Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Qeveria hedhë faj tek VMRO-DPMNE nëse përsëritet qershori 2018 me BE ?!

Shkup/Bruksel, 04 Prill, Zhurnal.mk – Në qershor të 2018, Franca, Holanda dhe Danimarka nuk u pajtuan me vendet e tjera të Bashkimit Evropian për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Vetoja e tyre bëri që vendimi eventualisht të mund të merret në qershorin që po vjen.
Por, që të tre shtetet nuk ishin unike në arsyet e tyre pse nuk lejuan që këto bisedime të hapen në fund të vitit të kaluar.

Franca, përkatësisht Kryetari Emmanuel Macron, e përdori arsyetimin e tij të çuditshëm për shumë kë në BE dhe institucionet e tij se zgjerimi i bllokut evropian nuk mund të ndodhë pa u bërë një reformë e madhe e vet e BE-së. Ai madje as nuk foli për gjendjen e reformave në Shkup e Tiranë.

Ai vetëm muajin e kaluar doli me një listë pikash e propozimesh se çfarë reformash do ai në skenën e brendshme të BE-së e po ashtu edhe në politikën e jashtme.

Por hedhja e tij e kësaj liste para publikut francez dhe evropian mbeti vetëm çështje fjalësh.

Asnjë takim në nivel të BE-së nuk është mbajtur megjithatë. Por edhe nëse do të jetë mbajtur ndonjë takim në nivel më të ultë e jashtë vëmendjes së opinionit publik, përsëri ende asgjë konkrete nuk ka ndodhur dhe as që pritet që të ndodhë së shpejti për reformën e kërkuar nga ai, të paktën jo ndonjë vendim i përbashkët.

Pra, krejt ideja e tij për reformë të madhe të BE-së është një fluskë ide ende që sillet nëpër ajër edhe për partnerët evropian të Francës.

Nga këndi francez ndaj bisedimeve për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, e në rast se Macron nuk ndërron mendje në momentin e fundit, nuk mund të llogaritet shumë se do të ketë vendim pozitiv në këtë qershor.

Por politikanët edhe në BE ndërrojnë mendje në momentin e fundit. Të paktën kështu shpreson koalicioni qeveritar në Shkup.

Por jo vetëm, edhe shumë shtete të BE-së e zyrtarë të Komisionit Evropian e të Parlamentit Evropian në Bruksel mbeten me shpresë se Franca nuk do të përsërit për herë të dytë veton e saj për argumentin për të cilin edhe ai vet u vonua të shpalos para francezëve dhe evropianëve të tjerë 10 muaj, pra në Marsin që iku.

Shumë analistë në Francë e patën kritikuar Macron se ai qëllimisht e përdori një arsye krejtësisht banale për të shtyrë vendimin për Maqedoninë dhe Shqipërinë për në qershor 2019, pra një muaj pas përfundimit të zgjedhjeve nëpër krejt vendet e BE-së për deputetët e ardhshëm të parlamentit evropian që pastaj pason edhe më përbërjen e re të Komisionit Evropian.

Macron, pra synim e kishte dhe e ka, që ky vendim për të dy vendet e Ballkanit Perëndimor të mos merret para këtyre zgjedhjeve.

Zgjedhjet në Maj, do të jenë një betejë e vërtetë në Francë, dhe sidomos për Macron përmes të cilave do të matet përkrahje ose mospërkrahja e tij dhe partisë së tij të re të krijuar me të cilat ai u bë kryetar shteti.

Macron e përdori veton ndaj Shkupit dhe Tiranës me shpresën që t’i mbledh ca vota më shumë në zgjedhjet e majit, duke u thënë me fjalë të tjera euro-skeptikëve francez (parafrazim i porosisë indirekte): e shihni unë po bëjë diçka për ju në nivel evropian sepse po insistoj në reforma të mëdha në BE në të mirë të francezëve dhe Francës dhe nuk po lejoj « zgjerim » të shpejt të BE-së.

