Editorial/ Serbinë po e “ledhaton” edhe opozita kosovare

nga Redaksia

Prishtinë, 28 shtator – Në shkrimet dhe deklaratat e gjithë politikanëve, ekspertëve, analistëve e intelektualëve vendor e ndërkombëtar, që analizojnë në mënyrë neutrale zhvillimiet në Ballkanin Perëndimor, vërehhet një vlerësim i përbashkët për tensionet në Kosovë-ledhatimi i Serbisë.
Është e qartë se “ledhatimin e Serbisë” Perëndimi dëshiron të e përdor si mjet për ta tërhequr këtë shtet nga ndikimi i Rusisë. Deri këtu puna është pak a shumë në rregull. Do të ishte një përfitim i madh për Perëndimin por edhe për rajonin tonë në rast se Serbia do të shkëputej nga ndikimi ruso-kinez, sepse me atë shkëputje, do të zvogëloheshin edhe aspiratat e tyre ndaj fqinjëve.

Mirëpo, koha po tregon se sado që ledhatohet, Serbia nuk e ka ndërmend të shkëputet nga Rusia, e as nga aspiratat e padrejta ndaj fqinjëve. Ajo po bën, me sukses të dukshëm, flirtim të rrejshëm dhe të përkohshëm me Perëndimin, sa për të blerë kohë dhe duke shpresuar se Rusia do të konsolidohet si superfuqi botërore. “Ledhatimin” nga Perëndimi Beogradi po e kupton si dëshmi se sa më shumë të bëjë politikë proruse, aq më tepër koncesione do të fitojë nga Perëndii. Dhe përderisa vazhdon një situatë të tillë, shikuar nga prizmi serb, madje duket e palogjikshme nga Beogradi të distancohet nga Moska, kur kjo afërsi i sjell vetëm beneficione, e jo dëme ose sanksione, shkruan Zhurnal.
Me sulme terroriste, si ai në Banjskë, vetëm po dëshmohet që strategjia e ledhatimit të Serbisë në kuadër të “fotografisë më të madhe”, jo që nuk po jep efekt, por vetëm kundërefekt. Pas sulmit në Banjskë, bashkëisia ndërkombëtare si duket e ka kuptuar këtë realitet.

“Ledhatim” me apo pa vetëdije!

Mirëpo parashtrohet pyetja nëse këtë aktualitet e ka kuptuar edhe opozita kosovare dhe “meinstrimi” medial-propagandistik që graviton kah opozita? Si duket jo, fatkeqësisht! Sepse “ledhatim” të Serbisë, me apo pa vetëdije është duke bë edhe opozita në Kosovë. Duke vlerësuar si “antiamerikanizëm dhe politikë antiperëndimore” çdo insistim të Qeverisë për të sqaruar para ndërkombëtarëve pozicionin e drejtë të Kosovës në negociata, opozita herë herë po e ledhaton Serbinë më shumë se faktori ndërkombëtar. Është fakt se puna e opozitës është të kritikojë pushtetin, por poashtu është fakt se që nga ikja nga kjo botë e presidentit Ibrahim Rugova, nuk kemi pasur ndonjë figurë që ka ditur ta shtjellojë çështjen e drejtë të Kosovës, siç po e bëjnë tani Albin Kurti e Vjosa Osmani. Këtë duhet ta pranojë edhe vetë opozita kosovare, sepse më tepër në këto momente do të fiton nëse e përkrahë Kurtin dhe Osmanin në qëndrimet e tyre të drejta, se sa duke i kundërshtuar me çdo kusht ata, gjithmonë duke e pasur fjalën për dialogun Prishtinë-Beograd.

Me qëndrimet e tyre kundështuese ndaj qeverisë, ata i japin argumente Beogradit përballë perëndimorëve, në akuzat e ripërsëritura vazhdimisht se Kurti, e jo Vuçiqi, është elementi destruktiv në dialog. Kjo i krijon hapësirë Vuçiqit deri në atë masë sat ë marë edhe guximin të arsyetojë vrasjen e policit Afrim Bunjaku, me arsyetimin se nuk është dashur të jetë në Banjskë, aty ku serbët kishin vendosur barrikadë. “Sipas Marrëveshjes së Brukselit ai nuk ka pasur çka kërkon aty dhe për këtë organet tona do të inicojnë hapa të ardhshëm”, ka deklaruar Vuçiq, duke shtuar se pjesëtarët e grupit serb që kryen sulmin asnjëherë nuk do i quajë terroristë, shkruan Zhurnal.

