Agjencia Zhurnal.mk
Editorial Rekomanduar TOP LAJM

EDITORIAL/ Qeveria “Zaev 2” mund të lëkundet nëse nuk zhbllokohet procesi integrues

Nga Zhurnal.mk

Shkup, 28 janar – Në muajin prill të këtij viti në Bullgari priten të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare dhe kjo është shpresa e vetme se integrimi i Maqedonisë së Veriut mund të zhbllokohet. Fatkeqësisht Bullgaria, në muajin nëntor të vitit të kaluar, e ka penguar hapjen e negociatave me arsyetimin se ende nuk ka marrëveshje për gjuhën maqedonase, identitetin, aspektet historike, pakicën bullgare në Maqedoninë e Veriut, pretendimet territoriale, gjuhën e urrejtjes, që janë vetëm disa çështjet e hapura, për të cilat Bullgaria kërkon zgjidhje, shkruan Zhurnal.mk

Edhe pse në opinionin në Maqedoninë e Veriut ka optimizëm se pas zgjedhjeve të marsit do të ketë lëvizje pozitive në raportet mes Sofjes zyrtare dhe Shkupit zyrtar shefja e diplomacisë bullgare, Ekaterina Zaharieva, tha se është gabim i madh të pretendohet se Sofja mund të ketë qëndrim më të zbutur pas zgjedhjeve, meqë sipas saj, tashmë atje është arritur një unitet i fuqishëm sa i përket temave të hapura me Maqedoninë e Veriut.

Edhe përkundër kësaj deklarate, sërish bindjet janë se kryeministri Bojko Borisov  është më pro europian dhe nëse ai nuk do të kishte partner koalicioni Krasimir Karakaçanovin, që udhëheq partinë VMRO, do të mbante një qëndirm më të butë dhe vëllazëror ndaj Maqedonisë së Veriut në rrugën e tyre të integrimit.

Maqedonia e Veriut duhet të mbetet e përkushtuar për vazhdimin e bisedimeve me palën bullgare. “Ëndrra evropiane”, nuk duhet të shuhet për Maqedoninë e Veriut, por as edhe për shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, edhe përkundër mosmarrëveshjeve brenda shteteve të Unionit lidhur me politikën e zgjerimit si dhe stërkëmbëzave që i vendosin shtetet njëra tjetrës.

Pavarësisht përplasjeve brenda shteteve Maqedonia e Veriut duhet të bëjë detyrat e saja të shtëpisë, të forcojë luftën kundër korrupsionit,  të respektohen ligjet dhe të ndërtohet një shoqëri e cila do të jenë në përputhje të plotë me nevojat e qytetarëve.

Nëse edhe pas zgjedhjeve në Bullgari nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin ndaj Maqedonisë së Veriut, atëherë qeveria e Zoran Zaevit do të vendoset në sprovë shumë serioze. Dëmi kolateral në këtë rast do të jetë Maqedonia e Veriut që do të reflektojë në politikën e brendshme midis pushtetit dhe opozitës.

Në muajin prill, Maqedonia e Veriut do të mbajë regjistrimin e popullatës dhe kjo gjithsesi do të ketë ndikimin e saj në situatën e përgjithshme politike në vend. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë.

Në Maqedoninë e Veriut, bazuar në regjistrimin e fundit, jetojnë 25.17 për qind shqiptarë, por kjo përqindje në vazhdimësi është kontestuar nga pala maqedonase, në veçanti nga partitë opozitare.

Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, realizohen sipas Kushtetutës, bazuar pikërisht në përqindjen e tyre. Në Kushtetutë, shqiptarët definohen si popull që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe që përbën mbi 20 për qind të popullatës dhe mbi bazë të kësaj janë përcaktuar të drejtat e tyre gjuhësore, të simboleve, të punësimit, përfaqësimit, të drejtat kulturore e kështu me radhë.

Partitë opozitare maqedonase pohojnë se shqiptarët duhet të jenën nën 20 për qind dhe kjo do të vërtetohej përmes një regjistrimi të drejtë të popullatës.

Opozita kërkon që të përcaktohet se cilat dokumente do të pranohen gjatë regjistrimit, cilat baza të të dhënave do të përdoren për të bërë dallimin midis vendbanimit dhe qëndrimit, si dhe të rishikohet mundësia që diaspora të regjistrohet vetë përmes një aplikacioni, por edhe të mos përfshihen ata persona që më shumë se një vit jetojnë jashtë vendit.

Shqiptarët parashikojnë se mund të dalin deri në 30 për qind, dhe nëse rezultatet dalin ndryshe kjo do të shkaktojë revoltë dhe dyshime te maqedonasit për manipulim të procesit nga ana e pushtetit që do të hapë rrugë për të shtuar presionin ndaj pushtetit.

Bashkë me procesin e negociatave për integrim në Bashkimin Evropian, raportet Bullgari – Maqedoni e Veriut, regjistrimin e popullatës dhe zgjedhjet lokale, presioni i opozitës ndaj pushtetit do të jetë shumë i madh. Kjo situatë do të dridhë sigurisht qeverisjen e Zaevit, e cila ashtu është edhe e brishtë dhe në këmbë të qelqit.

Zaev do të jetë në dilemë, të bëjë zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ata lokale ose jo! Një vendim i tillë do të varet nga proceset e lartëpërmendura. Nëse hapen negociatat dhe regjistrimi i popullatës shkon siç është më së miri, atëherë Zaev do të kërkojë edhe një shans tjetër të qeverisjes, duke shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por, nëse vazhdon bllokada e negociatave, Zaev do të matë besimin e qeverisë së tij në zgjedhjet lokale dhe do të insistojë që të mbajë qeverisjen deri në fund, duke u fokusuar në mirëqenien ekonomike dhe stabilitetin politik. (Zhurnal.mk)

Postime të ngjashme

Edi Rama i gatshëm të presë Maqedoninë e Veriut për në konferencën e parë me BE

R Zh

“ZHBLLOKOHET KUVENDI” / Gjatë javës pritet vazhdimi i ndonjë prej seancave të mbetura plenare

R Zh

Pandov për Zhurnal: Qëndrimet e Georgievskit janë qëndrime të Qeverisë, në politikë nuk ka rastësi

Z H

Bishevac: Kërkesat bullgare janë absolutisht të papranueshme dhe joevropiane

R Zh

Ajdari për Zhurnal: Planifikojmë protesta të tjera por kërkojmë mbështetje nga partitë politike

Z H

Zaev parapëlqen që përsëri Shilegov të kandidojë për kryetar të Shkupit

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...