Por këtu Macron manipuloi dobët.

Faktet e mënyrës se çka do të thotë zgjerim i BE-së dhe si ndodhë ky proces e demantojnë kryetarin e Francës.

Këtë ia kanë thënë atij publikisht shumëkush në Francë por edhe të tjerët në Bruksel, nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti.

Hapja e bisedimeve është ndezja e veturës për t’u nisur diku. Pra jo automatikisht arritje në adresën me të ndezur të veturës.

Më fjalë të tjera zgjerimi i BE-së nuk bëhet me “telebartje” si në filmat e e fantazive shkencore kur një person për një sekond kalon në një pozitë tjetër apo nga një kontinent në tjetrin.

Bisedimet kur hapen zgjasin me vite. Kroacisë iu deshën nëntë vite gati. Asaj ia humbi gati nëntë muaj Sllovenia për çështje kufiri detar.

E ndërkohë faktet e hapjes së kapitujve të tjerë të bisedimeve të anëtarësimit që nga qershori i vitit të kaluar me Malin e Zi dhe Serbinë, po ashtu e demantojnë fort dhe publikisht arsyetimin e Macron që përdori qëllimisht tek publiku francez ndaj Shkupit dhe Tiranës.

Holanda dhe Danimarka përdorën arsye që kanë të bëjnë me reformat në sistemin gjyqësor, adminstratë e betejën e pamjaftueshme sipas tyre kundër korrupsionit. Shqipërisë iu përmend edhe krimi i organizuar.

Në konkluzionet e ministrave të jashtëm në qershor 2018 dhe pastaj edhe krerëve të qeverive e të kryetarëve të shteteve në Samitin Evropian në të njëjtin muaj, u renditën në të shkruar arsyet e Holandës dhe Danimarkës si qëndrim i BE-së.

Pra argumenti i Macron nuk figuroi aty. Dhe nuk mund të figuronte sepse ishte jo korrekt dhe ishte kamuflim.

Ashtu si në Prill të vitit të kaluar, edhe në fund të këtij maji, Komisioni Evropian paralajmëroi se ai përsëri do t’iu propozojë vendeve anëtare që të lejojnë hapjen e bisedimeve dhe në takimin e qershorit të vendosin eventualisht për kohën se kur do të hapen ato.

Komisioneri Johannes Hahn e tha këtë muajin e kaluar kur Zoran Zaev ishte në Bruksel dhe e tha edhe të martën kur foli para komisionit për çështje të jashtme të parlamentit evropian në Bruksel.

Pra, gjërat tek institucionet e BE-së janë të qarta. Komisioni dhe Parlamenti Evropian janë që të dy në thirrje të vendeve anëtare, pra në këtë rast Francës, Holandës dhe Danimarkës që në qershor të lejojnë caktimin e datës se kur do të hapen bisedimet saktësisht, të cilat ndodhin me hapjen praktike të kapitujve.

Ndërkohë në Shkup tashmë veç ka filluar të hetohet frika e qeverisë, sidomos e LSDM-së se Macron ka gjasa që përsëri të bllokojë, përderisa nga Holanda dhe Danimarka deri më tash nuk ka ndonjë sinjal të dukshëm negativ për të përdorur edhe ato veton e tyre përsëri.
Frika e LSDM-së është vërejtur edhe kur Zaevi ishte në Bruksel së fundi. Edhe Hahn e Federica Mogherini nuk ka mundur që të fsheh disponimin ende negativ të Francës.

Zyrtarët e LSDM-së të vetëdijshëm për këtë mundësi, pra për edhe një qershor negativ « evropian » po i bëjnë thirrje gati të përditshme VMRO-DPMNE-së që të ngutet e ta përkrah miratimin e propozim-ligjit të ri për PSP-në.

Aty-këtu e midis rreshtave, siç është rasti i Deskoskës dje, sinjalizohet se LSDM-ja do ta bëjë fajtore VMRO-DPMNE-në se ajo do të jetë fajtore nëse në qershor nuk do të ketë caktim date për hapjen e bisedimeve në fund të vitit ose ndonjë vendim tjetër pozitiv të ngjashëm.

