Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Qeveria e ardhshme të përbëhet me profesionistë, e jo në bazë të peshës që kanë në parti!

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 25 korrik – Negociatat për të formuar qeverinë ende nuk kanë filluar, por pritet që fillimisht ato zhvillohen ndërmjet dy partive më të mëdha që kanë fituar më së shumti vota te shqiptarët dhe te maqedonasit. Pyetja që shtrohet është se çfarë funksionarë do të kemi në qeverinë e ardhshme, profesionistë ose partiakë!

KSHZ i publikoi rezultatet përfundimtare

Komisioni shtetëror i zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 15 korrikut. Në bazë të rezultateve që i kumtoi kryetari i KSHZsë, Oliver Derkovski, LSDM ka fituar 46 ulëse në Kuvend, VMRO DPMNE-44, BDI-15, Koalicioni Aleanca me Alternativën-12, E Majta-2 dhe PDSH-1 ulëse. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut numëron 120 deputetë.

Shpallja e rezultateve nga KSHZ i hap rrugën konstituimit të përbërjes së re parlamentare, në të cilën do të zgjidhet edhe kryetari i ri i Kuvendit. Në bazë të kushtetutës, presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski mandatin për formimin e qeverisë së re do t’ia jep liderit të partisë apo subjektit politik që siguron shumicën parlamentare për formimin e qeverisë.

Në garë për marrjen e mandatit janë LSDM-ja si parti e parë, por edhe VMRO-ja e cila ka dy ulëse më pak në Kuvend, por që ka thënë se tani më ka nisur konsultimet me partitë tjera për sigurimin e numrave në Kuvend.

Nga VMRO-ja nuk ka dhënë detaje duke theksuar se kryetari i partisë, Hristijan Mickovski është i autorizuar nga organet partiake për udhëheqjen e negociatave.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ka bërë të ditur se bisedimet për qeverinë e re do t’i nis pas festës kombëtare të 2 gushtit.

Bashkimi Demokratik për Integrim në zgjedhje mori pjesë me moton “koha për kryeministrin e parë shqiptar”, por zyrtar të saj tani pas zgjedhjeve kanë theksuar se prioritet për këtë parti në negociatat për formimin e qeverisë së re do të jenë zbatimi i tri marrëveshjeve, asaj me Greqinë për emrin, me Bullgarinë për fqinjësi të mira dhe Marrëveshja e Ohrit.

Partitë deri tani preferonin personat partiak

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është bartëse e pushtetit ekzekutiv në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe është e përbërë nga Kryetari i Qeverisë, zëvendëskryetarët dhe ministrat.

Mandati i Qeverisë është t’i realizojë përcaktimet politike të parashikuara në Programin e punës të Qeverisë 2020-2024.

Nga pavarësimi i Maqedoinsë e deri më tani, kryesisht funksionarë qeveritarë kanë qenë persona që kanë rol të rëndësishëm në parti. Qoftë partitë maqedonase, por edhe ata shqiptare për ministra kanë preferuar persona të kryesisë qëndrore të partisë, ndërsa për pozitat më të ulëta kryesisht janë emëruar kryetarë të degëve të ndryshme.

Kohën e fundit partitë maqedonase filluan që të bëjnë ndryshime dhe të ndërtojnë kuadër partiak nëpër sfera të ndryshme, kështu që dihej paraprakisht se çdo parti çfarë personalitet do të vendosin në pozita të ndryshme.

Në fillim të qeverive pas luftës së vitit 2001, mund të thuhej se nuk kishte kuadër të mjfatueshëm për çdo sektor, prandaj edhe në njëfarë forme mund të arsyetoheshin vendimet e partive shqiptare, por tani koha ka ndryshuar.

Shqiptarët kanë profesionistë në çdo sektor

Pas arsimimit të shqiptarëve nëpër dy univerzitetet publike dhe në ato private, janë krijuar kuadër i mjaftueshëm i cili mudn të udhëheqë në mënyrë të denjë çdo proces në të ardhmen. Pas punësimit të shumë shqiptarëve në administratën shtetërore, shqiptarët kanë krijuar përvojë më shumë se dhjetëvjeçare institucionale. Ata vazhdimisht janë edukuar jashtë shtetit dhe kanë marrë pjesë në seminare të shumta të cilat kanë pasur për qëllim edukimin dhe avancimin e tyre institucional.

Në sferën e ekonomisë, juridikut, arsimit, diplomacisë, integrimeve europiane, investimeve të huaja, shëndetësisë, sigurisë, gjuhëve, inxhinerisë dhe shumë sektorë të tjerë, shqiptarët kanë kuadër cilësor të cilët denjësisht mund të t’i kryejnë detyrat e tyre dhe mund t’i plotësojnë nevojat e qytetarëve.

Ka pozita në të cilat edhe mund të “rehatohen” kuadrot partiakë, për të kënaqur kërkesat e personave të cilët kanë punuar në terren për grumbullim të votave, por në institucionet shtetërore specifike duhen specialistë dhe profesionistë të vërtetë, me qëllim që t’i çojnë përpara proceset dhe punët institucionale.

Partitë shqiptare nëse duan të kenë sukses gjatë udhëheqjes së tyre dhe të realizojnë të gjithë programin e tyre partiak e qeveritar, atëherë duhet të kenë të qartë se duhet të zgjedhin profesionistë të vërtetë, dhe jo persona në bazë të peshës së tyre partiake.

Për të përmirësuar imazhin edhe të vet partisë dhe qeverisjes së tyre, partitë duhet të kenë parasysh se funksionarët e ardhshëm të kenë përvojë institucionale,të jenë persona me moral të lartë, të pa korruptuar dhe pa skandale të ndryshme.

Një ndër kërkesat e partive dhe e ndërkombëtarëve është që të kemi proces të “vettingut” gjatë procesit të përzgjedhjes së funksionarëve të ardhshëm dhe pikërisht për këtë arsye funksionarët e ardhshëm duhet të kalojnë të gjitha kërkesat e vettingut. Suksesi arrihet me njerëz të suksesshëm dhe profesionistë, e jo me persona të korruptuar që vazhdojnë të manipulojnë brenda çdo partie politike.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...

Regjistrim Domain, Ueb Hosting, Uebfaqe për kompaninë tuaj, vetëm për    273 euro

error: Content is protected !!