanët e shohin këtë gjë në këtë mënyrë. Sepse ata mendojnë se roli i opozitës është që ta vështirësonte sa më shumë funksionimin qeverisës, kështu që votuesit e pakënaqur do ta kthenin partinë e tij në pushtet.
Pra, çka duhet të bëjë një opozitë e përgjegjshme? Ajo duhet t’i shqyrtojë hollësisht veprimet e qeverisë, jo për interesin e saj personal, por për të mirën e vendit. Ajo duhet të mbështesë dhe forcojë institucionet e një vendi. Ajo e ka detyrim që të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në jetën parlamentare dhe që t’i kërkojë llogari qeverisë. Opozita sigurisht nuk duhet të mbështesë çdo propozim të qeverisë, por as nuk duhet të refuzojë ose pengojë çdo ide në mënyrë refleksive. Opozita ka për detyrë të marrë pjesë, të bëjë detyrat e saj dhe të ofrojë alternativa. Nuk mjafton vetëm të thotë „Jo”. Kur sistemi funksionon, kur qeveria dhe opozita debatojnë me qëllim të përmirësimit të politikave dhe legjislacionit, atëherë i tërë vendi mund të përfitojë.
Një opozitë e përgjegjshme obligohet të kontribuojë në mënyrë konstruktive gjatë diskutimeve në Kuvend ashtu që idetë dhe propozimet që dalin të jenë më të fuqishme. Retorika ndezëse dhe keqinformimi në çdo medium janë të padobishme për debat të frytshëm. Nëse idetë e opozitës nuk shkojnë përpara, ajo prapëseprapë e ka obligim t’i respektojë dhe t’iu bindet ligjeve të nxjerra ligjërisht – ashtu siç qeveria e ka obligim të respektojë vullnetin dhe pavarësinë e gjykatave.
Bllokimi nga opozita maqedonase, papërgjegjshmëri ndaj shtetit
Opozita ka njoftuar se do të bllokojë punën e Kuvendit, por që nga zgjedhjet lokale në Tetovë nuk kanë dhënë asnjë deklaratë që do të paralajmëronte vendimet e tyre politike në të ardhmen.
LSDM ka kritikuar Mickoskin se që kur humbi në dy komunat Qendër Zhupa dhe Mavrovë-Rostushë dhe që kur u dyfishua numri i votave në Tetovë, Mickoski nuk ka dalë në asnjë paraqitje televizive dhe kjo dëshmon se brenda kësaj partie ka krizë. Nga ana tjetër, opozita maqedonase kërkon vazhdimisht që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare e bindur se fitorja është e tyre.
Në hapjen e kushtetutës gjithashtu është kërkuar që Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në Kushtetutën e këtij shteti, do të definohen si “shqiptarë” dhe jo si qytetarë që përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë së përgjithshme. Ky formulim ishte bërë me ndryshimet kushtetuese të miratuara më 2002, një vit pas konfliktit të armatosur të 2001-shit.
Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është zyrtare në komunat me shumicë shqiptare, në Shkup, si dhe në institucionet qendrore, si në Kuvend dhe Qeveri, por në Kushtetutë ajo nuk definohet si gjuhës shqipe, por si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e qytetarëve nga numri i përgjithshëm i banorëve të Maqedonisë së Veriut.
Hapja e kushtetutës arrihet me dy të tretat e votave në kuvend, ose 81 vota, që do të thotë se duhet më së paku edhe pesë deputetë të opozitës maqedonase të votojnë që kjo gjë të ndodhë, prandaj veprimet në Kuvend të opozitës e cila paralajmëron bllokime, protesta dhe forma të ndryshme të pengimit të zhvillimit të punës, nuk është tjetër vetëm një sjellje destruktive, e cila nuk përfundon askund përveç në dëm të shtetit dhe qytetarëve të saj.