Editorial: Pse po shitet pasuria e Gruevskit, athua dështoi në sigurimin e 80 deputetëve për ndryshimet kushtetuese?

nga Redaksia

Shkup, 13 tetor – Agjencia për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar kumtoi se është iniciuar procedurë për kthimin e mjeteve në buxhetin e shtetit nga pasuria e konfiskuar e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Bëhet fjalë për banesa, apartmane dhe tokë ndërtimore që i janë konfiskuar me vendime të plotëfuqishme gjyqësore.

“Me hyrjen në procedurë qeveritare filloi kthimi i mjeteve në buxhetin e shtetit nga pasuria e konfiskuar e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Fjala është për dy banesa që gjenden në rrugën Bihaqka, njëra prej 65m2, tjetra 44m2, në KK Kisella Vodë 1, të konfiskuara me vendime të plotëfuqishme gjyqësore III KOK nr.63/21 nga Gjykata Themelore Penale Shkup. Përveç këtyre dy banesave, janë sekuestruar edhe tre apartmane në Panorama Residence, si dhe tokë ndërtimore në KK Qendër dhe tokë ndërtimore në KK Norovë, të cilat po ashtu në një kohë të shkurtër do të vihen në proces shitje”, publikoi në faqen e saj në fejsbuk Agjencia për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar.
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ndaj të cilit janë duke u udhëheqir disa çështje gjyqësore, në vitin 2018, pas shpalljes së dënimit me burg për rastin “Tanku”, u arratis në Hungari ku mori azil. Autoritetet e RMV-së për të kanë lëshuar fletarrest ndërkombëtar.

A u bë “pishman” Gruevski?

Shitja e pasurive të Gruevskit vjen pak kohë pasi në opinion qarkullonin informacione “të sigurta” se ai do të kthehet nga Budapesti në Shkup edhe atë si shpërblim për gjoja ndihmën që është duke dhënë në sigurimin e disa deputetëve nga radhët e VMRO-DPMNE-së, për arritjen e shumicës prej 80 votave në Kuvend, të nevojshme për kalimin e ndryshimeve kushtetuese, shkruan Zhurnal.
Poashtu me siguri të plotë shkruhej se ndryshimet e Kodit Penal në drejtim të uljes së dënimeve për funksionarët e korruptuar, janë pikërisht në funksion të lirimit të Gruevskit nga akuzat kryesore për shkak të cilave duhej të shkojë në burg dhe mundësim të kthimit të tij nga egzili në vend.

Këto nuk ishin vetëm shkrime e raportime gazetareske, por edhe zhvillime konkrete në radhët e VMRO-DPMNE-së. Vetë kreu i kësaj partie, Hristijan Mickovski e akuzoi paraardhësin e tij Gruevski, se është në “lidhje të fshehtë” me qeverinë e tanishme me qëllim të ju ndihmojë për ndryshimet kushtetuese, të cilat Mickovski dhe partia e tij i kundërshtojnë me këmbëngulësi. Udhëheqësia e tanishme e VMRO-DPMNE-së e akuzoi se me USB ua ka dërguar pushtetit ndryshimet e Kodit Penal, si kompensim për të ndihmuar në sigurimin e shumicës prej 80 deputetëve, respektivisht 6 ose 7 deputetëve nga radhët e VMRO-DPMNE-së të nevojshëm për arritjen te kjo shifër, shkruan Zhurnal.

Mirëpo shitja e pasurisë së tij hap disa dilema. Athua Gruevski është tërhequr nga “bashkëpunimi” për kalimin e ndryshimeve kushtetuese? Apo ndërkombëtarët nuk kanë dhënë dritë jeshile për një “deal” të atillë? Apo Gruevski ka aq shumë pasuri, saqë shitja e disa banesave nuk e dëmton në masë të madhe, kështu që negociatat ende janë duke vazhduar në prapaskenë?
Mund të jetë në pyetje edhe ndonjë çështje e katërt për të cilën opinioni do të marë vesh pas shumë viteve, apo nuk do të marë vesh asnjëherë. Mirëpo nëse tregohet e vërtetë se Gruevski ka qenë në kombinim për sigurimin e 80 deputetëve por ka dështuar, ose ndoshta është tërhequr duke vërejtur se më mirë i bie të mos ndihmojë në këtë drejtim, kjo do të thotë se kemi një hap mbrapa në plotësimin e kushtit për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian. Kjo do të thotë se shumica absolute e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që janë pro anëtarësimit në BE sërish janë peng i matematikave absurde politike e kuvendore, që janë ngritur si një “mur kinez” në rrugën e realizimit të synimit për të qenë pjesë e Evropës së bashkuar.