Komisioni Evropian me propozimin e përgatitur për t’u publikuar në fund të majit, thotë se Maqedonia e Veriut ka bërë mjaftueshëm reforma për të merituar hapjen e bisedimeve, pra me fjalë të tjera edhe nëse nuk përmbyllet në parlament në Shkup para takimit të qershorit çështja e PSP-së.

Por, ajo çfarë mund të ndodhë në qershor 2019 është se edhe Macron do të mund të përdorë mos-aprovimin eventual të ligjit të ri për PSP si argument për të refuzuar përsëri hapjen e bisedimeve. Ai edhe mund të ketë pastaj arsye të tjera e të përdorë bllokadën ndaj Maqedonisë dhe Shqipërisë si mjet presioni ndaj sidomos Gjermanisë për të tentuar imponuar versionin e tij të reformave në BE.

Kryetarja e re e partisë gjermane në pushtet, Annegret Kramp-Karrenbauer e CDU-së e cila e mori këtë detyrë vitin e kaluar nga Angela Merkel, një ditë pasi që Macron doli me listën e tij çështjeve që ai i do të shtrohen për bisedime për reforma brenda BE-së, e kundërshtoi pjesën më të madhe të kërkesave të Macron dhe doli me kundër-propozime të përgjithësuara.

Në këtë rast, e ky është një mundësi serioze që mund të ndodhë, përsëri Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të ishin viktima të pafajshme të betejës për influencë midis vet shteteve të BE-së brenda vet bllokut dhe të ardhmës së tij.

Pra, LSDM dhe qeveria po thonë me fjalë të tjera “ ta përfundojmë ne punën tonë këtu në Shkup që të tjerët brenda në BE të mos na gjejnë arsyetime të reja, përkundër qëndrimit pozitiv të Komisionit Evropian”.

E nëse vjen qershori, e VMRO-DPMNE nuk do të jap votën e saj për PSP, atëherë po u bllokuan bisedimet përsëri nga një apo tre shtetet e BE-së në fjalë, LSDM do t’ia faturojë pra qytetarëve fajin VMRO-DPMNE-së.

Kështu funksionon BE-ja, të tjerët propozojnë por janë shtetet anëtare të vendosin.
Të njëjtën porosi për PSP-në dhe reforma e tha Hahn dhe kolegja e tij Federica Mogherini muajin e kaluar kur u takuan me Zaevin në Bruksel, e kështu porositi përsëri Hahn të martën në parlamentin Evropian.

Bëjeni ju maksimumin me reforma deri në qershor e mos ia mundësoni askujt brenda BE-së, pra Francës, Holandës dhe Danimarkës, që të mos gjejnë arsye tjera shtesë e t’ua vonojnë përsëri kohën e arritjes atje ku jeni nisur që nga Marrëveshja e Prespës, kur u eliminua vetoja 10 vjetëshe e Greqisë.

Kështu po thotë midis rreshtave Komisioni Evropian. E fajësimet që pritet të ndodhin pastaj , po supozojmë këtu se nuk do të ketë dritë të gjelbër për bisedime këtij qershori, janë çështje midis kundërshtarëve politik. LSDM mund të ketë të drejtë ta akuzojë VMRO-DPMNE, por edhe mund ta ketë gabim.

Krejt varet se cili nga këto shtete është më korrekt në qëndrimet që do të përdorin në qershor, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe për Shqipërinë.

Nëse Macron do të jetë i kënaqur me rezultatin e partisë së tij në zgjedhjet e majit për PE, atëherë ka gjasa të mira që ai ta « harrojë » argumentin e viti të kaluar. Por pastaj mbeten edhe Holanda dhe Danimarka.

Sa e komplikuar vendim-marrja në BE. Shumë e komplikuar madje.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Z H

Lajmet e fundit

Loading...