Agjencia Zhurnal.mk
Editorial Maqedoni Rekomanduar TOP LAJM

Editorial: Portugalia nuk e ka në plan të parë zgjerimin e BE-së ! (VIDEO)

Editorial, Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 8 janar – Nga data 1 janar, presidencën e Bashkimit Evropian e ka marrë Portugalia. Në gjashtë muajt e ardhshëm, ky shtet që është shumë larg njohjes së problemeve të Ballkanit Perëndimor, ndryshe nga shtetet e deritanishme të Evropës lindore dhe qëndrore, nuk e ka në plan të parë zgjerimin e BE-së.

Zyrtarisht tre prioritetet kryesore të Portugalisë janë promovimi i rimëkëmbjes së Evropës, implementimi i shtyllës sociale të Bashkimit Evropian si një element kryesor për të siguruar një klimë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse si dhe për të forcuar autonominë strategjike të Evropës duke e mbajtur atë të hapur për botën në përgjithësi.

Buxhetit anti-covid dhe përplasjet brenda vetë BE-në si dhe realizimi i marrëveshjes Brexit me Britaninë e Madhe do të përcaktojë se sa BE do të merret me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Por, edhe pse në shikim të parë duket se Portugalia nuk është aspak e interesuar për Ballkanin Perëndimor, sistemi i BE-së nuk e lejon një përjashtim të tillë, sepse puna e Komisionerit për zgjerim vazhdon të mbetet aktive për të gjetur zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohen shtetet kandidate.

Gjithsesi, Portugalia ka marrë presidencën nga Gjermania dhe do të duhet t’ia dorëzojë të njëjtën Sllovenisë me 1 qershor 2021. Nga përvoja e deritanishme e BE-së, është fakt se edhe pse Portugalia është një kryesuese formale, sërish në realitet do të ketë një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Gjermanisë si paraardhëse dhe Sllovenisë si pasardhëse. Këto dy shtete të fundit e dinë shumë mirë vlerën dhe rëndësinë e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, por edhe rrezikun nëse kjo rrugë nuk vazhdon edhe më tutje.

Në këtë pikë, gjuha shkon aty ku dhemb dhëmbi, pikërisht tek problemi i fundit ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Qeveria duket se do të ketë një pushim dhe jo ndërprerje në negociatat me Bullgarinë, deri në përfundim të zgjedhjeve të cilat në vendin fqinjë janë caktuar për 28 mars. Me këtë mënyrë do të pamundësohej që një pjesë e forcave politike bullgare që dëshirojnë këtë çështje ta shfrytëzojnë në fushatë të mos iu jepet arsye shtesë për të rritur nacionalizmin.

Pikërisht zgjedhjet në Bullgari do të determinojnë se si do të rrjedhin negociatat në të ardhmen. Pas muajit prill pritet të ketë diçka konkrete dhe serioze në marrëdhëniet Shkup-Sofje. Më herët  nuk priten ndryshime të rëndësishme në qëndrimet e fqinjit tonë lindor në lidhje me veton. Zgjedhjet bullgare në mars do të vazhdojnë të kenë një ndikim serioz në intensifikimin e retorikës anti-maqedonase në Sofje për të mbledhur pikë politike.

Për shkak të zgjedhjeve parlamentare në Bullgari nuk duhen pritur mrekulli, të paktën në tre muajt e parë të presidencës Portugeze, por rëndësi të veçantë do të kenë edhe zgjedhjet në Shqipëri. Atje qytetarët do të zgjedhin me votën e tyre më 25 prill, qeverinë dhe parlamentin e ri që do drejtojnë vendin për katër vjet.

Gjermania do të vazhdojë të inkurajojë intensivisht zgjerimin e familjes evropiane, ndërsa presioni më i madh për të vazhduar procesin e zgjerimit duhet të vijë nga vetë institucionet evropiane, kryesisht nga Komisioni Evropian, por edhe nga vendet anëtare me ndikim që tradicionalisht janë mbështetës të këtij procesi.

