Agjencia Zhurnal.mk
Editorial Maqedoni Rekomanduar TOP LAJM

Editorial / Reflektimi i Albin Kurtit mund të vijë edhe tek ne

Editorial, Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 23 mars – Albin Kurti është kryeministri i Kosovës me një mandat të dytë, me një ekzekutiv që numëron tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri, pesë prej të cilave do të udhëhiqen nga gra.

Votimi i qeverisë të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit, u bë disa orë pas konstituimit të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, një praktikë e re të cilën Kurtit ia mundësoi fitorja bindëse në zgjedhjet e fundit, ku për kryetar u zgjodh Glauk Konjufca nga LVV-ja, i cili njëherësh ushtron edhe postin e presidentit të Kosovës.

Pas zgjedhjes në postin e kryeministrit, Kurti tha se pritjet e qytetarëve janë të mëdha, andaj sipas tij, edhe përgjegjësia e kabinetit qeverisës është e madhe.

Realiteti i ri në Kosovë, ka bërë shumë qytetarë jashtë kufijve të saj, të reflektojnë në mendimet e tyre se, pushteti mund të ndryshohet edhe më votën e lirë dhe të pakontetuar!

Kriza morale, politike, kulturore e krijuar nga një kapitalizëm i egër dhe i rënduar nga kombinimi i tij me korrupsionin, mungesën e shtetit të së drejtës, të mediave të lira etj., kishte krijuar perceptimin se është e vështirë të ndryshohen qeveritë, e në veçanti të partive të dala nga lufta e Kosovës por edhe ajo e vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut.

Sundimi i një elite politiko-kulturore, që e kishte tjetërsuar pushtetin deri sa konsiderohej edhe si kapje e shtetit në funksion të bizneseve e interesave private të veta dhe të klientelës së saj, rezultoi me ikjen jashtë vendit të njerëzve të papërfaqësuar nga kjo elitë, aq më shumë kur kanë ndjenjën se janë të pambrojtur nga institucionet e këtij shteti të kapur.

Ndjenja e paaftësisë për të përmirësuar situatën, kishte bërë që në Kosovë të shpërthejë një valë e re e shpresës se vetëm një shtresë e re politike, e që në këtë rast ishte Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit të dukej si “drita në fund të tunelit”.

Me gjasë, reflektimi i shqiptarëve të Kosovës ndaj Albin Kurtit, do të ketë impaktin edhe në Maqedoninë e Veriut, por shtrohet çështja se, si do të ndodhë kjo?

Parametrat pothuajse janë të njëjtë sa i përket partive në pushtet në Maqedoninë e Veriut me ata të cilin deri dje ishin në Kosovë. Ideologjia është e njëjtë, burimi i frymëzimit i njëjtë, ndërsa edhe mentaliteti i njerëzve që e udhëheqin partitë shqiptare në pushtet është i njëjtë me atë të njerëzve që ishin deri dje ishin pushteti I Kosovës.

Dallimi më i madh midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është fakti që atje kishte një Albin Kurti, e këtu kërkohet një i tillë, ndonëse kemi të bëjmë me realitete të ndryshme shtetërore.

Liderët e opozitës shqiptare i shfaqin fotot që kanë me Albinin duke i prezentuar sikur mbështetje nga ana e tij, atyre u mungon revolucionari brenda tyre, që e karakterizon Albinin.

Opozita shqiptare e ka synim pushtetin, por ky pushtet nuk fitohet aq lehtë pa e bërë fillimisht punën dhe detyrat e opozitës. Albin Kurti kishte parimet e tij strikte sa i përket disa partive politike me të cilat nuk pranonte të bëjë asnjëherë koalicion, por në Maqedoninë e Veriut, parime të tilla nuk ka. Pushteti, qoftë edhe me “djallin” është synimi i partive të opozitës. Nëse partitë në opozitë nuk i përveshin mëngët dhe të dalin me ofertë serioze ndaj qytetarëve të tyre, vështirë e kanë të kapërcejnë gardhin e pushtetarëve.

Dallimi me reflektimin e Vetëvendosjes në Maqedoninë e Veriut është shumë i madh. Atje, në Kosovë, Albin Kurti kishte platformë politike që ofronte zgjidhje për hallet e problemet e shumta të qytetarëve të Kosovës, e në Maqedoninë e Veriut fatkeqësisht nga opozita nuk ka asnjë projekt dhe platformë në të cilën dikush mund të bazohet dhe të ëndërrojë për ndryshim të pushtetit.

Lëvizja Vetëvendosje doli triumfuese në Kosovë, falë vetëdijesimit të qytetarëve të saj të cilët dinë të dallojnë të mirën dhe të keqën. Ata ditën t’i japin mbështetje partive të pasluftës në Kosovë kur ishte kjo më se e nevojshme, por ditën që t’i dënojnë ata në momentet kur e tepruan me luksin, korrupsionin, dështimin në ekonomi e në sistemin e gjyqësisë.

Në Maqedoninë e Veriut, ngjashëm si në Kosovë qytetarët e vlerësuan dhe e votuan partinë që doli nga lufta e UÇK-së, por dinë gjithashtu që ta dënojnë atë. Ata dinë të dënojnë çdonjërin që shkel mbi gjakun e këtyre dëshmorëve, mbi vlerat e luftës, mbi ëndrrën e tyre që fëmijët e tyre një ditë të jetojnë të lirë, me dinjitet dhe krenar në këtë shtet.

Edhe në Maqedoninë e Veriut mund të ndodhë ndryshimi. Çdonjëri që ia kthen shpinën popullit e merr ndëshkimin e tij. Reflektimi i Albin Kurtit mund të vijë edhe tek ne. Kështu ka ndodhur gjithmonë në histori. Kosova ka qenë paraprijëse e shumë proceseve në çlirimin e shqiptarëve nga zgjedha okupatore serbe dhe jugosllave. Por, ky reflektim në Kosovë varet se si do t’i gjejë partitë në Maqedoninë e Veriut.

Çdokush që qëndron këmbëkryq dhe i fërkon duart se reflektimi dhe ndryshimi nga Kosova do të ndodhë vetvetiu edhe tek ne, gabohet rëndë. Mësimi më i madh që ia dha Albin Kurti skenës politike mbarë shqiptare ishin principet, insistimi dhe vendosmëria për ndryshime.

Nëse ky leksion nuk mësohet mirë nga cilado qoftë parti opozitare, e ka vështirë të ëndërrojë ëndrrën e Albin Kurtit.

Postime të ngjashme

Shkupjani privohet nga liria për kontrabandim të emigrantëve

R Zh

Regjistrimi në Diasporë dukshëm më i ulët se sa ai para vendimit për shtyrje, kush i dëshpëroi!

R Zh

Mungesa e vaksinave ndërpret edhe fushatën e ndërgjegjësimit për vaksinim

R Zh

Tridhjetë ditë paraburgim për gjashtë të arrestuarit për tregti të paligjshme me 200 kilogram marijuhanë

R Zh

Sot 46 viktima dhe 687 raste të reja me COVID-19 në Maqedoni

R Zh

Qeveria demanton Milloshoskin: Zaevi dhe Spasovski nuk u kanë dhënë pasaporta pjesëtarëve të ISIS-it

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...