Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Përgjimet “instrument” parazgjedhorë për hakmarrje ndërmjet politikanëve!

Shkup, 23 qershor – Maqedonia e Veriut vazhdimisht dëshmon se ka një demokraci fragjile dhe një sistem që është shumë lehtë i dëmtueshëm. Po del që përgjimet janë metoda më e mirë për të ardhur në pushtet për çdo parti politike dhe në këtë lojë të pistë shpeshherë gjenden duart e korruptuara të funksionarëve shtetëror. Fatkeqësia më e madhe është kanë filluar ta humbin kuptimin edhe vetë përgjimet, për shkak se ato po përdoren vetëm e vetëm për kalkulime politike dhe aspak në emër të drejtësisë. Në një shtet normal, çdo përgjim do të adresohej në organet e prokurorisë, por tek ne ato përdoren vetëm për të demonizuar kundërshtarët politik.

Fatkeqësisht, politikanët nuk po ofrojnë programe të reja, me të cilat do t’iu ofrojnë zgjidhje problemeve të qytetarëve, por po merren me njollosje të njëri-tjetrit. Nga manipulimet e tilla qytetarët janë çdo ditë e më të dëshpëruar, më pak u besojnë politikanëve dhe vazhdimisht tentojnë të ikin jashtë shtetit. Prespektiva ndërtohet me mirëbesim dhe pa korrupsion, e jo me fjalë boshe dhe lojëra të pista për hakmarrje ndërmjet politikanëve.

Skandale përgjimesh çdoherë kur ka procese të rëndësishme

Sa herë që ka procese të rëndësishme në Maqedoninë e Veriut, në skenë dalin përgjime, në të cilat janë të përfshirë funksionarë të lartë shtetëror. Së fundmi janë publikuar tre “bomba” të reja, tre biseda audio dhe një video material, në të cilin dëgjohet zëri i ish drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor, Den Donçev. Në video shihet sesi për një moment para Donçevit dikush lë para kesh dhe ai i merr dhe i fut në çantën e tij.

Në audio materialet Den Donçev i përmend Zoran Zaevin, avokatin Filip Medarski, pra avokatin e Zaevit, por edhe prokuroren Vilma Ruskoska dhe drejtoreshën e Drejtorisë për Kundërzbulim Financiar. Lideri i LSDM-së Zaev thotë se përgjigje për bombat më të reja, personalisht do duhet të japë Donçev. Sipas ish kryeministrit, Donçev bisedon për kompaninë “Total” e jo për kompaninë për dializë “Diamed”. Zaev është i bindur se regjistrimet janë të koordinuara dhe publikuara nga VMRO-DPMNE. Para se të publikohen këto përgjime, ku ka dyshime të thella se është marrë mito nga kompania “Diamed”, ish drejtori i Fondit shëndetësor, Den Donçev dha dorëheqje gjoja për arsye shëndetësore.

Përgjime të ngjashme u zbuluan edhe për sekretarin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dragi Rashkovskin, ku pretendohet se ai ka qenë pjesë e kurdisjes së një tenderi për pajisje të kontrollit të fluturimeve, në favor të një kompanie italiane.

Epilog para disa ditëve ka marrë vetëm rasti me ish kryetaren e Prokurorisë Speciale, Katica Janeva e cila  është dënuar me 7 vite burg në lidhje me rastin ‘Reket’, e cila akuzohet për ‘keqpërdorim të detyrës zyrtare’. Ndërkohë, miku i saj Bojan Jovanovski u dënua me 9 vite burg.

Përgjimet tregojnë se korrupsioni është futur në çdo hallkë të sistemit

Përgjimet e kryera dëshmojnë se krimi në Maqedoninë e Veriut ka përfshirë çdo hallkë të sistemit dhe se askush nuk mund të ndjehet i sigurt apo se privatësia e çdokujt mund të shkelet në çdo kohë.

Ato institucione që duhet të jenë të fuqishme dhe të sigurojnë qytetarët dhe opinionin publik, pikërisht këto institucione janë të cenuara dhe realisht kjo do të thotë se Maqedonia e Veriut është në një situatë të ngulfatur, mbizotëron një pasiguri e përgjithshme, një terror psikologjik që po u bëhet qytetarëve çdoherë kur ka zgjedhje dhe procese të rëndësishme në shtet.

Përgjegjësinë për skandalet e njëpasnjëshme duhet t’i bartë Qeveria, e cila nuk ka arritur ende të zbardhë apo të hetojë të gjithë skandalet e Qeverisë së kaluar dhe jo vetëm kaq, me veprimet e fundit edhe kjo Qeveria aktuale po ndjek rrugën e asaj të kaluarës.

Rasti me përgjimet nuk është i vetmi, pasi Maqedonia e Veriut pothuajse pesë vite me rradhë po përballet me pasojat e aferës së përgjimeve të publikuar në shkurt të vitit 2015 nga LSDM-ja, e cila atë kohë ishte në opozitë.