Zhgënjimi që Berlini nuk ka arritur të përmbushë agjendën për zgjerimin dhe përshpejtimin e negociatave me ato vende që tashmë kanë filluar do të reflektohet menjëherë pas zgjedhjeve në Bullgari dhe në Shqipëri. Nëse nuk do të zgjidhet problemi Shkup-Sofje gjatë presidencës portugeze, zgjidhja dhe hapja e negociatave duhet të vijë gjatë gjashtëmujorin e dytë, i cila do të kryesohet nga Sllovenia, e cila është më e zëshme sa i përket procesit të zgjerimit.

Sllovenia është një lojtar rajonal shumë i rëndësishëm dhe shumë i interesuar për këtë hapësirë të Ballkanit dhe prandaj pritet që ata do të jenë më të përkushtuar ndaj zgjerimit edhe pasi njëjtë do të duhet të kalojnë nëpër telashe më të mëdha siç është Brexit, pandemia dhe nacionalizimi brenda BE-së.

Deri atëherë, Maqedonia e Veriut do të mbetet në dhomën e pritjes së BE-së, duke shpresuar për një rezultat pozitiv në vitin 2021, miratimin e kornizës negociuese dhe marrjen e datës së shumëpritur për negociata. Pengesa me Bullgarinë duhet të tejkalohet. Kjo pengesë aq sa duket absurde është shumëe vështirë për t’u tejkaluar. Ky shtet konteston gjuhën maqedonase, kombin maqedonas dhe pakicën maqedonase në shtetin e tij. Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut duhet të insistojë në zbatimin e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë nga të dyja palët, sepse kjo është forma më e mirë për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme afatgjate.

Përkundër bllokadave të ndryshme, Maqedonia e Veriut nuk duhet të dorëzohet e aspak të dëshpërohet, por të vazhdojë të rritë diplomacinë dhe bashkëpunimin me vendet e Bashkimit Evropian, duhet të zhvillojë sa më shumë ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve, të bëjë reformat në gjyqësi dhe administratë, të rritë pagën mesatare, të forcojë sistemin shëndetësor dhe mbi të gjitha të kryejë reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Nga presidenca portugeze nuk priten çudira, jo nga fakti se është ky shtet i largët perëndimor kryesues i BE-së, por për shkak se rrethanat e lartëshpejguara me zgjedhjet në Bullgari e Shqipëri pamundësojën një gjë të tillë. Askush nuk do të merrte rrezikun për të humbur së paku katër ose pesë muaj për të lutur Bullgarinë kur ata gjenden tanimë në një fushatë zgjedhore, ndërsa edhe Shqipëria duhet të mbajë zgjedhjet e saja. Politikës nuk i ngutet edhe pse qytetarët kërkojnë sa më shpejt zgjidhje, prandaj në fillim të muajit maj, bashkë me ndihmën e Gjermanisë dhe Sllovenisë, pritet të rikthehet në debat çështja e integrimit të Ballkanit Perëndimor, në veçanti me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Integrimi është i pashmangshëm dhe nuk ka alternativë, prandaj duhet vendosshmëri dhe punë e palodhshme që vendi të shkojë përpara.//Zhurnal.mk

Postime të ngjashme

Masa lehtësuese nga 27 prilli në Maqedoni

N E

Faton Ameti: Bashkëpunimi me MSHA në funksion të rregullimit të profileve deficitare

R Zh

Filipçe takohet me kreun e BFI-së, ja çka u morën vesh

R Zh

Ilire Dauti: Kuvendi bllokohet sepse shumica nuk ka numra, jo nga opozita

R Zh

Analizë / Hartë e re për Ballkanin, Maqedonia do të shndërrohej në teatrin më të përgjakshëm të tragjedisë së re të njohur si “ZGJIDHJA”!

R Zh

LSDM: Apasiev është luftëtar i rrejshëm për të drejtat e punëtorëve

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...