Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Premtimi i “harruar” i BDI-së: Një vend pune në fabrikat e investitorëve të huaj ?!

Shkup, 9 Maj, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut po i afrohet pragut të anëtarësimit në NATO, e në një të ardhme më të largët edhe atij të Bashkimit Evropian. Ky i dyti do të jetë mjaft i gjatë për t’u kapërcyer në mënyrë që vendi të anëtarësohet edhe në këtë organizatë të Evropës perëndimore.

E ndërkohë çfarë presin shqiptarët e vendit nga partitë e tyre politike ? Cilat janë brengosjet dhe kërkesat kryesore të shqiptarëve të vendit dhe cilat janë përparësitë e partive të tyre politike këtyre ditëve e muajve deri në fund të këtij viti dhe viteve me radhë ?

Anketa e Dhjetorit të kaluar nga IRI (Instituti Republikan –Americkn- Ndërkombëtar) shpalos brengat kryesore të qytetarëve të katër vendeve të rajonit: Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Bosnjës dhe Serbisë.

Të pyetur se në çfarë drejtimi po shkon Maqedonia e Veriut, 46 për qind e qytetarëve të përfshirë në intervistë thonë se vendi po shkon “në drejtim të keq”, 39 për qind thonë “në drejtim të duhur” e 15 për qind nuk kanë përgjigje ose refuzojnë që të përgjigjen.

Ndërsa në pyetjen nëse të rinjtë e vendit kanë të ardhme të mirë apo të keqe në vend shifrat janë edhe më alarmante. 79 për qind e tyre thonë Jo, 16 për qind Po, e 5 për qind nuk kanë përgjigje.

E në pyetjen se cili është problemi më i madh në vend, në krye të listës të përgjigjeve të qytetarëve qëndron papunësia (30 për qind), ekonomia (14 për qind), standardi i ulët i jetës (10 për qind), çështja e emrit të vendit (7 për qind), de-popullimi/largimi nga vendi (6 për qind), dhe të tjera probleme me 32 për qind.

Shqetësimi kryesor i qytetarëve, ai i papunësisë, tash për tash nuk duket të jetë shqetësim kryesor për partitë politike shqiptare në Maqedoni të veriut.

Por kjo nuk vlen edhe për partitë maqedonase, të cilat në të kaluarën por edhe tash po përqendrohen në tërheqjen e investimeve të huaja kryesisht në zonat e banuara me maqedonas.

Qeveria e tashme e koalicionit tha javë më parë se vitin e kaluar në vend ka pasur investime të huaja në vlerë prej 624,5 milion Euro, por kjo qeveri ende po refuzon që të tregojë adresat se ku shkuan këto investime.

Po bëhen gati dy muaj që ministrat përgjegjës për ekonomi dhe investime (Kreshnik Bekteshi dhe Koço Angjushev) refuzojnë që të tregojnë se cili investim i huaj u instalua vitin e kaluar në zonat me shumicë maqedonase, e cili në zonat me shumicë shqiptare.

Arsyet e kësaj heshtjeje dhe refuzimi të shpalosjes së këtyre detajeve janë të vjetra dhe të njëjta.

Qeveria e tashme sikur edhe ajo e mëparshme pjesën dërmuese të investimeve po e orientojnë tek zonat maqedonase.

Nëpër këto zona po punësohen kryesisht maqedonasit e shqiptarët injorohen.

Ky trend duket se do të vazhdojë edhe këtë vit. Qeveria ka paralajmëruar 1.1 miliardë Euro investime të huaj, por as për këtë vit nuk ka ndonjë qartësi publike se sa nga këto investime do të shkojnë nëpër zonat maqedonase e sa në zonat shqiptare.

Maqedonasit, dikur VMRO-DPMNE e tash edhe LSDM po e jetësojnë mirë strategjinë e tyre për të punësuar qytetarët maqedonas në sektorin privat, e në mungesë të kësaj për shqiptarët, BDI, si partia që e shijoi pushtetin mbi 15 vite i mbetet që kryesisht të përqendrohet dhe të vazhdoi me punësime nëpër sektorin publik.

Sektori publik i ka vendet e kufizuara për çështje punësimi, aty kryesisht gjejnë vende pune rrethi i ngushtë partiak dhe ai familjar.

Është shqetësuese që deri më tash partitë shqiptare në pushtet, në këtë rast BDI, PDSH, Alternativa dhe RDK, nuk e kanë lodhur kokën për punësimin e shqiptarëve në sektorin privat, përkatësisht në fabrikat e investitorëve të huaj.

Deri më tash më tash kjo nuk ka qenë përparësi e tyre.

Prandaj, partitë politike shqiptare në pushtet duhet që të ndërrojnë përcaktimet e tyre për çështjen e ekonomisë dhe vendeve të punës.

Ato duhet që t’ia rrahin tavolinën Zoran Zaevit aty brenda qeverisë e të krijojnë rregull të rreptë me partnerin e tyre qeveritar, LSDM-në, dhe të bëjnë shpërndarje proporcionale të investimeve të huaja në mënyrë që shqiptarët e vendit të orientohen për punësim në sektorin privat të kapitalit të huaj të tërhequr për të krijuar vende pune.

Nëse hyrja në NATO ofron siguri e stabilitet dhe besim të investitorëve të huaj për të investuar paranë e tyre në Maqedoni të Veriut, që të gjithë qytetarët e vendit duhet ta shijojnë këtë anëtarësim në aleancën ushtarake perëndimore, pra përmes punësimit tek investitorët e huaj.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...