Kjo aferë që zbuloi keqpërdorime të shumta të drejtuesve më të lartë shtetërorë kishte çuar Maqedoninë e Veriut në krizë të rëndë politike e tensione të shumta, e deri në rënien e Qeverisë së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, i cili ka fituar azil në Hungari pas arratisjes nga vuajta e një dënimi me dy vjet burgim. Ai dhe shumë bashkëpunëtor të tij të afërt po gjykohen në disa procese gjyqësore për vepra të rënda penale, si mashtrime zgjedhore, keqpërdorime financiare, presione ndaj gjyqësorit e dhunë të ushtruar ndaj kundërshtarëve politikë, por gjykimet ndaj tyre ende nuk po përmbyllen.

Partitë vazhdojnë me premtime boshe!

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut akoma pa filluar zyrtarisht fushata zgjedhore kanë dalë me premtime te mëdha në aspektin ekonomik, si rritje të pagave, pensioneve, realizimin e projekteve kapitale, por pa treguar se ku do i gjejnë paratë për të realizuar këto premtime.

Afaristët në Maqedoninë e Veriut ankohen se gjithnjë e më të vështirë e kanë të përballojnë goditjet e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit dhe se shumë vështirë arrijnë të sigurojnë ndihmat e premtuara nga shteti.

Nëse i dëgjon premtimet e partive në fushatë zgjedhore, thuajse shtetin do ta bëjnë parajsë. Partia maqedonase në pushtet me optimizëm shprehet se kriza e shkaktuar nga koronavirusi nuk ka ndaluar hovin e realizimit të investimeve kapitale, madje pohojnë se përmes investimeve në infrastrukturë do të ulet papunësia dhe do të rritet standardi i jetesës së qytetarëve. Nga kjo parti kanë premtuar gjithashtu se prioritet do ta kenë rritjen e pagës minimale për 40 për qind si dhe rritjen e pagës mesatare.

Ndërkaq, partia maqedonase në opozitë ka premtuar ndërtimin e 1 mijë kilometrave me asfalt të ri, ndërtimin e katër klinikave të reja, rritjen e pagave për 25 për qind si dhe rritjen e pensioneve për 10 për qind.

Partitë shqiptare kryesisht shtizat janë duke i thyer në çështjet politike. Partia shqiptare në pushtet thekson se përmes idesë për një kryeministër shqiptar, të gjithë qytetarët do të mund të ndjejnë benefitet e shtetit në formë të barabartë, ndërsa koalicioni opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, zotohen për shpërndarje të mjeteve në formë të barabartë për të gjitha komunat.

Realiteti është shumë ndryshe nga premtimet boshe, pasi sektori i biznesit apelon partitë politike që para se të flasin për idetë grandioze duhet me shumë seriozitet të trajtojnë goditjen e rëndë që ka marrë sektori i biznesit nga pandemia e koronavirusit.

Qeveria e re duhet të planifikojë gjithçka për një periudhë afatgjate dhe të premtojë më pak, sepse pasojat nga koronavirusi do të paraqiten gjatë periudhës që do të vijë dhe do të nevojitet menaxhimi i pasojave që ka shkaktuar kriza e pandemisë. Afërsisht 81% e kompanive nuk mund të adaptohen në këto kushte që ka imponuar kriza e koronavirusit, ndërsa 99.1% e kompanive pohojnë se po ballafaqohen me probleme, përkatësisht se janë prekur nga kriza e koronavirusit.

Rinia iku nga dëshpërimi me politikanët e korruptuar dhe premtimet boshe

Politikanët deir më tani nuk kanë dhënë ndonjë arsye të fortë që ta arrijnë besimin e të rinjve apo t’u besohet në fjalën e dhënë. Thuajse asnjë nga premtimet e mëdha të politikanëve nuk janë realizuar dhe për sa i përket përmirësimit të jetës për të rinjtë, politikanët nuk kanë treguar ndonjë angazhim që mund të shënohet.

Mosrealizimi asnjëherë i premtimeve nga politikanët ka krijuar kushte që të rinjtë të ikin nga vendi, pasi ata nuk shohin perspektivë për të jetuar në vendlindje. Politikanët kanë premtuar sa kanë mundur, por situata ka arritur deri në atë masë sa nuk u besohet aspak. Në fakt po bëhet tallje me premtimet e kota.

Të rinjtë duke parë luftën për pushtet nga ana e politikanëve si dhe premtimet që i bëjnë në fushata vetëm për të arritur deri te pushteti, krijon mungesë motivi dhe besimi të të rinjtë.

Përderisa ekzistojnë shenja se korrupsioni ka përfshirë institucionet dhe politikanët, mungon arsyeja që të rinjtë të besojnë tek ata. Fatkeqësisht politikanët kanë premtuar shumë, por mospuna e tyre, ka dëmtuar jo vetëm të rinjtë, por të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...

Regjistrim Domain, Ueb Hosting, Uebfaqe për kompaninë tuaj, vetëm për    273 euro

error: Content is protected !!