Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Qytetarët nuk do të votojnë në bazë të sondazheve, por në bazë të programeve

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 20 qershor – Partitë politike në Maqedoninë e Veriut pasi u caktua data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për 15 korrik, kanë angazhuar organizata dhe kompani të ndryshme për matjen e opinionit dhe marrjen e mendimeve të qytetarëve duke i pyetur ata se cilën parti e preferojnë që të udhëheqë me vendin. Por qytetarët nuk duhet bazohen vetëm në anketat e partive politike, sepse këto sondazhe shpeshherë manipulohen me qëllim që të japin kahje të ndryshme qytetarëve. Qytetarët duhet që votat e tyre t’i orientojnë drejt  partive që kanë programe reale dhe kanë treguar ose pemtojnë se mund t’i realizojnë këto programe.  

Manipulime me sondazhe

Sondazhet mund të bëhen nga shumë organizata, por ato duhet të jenë të besueshme dhe me qëëlim që mos të manipulojnë me hulumtimet.

Studimet apo hulumtimet që publikohen nga partitë politike, organizata të shoqërisë civile, portalet e ndryshme, për të qenë të besueshme do të duhej të kishin të paktën një mostër dhe metodologji që tregon se studimi është në parametra të besueshëm, me intervale të besueshmërisë dhe në margjina të gabimit. Me fjalë të tjera një studim është i besueshëm nëse është realizuar duke u bazuar në protokollet e hulumtimeve të opinionit publik.

Publikimet e hulumtimeve të kujtdo qofshin, pa një adresë, janë mashtrime dhe të dëmshme. Prandaj në opinion shumë shpesh po plasohen edhe shifra në emër të sondazheve, por pa adresë. Është plotësisht e papranueshme që të përdorën shifra të caktuara pa u përmendur autori i hulumtimit të opinionit apo të sondazhit.

Pra, nëse themi se cili është funksioni i tyre apo i kësaj loje, atëherë duhet thënë se funksioni është ai që pretendon që ta orientojë votuesin e papërcaktuar drejt votës së asaj partie që parallogaritet që mund të fitojë për një arsye të thjesht, sepse zakonisht votuesit e papërcaktuar janë votues të cilët në shumicë të madhe presin që të votojnë për partinë e cila i bindë se do të fitojë.

Partitë politike kryesisht ato që deri me tash kanë qenë në koalicionin qeverisës, pa përjashtuar dhe partitë e opozitës, kanë nisur në njëfarë forme fushatën parazgjedhore.

Disa drejtues të partive politike në disa raste e kanë treguar se përmes organizatave apo kompanive të ndryshme kanë nisur hulumtimet për të parë se ku janë preferencat e qytetarëve për partitë politike.

Debate pa programe

Debatet e përfaqësuesve të partive politike, të cilat po zhvillohen në kuadër të asaj që po njihet si para-fushatë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, reflektojnë qartë që spektri politik në Maqedoninë e Veriut nuk ka ide të qartë dhe program të mirfilltë me të cilën do të del para qytetarëve.

Debatet po pasqyrojnë një para-fushatë më të ngadalshme, me përsëritje të qëndrimeve për çështje të caktuara, ndërsa nuk poshpalosin ide të reja dhe strategji konkrete për adresimin e kërkesave të qytetarëve qoftë në rrafshin ekonomik, kulturor, edukoativo – arsimor, zhvillimor etj.

Për fat të keq, në Maqedoninë e Veriut edhe fushatat zgjedhore krijohen në raport me tjetrin. Pra, nuk ka një ide dhe një identitet të partive politike, të cilat do ta çonin përpara një kauzë zhvillimore. Ofertat nuk janë shpalosur deri më tash, pasi që ka ekzistuar edhe një lloj droje që në këtë periudhë fillestare ato të mos relativizohen, si dhe që javën e fundit, kur edhe është periudha më e rëndësishme për votuesit që të vendosin se për kë do të votojnë, atëherë të mos kenë fuqi mediale dhe elektorale.

BDI ka dalë me idenë e kryeministrit shqiptarë duke e defokusuar debatin mbi temat e vërteta që kanë të bëjnë me problemet reale të qytetarëve, ndërsa partitë tjera politike merren me sondazhe se kush ka më shumë përparësi e kush më pak.

Përfaqësues të partive politike deri më tash nuk kanë shpalosur programe konkrete për qeverisje dhe nuk kanë debatuar për çështjet që në mënyrë konkrete i prekin qytetarët, por për nacionalizëm të mbuluar me lavdi.

Liderët t’i ballafaqojnë mes veti programet politike

Këtë lidership që po del nëpër medie, përveç ofendimeve dhe kakofonisë që po shkaktojnë, përpjekjes për ta bllokuar tjetrin kur flet, nuk ka një përfaqësues i eshalonit të dytë të lidershipit, të prezantojë diçka që jep të kuptohet se në fushatë do të dalin me programe të qarta, të cilat janë të prekshme për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Tjetër gjë është që mund të dalin me të ashtuquajturat ‘temat e mëdha’ populiste, të cilat nuk kanë të bëjnë me realitetin.

Në praktikat normale të vendeve demokratike, liderët që drejtojnë partitë politike dhe garojnë për postin e kryeministrit, ballafaqohen në debate të drejtpërdrejta me kundërshtarët e tyre, por në Maqedoninë e Veriut kjo nuk ka ndodhur deri më tani.

Debatet e tilla do të ishin të dobishme për qytetarët, sepse do ta shihnin ballafaqimin e liderëve politikë për temat e njëjta, por një ballafaqim i tillë vështirë se mund të ndodhë.

Tek ne për shkak të mediokritetit dhe për shkak të inateve personale, si dhe të qasjes së personalizuar në politikë, një debat i tillë është vështirë të realizohet, sepse edhe nuk ka një përvojë. Pra, liderët frikësohen se ndoshta mund të humbin në ato debate, mirëpo është edhe problemi i aranzhimit dhe organizimit dhe mungesës së vullnetit të liderëve për një gjë të tillë.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...

Regjistrim Domain, Ueb Hosting, Uebfaqe për kompaninë tuaj, vetëm për    273 euro

error: Content is protected !!