Nëse nuk ka ndryshime, do të ketë acarime!

Kjo i duhet më së paku Maqedonisë së Veriut në këto momente, sepse mund të sjellë deri te zhvillime të paparashikueshme dhe dydimenzionale. Në njërën anë kemi një 75-80 për qind “multietnik” që është pro anëtarësimit sa më të shpejtë në BE, kurse në kuadër të asaj përqindje kemi edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët përveç që dëshirojnë anëtarësimin më të shpejtë tonin në BE, poashtu nuk dëshirojnë që vendi ynë të bëhet edhe pengesë për Shqipërinë, Kosovën dhe mbarë rajonin. Kryetari i Këshillit Euroatlantik në Shkup, ish deputeti Ismet Ramadani, në intervistën e tij për Zhurnal ka paralajmëruar se kjo mund të sjell acarim të ri dhe gjithsesi tëpanevojshëm në marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.

“Kjo i rëndon raportet ndëretnike dhe në qoftë se vazhdon ky destruktivitet, kuptohet se edhe te shqiptarët do të rikthehet edhe një herë qëndrimi i tyre se ne po veprojmë institucionalisht, ne po veprojmë që të anëtarësohemi në BE, ne vepruam që të anëtarësohemi në NATO dhe një strukturë, ose një numër i konsiderueshëm maqedonasish edhe më mtutje po na shohin neve si armiq, gjë që sështë e vërtetë. Domethënë krejt këto, në njëfarë mënyrë mund t’i rëndojnë… Nëse ndodh që VMRO-DPMNE të mos i votojë ndryshimet kushtetuese, atëherë jam shumë i bindur se marrëdhëniet ndëretnike do të acarohen, do të kemi tensione, sepse maqedonasve progresivë, pro NATO, pro BE dhe shqiptarëve në përgjithësi, nëse dikush i pengon në ecjen e tyre drejt anëtarësimit në BE, shqiptarët deshën apo nuk deshtën, do të radikalizohen. Kur them radikalizim, është fjala se raportet ndëretnike do të tensionohen, sepse nuk e pranojnë shqiptarët një realitet që Shqipëria të ecë drejt anëtarësimit në BE, Kosova nëse realizohet marrëveshja, në mënyrë të përshpejtuar për shkak të interesave tjera strategjike mud të ecë drejt NATO-s dhe BE-së dhe kuptohet se shqiptarët këtu nuk do ta pranojnë këtë qëndrim të VMRO-DPMNE-së. Dhe çka është interesante, VMRO-DPMNE-ja fare nuk po e analizon çështjen se edhe nëse vie me numër më të madh në zgjedhjet e ardhshme, pa i votuar ndryshimet kushtetuese, nuk do të ketë aleat, respektivisht pjesëmarrje të ndonjë subjekti shqiptar në atë qeveri”, ka thënë Ramadani.

Që të mos vijë deri te kjo situatë është mirë që faktori ndërkombëtar sërish t’I “ndezë motorët” dhe çështjen most ë ja lëjë në dorë as Gruevskit, as Mijallkovit, as poliitkanëve të tanishëm, as politikanëve të mëhershëm, por vetë t’I shkojë deri në fund kësaj çështje. Është fakt se Maqedonia e Veriut është shtet i pavarur dhe sovran, por është fakt se ende nuk jemi aq të etabluar, prandaj periudha e tri dekadëshit të fundit tregon se vendimet historike nuk kemi mundur t’i sjellim pa një asistencë të fuqishme nga jashtë. Kështu duhet të jetë edhe tani edhe pse sërish do të përsëritet fenomeni-100 ditë do i shajmë ndërkombëtarët, por 100 vite do i falënderojmë./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More