Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Politikanët nëpër zgjedhje i harruan shkollat – Qeveria e paaftë të sjellë vendim për hapje të shkollave!

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 15 gusht – Ashtu siç afrohet viti i ri shkollor, drejtorët e shkollave, mësuesit, prindërit dhe nxënësit shqetësohen gjithnjë e më shumë për mënyrën se si do të zhvillohet mësimi dhe nëse do të hapen shkollat. Nuk ka ende asnjë vendim specifik nga institucionet shtetërore, kështu që shkollat thonë se ata kanë ngecur në një udhëkryq dhe nuk dinë si të organizohen. E vetmja gjë që po bëhet tani nëpër shkolla është përgatitja ose rindërtimi i infrastrukturës shkollore dhe inventarit mësimor.

Edhe dy javë duhet të fillojë mësimi!

Kanë mbetur edhe dy javë deri në fillimin e vitit të ri shkollor dhe vetëm një ditë më parë Komisioni për sëmundje infektive propozoi që nxënsit nga klasa e parë deri në të tretën të shkojnë në shkollë, kurse pjesa tjetër e arsimit fillor dhe të mesëm të mësojnë nëpërmjet internetit. Përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit që morën pjesë në mbledhjen e Komisionit për sëmundje infektive dhanë dritën e gjelbër për këtë propozim,por do të diskutohet në një seancë qeveritare dhe më pas do të merret vendimi përfundimtar.

Propozimi i Komisionit për mësimin në distancë nuk do të përfshijë të gjitha komunat dhe shkollat. Përkatësisht, propozohet që shkollat ​​në komunat ku ka një numër më të vogël të studentëve të regjistruar dhe një numër të vogël të klasave, mësimi të organizohet dhe të zhvillohet në një formë klasike, me prezencë fizike në klasë, vetëm nëse situata epidemiologjike në komunë lejon një gjë të tillë.

Nxënësit nga klasa e parë deri në tretën do të ndahen në grupe nëse disa klasë kanë më shumë nxënës. I njëjti mësues do të punojë me të dy grupet. Para se grupi i dytë të vijë në shkollë, klasa duhet të dezinfektohet. Propozohet që mësimi të zgjasë 30 minuta.

Viti shkollor mund të shtyhet

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, tha se nuk përjashtohet mundësia që viti i ri shkollor 2020/2021 të shtyhet dhe të fillojë më vonë. Sipas tij, çdo vendim që duhet të merret, duhet të bëhen ndryshime ligjore. Ademi tha se propozimi i tij personal është që shkollat ​​të hapen dhe të funksionojnë në varësi të situatës epidemiologjike.

Kryesisht mbisundon mendim pozitiv edhe në Shtabin koordinues të krizës edhe në Qeveri, por edhe në institucionet arsimore, që viti shkollor të fillojë me prani fizike. Janë duke u shqyrtuar të gjitha opsionet e mundshme, ka protokolle për të gjitha modelet e mësimit që janë duke u përgatitur përmes qasjes gjithëpërfshirëse me konsultimin e të gjitha palëve të interesuara që të ketë zgjidhje të qëndrueshme.

Dritë jeshile për modalitetet, siç u shpreh, është dhënë nga Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse me të cilët i kanë përpunuar hollësisht, kanë marrë qëndrime edhe nga SASHK-u dhe në ditët në vijim pritet finalizimi i tyre.

Faza e radhës është që edhe një herë të shqyrtohen protokollet në Komisionin dhe më pas në seancën e Qeverisë të vendoset se cili model konkretisht do të ishte aktivizuar, për cilat rrethana dhe në cilën gjendje epidemiologjike.

Më mirë online apo në klasë

Disa prindër në rrjetet sociale kanë filluar të bëjnë peticion kundër hapjes së shkollave, por edhe kundër mësimit onlajn. Është e vërtetë se çfarëdo opsioni që të ofrohet ose të ndërmerret ndonjë zgjidhje, gjithmonë do të ketë në njerëz që japin rezistencë ose do të gjejnë arsye për t’i kontestuar. Prandaj të gjitha vendimet duhet të merren përmes qasjes së përfshirjes së të gjitha palëve të interesuara dhe përmes hulumtimit dhe analizës.

Mësimi konvencional në klasë është i pazëvendësueshëm ndërsa edhe në vendet më të zhvilluara që kanë kushte të përsosura teknike për mësim online, i njëjti nuk organizohet në tërësi.

Në hulumtimin “Përvoja dhe qëndrime për mësim në distancë gjatë pandemisë së Kovid-19”, tregohet se rreth gjysma e prindërve, drejtorëve dhe mësimdhënësve të anketuar konsiderojnë se duhet të vazhdohet mësimi në shkollë në muajin shtator. Rreth një e treta e prindërve, drejtorëve dhe mësimdhënësve janë për qasje të kombinuar në mësimin në distancë (kombinim të klasave dhe ditëve brenda javës).

Thuajse 59 për qind e drejtorëve të anketuar, 58 për qind e mësimdhënësve të anketuar në arsimin fillor dhe 48 për qind në arsimin e mesëm, si dhe 46 për qind e prindërve të anketuar e kanë mbështetur mësimin e rregullt në klasë në përputhje me protokollet.

Për mbështetjen e modelit të kombinuar të mësimit në klasë dhe në distancë janë shprehur 36 për qind e drejtorëve të anketuar, 33 për qind e mësimdhënësve në arsimin fillore dhe 38 për qind e mësimdhënësve në arsimin e mesëm, si dhe 35 për qind e prindërve.

