Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Qeveria ta mbajë fjalën për firmat që i largojnë punëtorët!

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 9 prill – Qeveria e Maqedonisë së Veriut në momentin që ishte paraqitur virusi COVID 19 dhe kishte filluar të ndërmarrë hapa për të ruajtur shëndetin e punëtorëve, ndër masat e para që kishte ndërmarrë ishte mbyllja e restoranteve dhe qendrave tregtare. Që në atë moment, qeveria kishte deklaruar se do t’iu ndajë pagë minimale të gjithë punëtorëve që do të mbesin pa punë si rezultat i krizës së virusit.

Qeveria mos t’i ikë përgjegjësisë

Në momentin kur filluan të paraqiten shifrat e para të punëtorëve që kanë mbetur pa punë, qeveria doli me njoftim se është jofalënderuese që çdo punëtor i larguar nga puna, të llogaritet se është larguar për shkak të krizës dhe situatës së jashtëzakonshme.  Ata thonë se jo çdo largim nga puna do të thotë se firmat i largojnë punëtorët për shkak të krizës dhe këta punëtorë që kanë mbetur pa punë për shkak se iu ka përfunduar kontrata nuk do të trajtohen si të tillë.

Nga qeveria theksojnë se në Agjencinë për punësim çdo ditë ndodhin paraqitje për punësim dhe për largim nga puna dhe për këtë arsye ata nuk mund ta thonë përgjigjen e saktë se punëtorë kanë mbetur pa punë për shkak të koronavirusit. Ata arsyetohen se një person mund të mbetet tani pa punë, por pas dy ditëve tjera të punësohet në tjetër firmë dhe për këtë arsye nuk  konsiderohet se këta persona e kanë humbur punën.

Me këtë lloj të deklaratave, qeveria në njëfarë mënyre tenton t’i ikë përgjegjësisë dhe mos të paguajë pagë minimale për personat që kanë mbetur të papunë. Është shumë e vështirë që qeveria ta definojë se kush ka mbetur pa punë për arsye të ndryshme, pasi që nëse ndodhë largimi nga puna në kohën e krizës kjo do të duhej të konsiderohej si largim nga puna për shkak të situatës së krijuar.

Kredi pa kamatë për firmat që kanë nevojë

Qeveria gjithashtu ka miratuar informacionin për kërkesat që plotësojnë kriteret e Thirrjes Publike Nr.1 ​​për kredi nga Linja e Kredisë së Veçantë me qëllim të zvogëlimit të pasojave të koronavirus COVID-19.

Qeveria ka udhëzuar Bankën e Zhvillimit të bëjë marrëveshje kredie me huadhënësit që plotësojnë kërkesat dhe kriteret për kreditë pa interes. Sipas informacionit të Bankës së Zhvillimit, nga kërkesat e përpunuara, kushtet janë përmbushur nga 136 kompani me 1.737 të punësuar dhe atyre u jepen kredi pa interes në shumën totale prej 1,263,079 euro.

Nga këto 136 kompani aplikuesve, 96% janë ndërmarrje me deri në 10 punëtorë dhe kompani deri me 50 të punësuar, që tregon se fondet nga linja pa interes Covid 19 do të arrijnë kryesisht kompanitë e vogla.

Aplikimi për kredi do të bëhet rregullisht, ndërsa qeveria në baza javore do të njoftohet me aplikimet derisa fondet nga linja e kreditit Covid 19 të jenë shteruar plotësisht.

Qeveritë e rajonit i ndihmojnë qytetarët

Në rajon thuajse të gjitha qeveritë po ndërmarrin hapa për të shpëtuar bizneset dhe për të ndihmuar qytetarët.

Ndryshe nga qeveria e Maqedonisë së Veriut që do të ndajë 200 milionë euro ndihma, qeveria shqiptare ka vendosur të ndajë mbi 370 milion dollarë si ndihmë për shëndetësinë, biznesin dhe  shtresat në nevojë.

Qeveria e drejtuar nga Edi Rama do të ndajë 100 milionë dollarë për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve të tyre, 65 milionë dollarë për nevojat më imediate për shtresat më në nevojë, për biznesin e vogël, për papunësinë e mundshme për shkak të luftës. Sa i përket kompanive, qeveria shqiptare ka vendosur të fshijë përgjithmonë kamat vonesat për debitorët aktivë që kanë konsum energjie, familjarë apo biznes i vogël, me efekt financiar deri në 150 mln dollarë. Nga kjo masë do të përfitojnë 211 024 familje.

Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i kompensojë kompanitë me masën e pagës minimale prej 170 euro për dy muaj në vijim, maksimumi i mjeteve të alokuara në këtë masë janë 41 milionë euro. Gjithashtu do të subvencionohen qiratë deri në maksimumin e masës deri në 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për dy muajt e ardhshëm. Për punëtorët që marrin pagën minimale prej 170 eurove, qeveria e Kosovës ka vendosur që të merr përsipër edhe mbulimin e kontributeve pensionale për dy muajt e ardhshëm.

Serbia nuk ka frikë nga ekonomia e brendshme për shkak të koronavirusit dhe për këtë arsye shteti planifikon rritje ekonomike për festat e fundvitit.

Serbia do të ndajë rreth 520 milionë euro për qytetarët e saj, ndërsa po mendon që çdo qytetari të rritur t’i ndajnë ndihmë nga 100 euro . Serbia është një nga vendet në Evropë që nuk e konsideron uljen e pagave të sektorit publik.Serbia ka tre mënyra të financimit në të ardhmen, rezervat e brendshme të buxhetit, huazimin në tregun e brendshëm të letrave me vlerë, si dhe huazimin në tregun ndërkombëtar të kapitalit.

Ndër masat më të reja që i ka marrë qeveria qerbe është edhe ndihma falas ndaj kompanive të vogla që të zhvillojnë tregtinë elektronike, e me këtë mënyrë ata ndihmojnë edhe sektorin e IT-së që duhet të ndërtojë platforma për bizneset e tjera.

Çdo qeveri me forma të ndryshme po ndihmon ekonomitë dhe qytetarët e tyre, ndërsa është koha që edhe qeveria e Maqedonisë së Veriut t’i ndihmojë qytetarët e saj dhe jo të gjejë arsye të shmangë premtimet e dhëna.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...