Editorial: Qeveria bën fushata, deri sa vazhdojnë të zbrazen qytete e fshatra! Rinia po ikë, “mushkonjat e Danellës” po kthehen!

nga Redaksia

Shkup, 28 gusht – Qeveria ka filluar një fushatë për të na bindur se ne jemi Europë. Do të shetiten nëpërë qytete e komuna, për të na sqaruar këtë. Por parashtrohet pyetja se pse duhet bërë fushatë dhe harxhime, për të na bindur se vërtetë jemi Europë? Nëse jemi Europë-jemi, pse duhet të bindemi me fushatë. Fushatat, veçanërisht ato të karakterit politik, bëhen vetëm kur duhet të bindësh qytetarët për diçka që nuk është e vërtetë. Për këtë arsye
Askush më mirë se rinia nuk e kupton realitetin në vendlindjen e tyre.

Po të ishte vërtet mirë këtu tek ne siç bëhen reklama e fushata, nuk do t’ia mbathnin nga vendlindja drejt perëndimit me të gjitha mjetet e mundshme të transportit-vetura, autobusë, avionë… Shyqyr Zotit nuk kanë filluar të largohen edhe me bicikleta, si dikur refugjatët e Sirisë, shkruan Zhurnal.

Maqedonia është bë Evropë vetëm për funksionarët me rroga 78 për qind: Kanë para edhe për shtëpi edhe për dashni!

Ne në fakt, ne jemi Evropë por vetëm një muaj. Aq sa i kemi mërgimtarët këtu. Kur largohen ata, largohet edhe Evropa prej Maqedonisë së Veriut. Ose Maqedonia e Veriut prej Evropës- sido që ta thoni nuk do të gaboni. Dhe kthehet sërish, por për një kohëzgjatje më të shkurtër në fundvit. Aq merr frymë Evropa tek ne dhe Maqedonia e Veriut në Evropë, hiç më pak, hiç më shumë. Pjesa tjetër, për fat të keq, (ende) është vetëm fushatë e asgjë tjetër. Është vetëm improvizim evropianizimi. E kemi fjalën për qytetarët, sepse sa u përket funksionarëve, për ta Evropë e përtej Evrope është gjatë katër stinave të vitit. Biles, tani që rrogat u janë rritur për 78 për qind, nuk kanë nevojë fare t’i “prekin” paratë që i fitojnë prej tenderave. U mjafton “78 për qindëshi” edhe për të mbuluar harxhimet në familje e shtëpi, por edhe për harxhimet në dashuri, kuptohet ata që janë pak më “qejfli” dhe preferojnë të voziten me “xhipa” të zi.

Fushatave se në vendin tonë është mirë për të jetuar, si duket kanë filluar t’i besojnë vetëm “mushkonjat e Danella Arsovskës”. Ato nuk i kemi pasur gjatë kohë në Shkup dhe tani janë kthyer me shumicë. Po i quajmë “mushkonja të Danella Arsovskës” sepse çuditërisht u rikthyen pas një kohe të gjatë, gati njëkohësisht me zgjedhjen e kryetares së re të qytetit.
Fushatat gjithsesi që kanë anën pozitive, por vetëm kur përcillen edhe me rezultate konkrete që mbështesin atë që proklamohet e reklamohet në to. Përndryshe mbeten vetëm si një ventil për të harxhuar para buxheti dhe për të mbushur xhepat një grusht njerëzish të kyçur në realizimin dhe zbatimin, e mos të themi edhe në manipulimin e fushatave, shkruan Zhurnal.

Po të ishte për fushata, moti kohë do të ishim pjesë e BE-së!

Aq më tepër kur nuk ka shumë kreativitet. Më tepër bëhet fjalë për kopjim të fushatave të mëhershme. Kemi pasur një fushatë të tillë me titullin “Edhe Dielli është Yll” në vitin 2005 kur u bëmë vend kandidat për anëtarësim në BE. Kemi mjaft “stazh” me fushata dhe po të ishin ato kusht për anëtarësim, ne moti kohë do të ishim një yll që shkëlqen në flamurin e BE-së. Por fushatat janë vetëm një segment. Segmentet tjera nuk funksionojnë si duhet tek ne. Dyshimet për korrupsion janë prezente gjithandej. Diku një milion, diku 1.8 milionë, diku më shumë, e diku më pak, mirëpo kontradiktat janë prezente në të gjitha anët. Qytetarët po varfërohen e dyshimet për keqpërdorim të milionave po shtohen. Revolta qytetare nuk zgjat më shumë se tre ditë. Del skandali i ri dhe të gjithë e harrojmë të vjetrin. Nëse kemi fat ta shfrytëzojmë situatën e krijuar me agresionin rus në Ukrainë, ndoshta do të përparojmë shpejt. Nëse jo, atëherë shenjat nuk janë të mira. Nëse mbetemi në rend dite pasi të normalizohet gjendja në Ukrainë dhe në kontinent, atëherë lindin shumë pikëpyetje.

Të mos keqkuptohemi, dhashtë Zoti që një normalizim i tillë të ndodhë sa më shpejt me çlirim të plotë të Ukrainës dhe disfatë të Rusisë, që së paku të mos kemi edhe më tej frikën e situatës së sigurisë. Por pastaj për Maqedoninë e Veriut do të dalin shumë më shumë kritere dhe detyra, se në situatën e tanishme, kur Evropa është e gatshme të mbyllë njërin sy dhe të na afrojë vetëm pas ndryshimit teknik të Kushtetutës. Sepse nëse fillon t’i “shfletojë” të gjitha kriteret njërin pas tjetrit, nuk i kemi mirë punët, shkruan Zhurnal.

Në këtë pjesë SHBA-të mund të ndihmojnë më shumë se BE. Amerikanët kanë qenë këtu sa herë që BE-ja nuk ka mundur t’i zgjidhë problemet në Ballkan. SHBA është e interesuar me mish e me shpirt për të siguruar stabilitet në Evropën Juglindore. Ata janë të bindur se kjo arrihet me një Maqedoni stabile, që është partner strategjik i SHBA-së. Dhe për momentin, ata vlerësojnë se anëtarësimi në BE mund të na sigurojë këtë “status”. Kurse vlerësimet e SHBA-ve për vendin tonë gjithmonë kanë qenë të sakta. Edhe ndihma e tyre vendimtare. Kështu ishte në vitin 2001 kur vendi u përfshi nga konflikti, i cili nuk kaloi në një luftë me përmasa më të përgjakshme, falë angazhimit këmbëngulës amerikan. Kështu ishte edhe në vitin 2017 kur u nënshkrua Marrëveshja e Prespës dhe menjëherë më pas, siç premtuan, na futën në NATO.

Dhe tani ata insistojnë të na fusin disi në BE që të kemi një problem më pak në krahun jugor të NATO-s. Këtë duhet ta kuptojë edhe Hristijan Mickoski, lideri aktual i VMRO-DPMNE-së. Duhet të largohet nga teoritë se e gjithë bota dhe e gjithë Evropa po komploton kundër partisë së tij? Me vizitën e Gabriel Escobar u vërtetua se askush nuk është i interesuar të për të torturuar anëtarët e opozitës. Nëse Hristijan Mickoski tashmë e sheh veten si kryeministër i ardhshëm, duhet të marrë vendime burrshtetasi, e jo vendime populiste. Vendime që sot mund edhe të kritikohen, por nga gjeneratat do të lavdërohen dhe do të respektohen! /Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More