Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Partitë politike, teologët e intelektualët s’po japin kontribut të mjaftueshëm për vetëdijesim të popullatës nga rreziku i Covid-19!

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 4 qershor – Pas rritjes së numrit të rasteve të reja me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut dhe për parandalim efikas të përhapjes së koronavirusit, Qeveria solli vendim që të vendos ndalesë të plotë të lëvizjes për të gjithë qytetarët në Shkup (në të gjitha komunat), në Komunën e Kumanovës, të Likovës, të Shtipit, të Tetovës, si dhe në Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunovc. Ndalesa e lëvizjes fillon nga e enjtja në ora 21:00 dhe do të vlejë deri të hënën në orën 05:00 të mëngjesit. Rivendosja e masave kufizuese pason pas rritjes së numrit të rasteve të reja të diagnostikuara me Kovid-19 në vend gjatë ditëve të fundit. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 101 raste të reja me Kovid-19, shumica prej të cilave janë nga Shkupi – 59. Ka të infektuar në Kumanovë-12, Shtip-shtatë, Strugë – gjashtë, Tetovë – pesë, në Gostivar dhe Koçan ka nga tre raste, Probistip – dy, dhe nga një rast në Prilep, Veles, Ohër dhe Kavadar. Instituti i Shëndetit Publik sot regjistroi 10 pacientë të shëruar dhe katër të vdekur. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Kovid-19 në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 2.492, numri i pacientëve të shëruar është 1.605, numri i vdekjeve është 145, ndërsa aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 742. Deri më tani në vend janë kryer gjithsej 32.161 testime të Kovid-19.

Partitë politike pa apele të fuqishme tek popullata

Në një moment kur numri i të infektuarve është rritur dukshëm, më shumë se në periudhën kur ishte piku i saj në prill, ende shumë qytetarë nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun e kësaj sëmundje ngjitëse. Shumë prej tyre ende nuk besojnë se ekziston një virus i tillë dhe pikërisht për këtë arsye nuk i respektojnë masat për mbrojtje.

Partitë politike në këto raste duhet të luajnë rolin kryesor për të dhënë mesazh të fuqishëm tek popullata e t’iu bëjnë me dije se vërtet ekziston rrezik i madh nga ky virus.

Fatkeqësisht deri më tani, zëri i politikanëve dëgjohet vetëm kur bëhet fjalë për datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Deri më tani nuk doli asnjë kryetar partie e t’iu bëjë thirrje serioze të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes me këtë sëmundje.

Të gjithë partitë merren me kritika politike për përfitime të tyre, por asnjëherë asnjëra parti nuk doli të mbajë një konferencë për media  e bashkë me apelin për respektim të rregullave t’iu sqarojë sakt se çfarë ata duhet të bëjnë qytetarët. Asnjë rekomandim se si qytetarët duhet të vetëdijësohen!

Përveç kësaj, partitë opozitare shumë lehtë kritikojnë insitucionet, por asnjëra prej tyr enuk morri një aktivitet që do të shkonte në dobi të qytetarëve. Nuk u ofrua asnjë maskë mbrojtëse, asnjë pako ushqimi, asnjë shërbim për personat në nevojë…

Përkundrazi, kryetar të partive janë parë të qëndrojnë në restorante e ambiente të mbyllura, pa i respektuar masat mbrojtëse duke dhënë sinjale negative tek popullata.

Ndoshta, duke e kalkuluar edhe datën e mbajtjes së zgjedhjeve disa partive iu konvenon që të rritet numri i të infektuarve duke theksuar se s’ka nevojë për zgjedhje urgjente në këtë situatë pandmie.

Partitë politike duhet të japin apele të fuqishme deri te popullata që të respektojnë rregullat dhe jo të mbyllin njërin sy, duke u bërë se sështë asgjë kaq serioze.

Në vend se t’i bëhet apel popullatës që t’i respektojnë rregullat, shumë prej tyre luajnë me ndjenjat e qytetarëve, pasi kryetarë të komunave kanë kërkuar që mos të vendoset karantina në komunat ku ata menaxhojnë.

Shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha dhe përfitimi i pikëve politike në këtë kohë krize është e padrejtë dhe jo etike.

Intelektualët pa asnjë zë

Akademikë, profesorë e inteletualë të ndryshëm ende nuk dolën e të bëjnë asnjë apel deri te qytetarët e t’iu sqarojnë se sa është e rëndësishme respektimi i rregullave për të shmangur përhapjen e virusit Covid 19.

Ata si zakonisht të strukur dhe pa asnjë kontribut në shoqëri, nuk iu dëgjohet zëri edhe atëherë kur popullata ka më së shumti nevojë që të shkojë në rrugën e drejtë dhe jo të vetshkatërrimit.

Asnjë univerzitet nuk mbajti të paktën një debat publik ku me fakte dhe mesazhe të forta t’iu bëjë me dije qytetarëve se sa është rreziku i madh nga kjo sëmundje ngjitëse dhe vdekjeprurëse. Nuk u organizua asnjë panel online ku studentëve, nxënësve e të rinjve do t’iu bëhej e qartë se duhet të kenë kujdes.

As Akademia e shkencave nuk ndërmorri asnjë aktitivitet në drejtim të menaxhimit me krizën e pandemisë, me efektet e saj dhe të japë ide e zgjidhje se si shteti duhet të sillet pas kësaj krize.

Teologët ende përplasen mes veti kush është më fajtor për përhapje të virusit!

Drejtuesit e religjioneve në Maqedoninë e Veriut ende japin deklarata kontradiktore se kush është më shumë fajtorë për përhapje të virusit dhe kush më së shumti nuk i respekton masat mbrojtëse.

Bashkësitë fetare duhet të kenë rol edhe më të madh në vetëdijësimin e qytetarëve se duhet të vazhdojnë e të mbrohen nga virusi. Edhe pse xhamitë e kishat vazhdojnë të funksionojnë me protokolle të caktuara, sërish angazhimi i teologëve duhet të jetë më i madh në vetëdijësim të popullatës, që ata mos të mblidhen pa nevojë dhe të respektojnë rekomandimet e institucioneve përgjegjëse.

Vetëdijësimi i qytetarëve duhet të ndodhë, pasi deri sa të zbulohet vaksinë kundër këtij virusi, qytetarët do të duhet të mësohen të jetojnë me këto protokolle dhe këtë sëmundje.

Nëse të gjithë aktorët kryesorë të një shoqërie mblidhen e ua sqarojnë qytetarëve se sa serioze dhe sa me rrezik të lartë është virusi COVID 19, atëherë vetëdijësimi i popullatës do të jetë më i madh. Qytetarët janë të prirur që shpeshsherë mos t’iu besojnë urdhërave të qeverisë sepse një urdhër që vjen nga lartë nuk e shohin se është domosdoshmëri për sigurinë dhe shëndetin e tyre, por e konsiderojnë si urdhër që është për përfitime të pushtetit.

Në këtë rast të gjithë elita e një shoqërie duhet të japë kontributin e saj, sepse janë momente kyçe, historike dhe të rëndësishme kur populli ka nevojë për udhërrëfyes dhe qartësim të dilemave.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...