Më shumë se gjysma e mësimdhënësve (54 për qind) konsiderojnë se në tre muajt e mësimit onlajn (mars-qershor) është rritur numri i nxënësve që kanë vështirësi të përvetësojnë materialin mësimor, ndërsa 77 për qind e mësimdhënësve në një periudhë të caktuar të mësimit në distancë nuk kanë arritur të vendosin kontakt me nxënësit.

Shumica e mësimdhënësve kanë thënë se kanë nevojë për trajnim për përdorimin e teknologjisë arsimore.

Shumica e prindërve të anketuar kanë pasur vështirësi që t’i mbështesin fëmijët e tyre gjatë nxënies në distancë. Prej tyre 61 për qind janë prononcuar se obligimet e tyre të punës i kanë penguar t’u kushtojnë kohë plotësuese të nevojshme për mbështetjen e nxënies-onlajn. Qasja deri te interneti dhe pajisja kompjuterike, gjithashtu, ka qenë pengesë për disa amvisëri, kështu që 37 për qind e prindërve kanë deklaruar se fëmijët është dashur të ndajnë laptopë ose kompjuterë me anëtarë të tjerë të familjes, e madje se nuk kanë pasur internet të qëndrueshëm. Se kanë qasje deri te laptopi ose kompjuteri kanë thënë 5 për qind.

Me rëndësi është që mos të unifikohet vetëm një model, por nga shtatori të fillojë mësimi varësisht prej kushteve të shkollave.

Arsimim edhe për fëmijët me kushte të veçanta

Komiteti i Helsinkit u bën thirrje autoriteteve që urgjentisht të krijojnë kushte për arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilët në kushte pandemie përballen me sfida të mëdha në mësimdhënie sepse platformat e mësimit në distancë në vendin tonë, të cilët kanë zëvendësuar arsimin e rregullt, përjashtojnë shumicën e këtyre fëmijëve .

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për rrezikun e përjashtimit të shtuar të fëmijëve me aftësi të kufizuara në procesin arsimor si rezultat i krizës. Vlerësohet se fëmijët me aftësi të kufizuara do të përfitojnë më së paku nga aplikimi i zgjidhjeve alternative të mësimit në distancë, gjë që shoqërohet nga mungesa e mbështetjes në shtëpi, paarritshmëria ndaj Internetit, mungesa e programeve të arritshme dhe materialeve mësimore.

Politikanët nëpër zgjedhje i harruan shkollat

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe mos formimi i qeverisë e kanë lënë anash procesin aedukativo arsimor. Ende nuk dihet se çfarë vendimi të merret për hapjen e shkollave dhe secili person mendon në kokë më vete se si është më mirë të veprohet. Është fakt se vetëm një model nuk mund të aplikohet, prandaj varësisht vendbanimit dhe kapaciteteve të shkollës duhet të zgjedhet se çfarë modeli do të aplikohet.

Fajtore për këtë pikëpyetje të madhe është politika, ndërsa pjesë e saj është edhe Ministria e Arsimit e cila nuk ishte përgatitur me kohë se çfarë duhet të veprojnë shkollat. Përderisa e gjithë bota po diskutonte se çfarë të bëjnë me procesin shkollor, ministrat dhe politikanët tanë vazhdonin të vraponin fshat më fshat e qytet më qytet, duke kërkuar vota për t’u futur në Kuvend. Në këtë formë ata e harruan arsimin dhe tani, fatkeqësisht si çdohere, me vonesë kërkohet një zgjidhje sa për sy e faqe.

Ministri Ademi personalisht ohon se është për kthimin e nxënësve në shkolla, por pa treguar se si mund të ndodhë kjo gjë, ndërsa nga ana tjetër Komisioni për sëmundje infketive del me qëndrim edhe më absurd se nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën mund të shkojën në shkollë. Pse ky dallim absurd! A nuk vlerësojnë dhe nuk e dinë këta “ekspertë” se nxëënsit  nga klasa e katërt e deri të nëntën mund të takohen çdo ditë në lagjet e tyre, në shtëpitë e tyre dhe kudoqoftë jashtë.

Qeveria është e vetdëijshme se nëse i hapë shkollat duhet t’i hapë më shumë punë vetes, duke paguar më shumë mësues, më shumë mjete për higjienë,  më shumë pastrues dhe më shumë shpenzime tjera. Pra qeveria ende nuk mendon për të mirën e nxënësve, por për lehtësimin e vetvetes. Prandaj, qeveria duke parë vetëm interesin e vet, rrezikon në këtë mënyrë që të nxjerrë një gjeneratë të tërë analfabetësh në të ardhmen. Kjo qeveri, për interes të biznismenëve, pa debat publik i hapi kazinotë, e kurse tani për interes të nxënësve nuk po arrin të marrë një vendim serioz që të hapë shkollat dhe të mos i lejojë nxënësit të mbetin analfabetë dhe jashtë mësimit.

Andaj, nxënësit nuk guxojnë të bëhen viktimë e zgjedhje të parakohshme dhe nga mosformimi i shumicës parlamentare në Kuvend. Koha është për vendime të guximshme, ngjashëm siç bëjnë shtete e Evropës, të cilat për çdo shkollë kanë adoptuar modelin më adekuat.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...