Shkup, 3 qershor – Kryeministri Kovaçevski para disa ditëve njoftoi se do të thërrasë takim të liderëve ku me kreun e VMRO-DPMNE-së, do të bisedojnë rreth dy çështjeve – e ardhmja evropiane e vendit dhe raportet me fqinjët.
Dikur Zaevi me Gruevskin, pastaj me Mickovskin, tani Kovaçevski me Mickovskin. Vazhdon tradita jo shumë e preferuar nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që në momentet më të rëndësishme për ardhmërinë e vendit, vendimet të sillen në takime “kokë më kokë” mes liderëve të dy partive më të mëdha maqedonase.
Partitë shqiptare tashmë kanë ndërtuar qëndrim arsyetues: ne nuk jemi pjesë e problemit, prandaj edhe nuk kemi pse marrim pjesë.
Mirëpo parashtrohet pyetja se sa vërtet mbanë ky arsyetim?
Po të jetë vërtetë ashtu, kjo do të ishte vetëm një arsye më shumë që takime e tilla të mbahen në format më të gjerë, e jo vetëm mes liderëve të dy partive maqedonase. Sepse po të mbaheshin në format më të gjerë, më të mëdha do të ishin gjasat që pala maqedonase që nuk bindet për ndonjë vendim të rëndësishëm (në këtë rast VMRO-DPMNE e Mickovskit), të bindet më lehtë nga më shumë pjesëmarrës në takim. Nëse jo takim i gjitha partive parlamentare, për çështje kaq të rëndësishme çdo herë duhet të ketë takime të formatit “2 plus 2” (dy partitë më të mëdha shqiptare dhe dy partitë më të mëdha maqedonase).
Në mungesë të një sistemi të tillë të vendimmarrjes, nuk mundet lehtë të hedhen poshtë akuzat dhe vërejtjet e opinionit se në fakt partitë shqiptare vetëm aktrojnë se kanë peshën e tyre, por se në fakt vendimet përfundimtare çdo herë merren nga politikanët maqedonas. Dyshime të tilla ka në të gjitha anët. Në anketa mediale, në rrjete sociale, në biseda private, gjithandej… Sikur ekziston një vijë e kuqe, një kufi se deri aty Maqedonia e Veriut mund të jetë shtet multietnik, por prej aty e tutje vendimet duhet t’i marrin vetëm maqedonasit. Krijohet përshtypja se pa marrë parasysh nëse shqiptarët kanë kryetar Kuvendi, zëvendës kryeministër të parë, ministër të jashtëm, ose ndonjë ditë edhe president ose kryeministër të vendit, “vija e kuqe” nuk duhet të kalohet!
Sepse tani kemi shansin historik, që me mbështetje të fuqishme nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ta vazhdojmë rrugën evropiane dhe të realizojmë edhe qëllimin strategjik të radhës – anëtarësimin fuqiplotë në Bashkimin Evropian. Nëse nuk e arrijmë këtë qëllim, disa pasoja mund t’i parashikojmë që tani, por disa mudn të jenë të paparashikueshme. Për këtë arsye duhet pasur kujdes të madh aë duke koncentruar vendimmarrjen vetëm brenda një grupi etnik, të mos krijohet pakënaqësi tek grupet tjera etnike, sepse diçka e tilë më së paku na nevojitet në këto momente, shkruan Zhurnal.mk