Nëse opozita kosovare e ka problem dhe e vlerëson si nënçmim për vetveten përkrahjen direkte të qëndrimeve të kryeministrit Kurti, atëherë ka mundësi tjera. Sepse në këto pozicione janë edhe figura të rëndëishme të politikës ndërkombëtare. Mjafton që opozita të përkrahë edhe qëndrimet e tyre. Ja për shembull gjenderali legjendar për Kosovën dhe shqiptarët, Uesli Klark e ka definuar shumë mirë atë që po ndodh në Kosovë.
Klark në një intervistë për “Zërin e Amerikës” tha se NATO-ja duhet të forcojë aftësitë e saj për qenë më efikase kudo në Kosovë, ndërsa u shpreh se armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia, dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe. Madje gjenerali Klark, ka vendosur fokusin edhe tek një dukuri e hershme, që tani po përsëritet, e ajo është tentimi për shndërrimin e manastireve në qendra të nacionalizmi serb.

“Para së gjithash, është një tragjedi për të gjitha palët dhe është një problem real për qendrueshmërinë në Ballkan. Duhet të përbëjë shqetësim për Bashkimin Evropian dhe NATO-n, ndërsa dalin në pah detajet e incidentit. Ajo që është më shqetësuese për mua është se pas incidentit, rezultoi se kishte një grumbullim të madh armësh në manastirin serb. Kjo ka ndodhur edhe më parë.
Ne e dimë nga përvoja e mëparshme në Ballkan në vitet 1990, dhe që atëherë se manastiret serbe kanë qenë strehë e nacionalizmit serb. Dhe kjo nuk e përjashton përdorimin e tyre si arsenale. Ndaj kjo është gjëja më shqetësuese.
Shpresoj që KFOR të insistojë që këto manastire të inspektohen dhe arsenalet të konfiskohen, sepse nuk ka vend për këtë në mes të përpjekjeve për të arritur marrëveshjen e autonomisë për qytetarët serbë të Kosovës. Është kundërproduktive dhe nuk ka vend për kërcënime me dhunë dhe armë”, ka theksuar gjenerali Klark në intervistën e tij për “Zërin e Amerikës”.

Po të merreshim seriozisht paralajmërimet e deputetes britanike, ndoshta nuk do ndodhte Banjska

Edhe më herët për këtë dukuri ka folur deputetja britanike Alicia Kearns, kryetare e Komitetit parlamentar për punë të jashtme. Po të ishin marë seriozisht dhe me kohë paralajmërimet e saj për mbushjen e manastireve me armë, ndoshta nuk do të kishte ndodhur as tragjedia në Banjskë. Kearns është treguar direkte edhe në reagimin e saj pas sulmit në Banjskë, ku sërish theksoi se trendi i kohëve të fundit i ndëshkimit të Kosovës dhe përkëdheljes ndaj presidentit Aleksandar Vuçiç po çon në një cikël dhune dhe paqëndrueshmërie. Definicion më të mirë rreth asaj se çka ndodhi të dielën, nuk mund të ketë. Pse nuk e përdor opoita kosovare gjtë paraqitjeve në opinion këtë qëndrim të deputetes Kearns, por iniston në kritika ndaj Qeverisë?
Ose të Këshilltares lokle të Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger.

Kjo e fundit vazhdimisht dhe me këmbëngulje e përsërit se blloku evropian është duke mbajtur anën e Serbisë në dialog me Kosovën. “Është shumë e qartë se ndërmjetësimi i përfaqësuesve të BE-së nuk është i pavarur, por mbështet qëndrimin serb. Ekziston një insistim që së pari duhet të kënaqen interesat serbe. Megjithatë, nuk ka besim se Vuçiq do t’i përmbush detyrimet e tij më pas dhe ky është një rrezik që Kosova nuk dëshiron dhe nuk mund ta marrë. Gjithashtu nga këndvështrimi i BE-së, do të ishte fatkeqësi nëse marrëveshja do të përmbushej vetëm në mënyrë të njëanshme nga Kosova. Duke parë sondazhet dhe veprimet konkrete të politikanëve, është e qartë se vetëm një vend është seriozisht i interesuar për t’u anëtarësuar në BE. Serbia, nga ana tjetër, gëzon pozicionin e saj ku përfiton nga paratë e BE-së, dhe nuk përmbushë asnjë detyrim. Serbia nuk është e interesuar për zgjidhjen e konfliktit. Sa më gjatë ta zgjasë konfliktin, aq më gjatë mund të vonojë anëtarësimin e Kosovës në BE”, është shprehur ajo.

Ka edhe shumë raste tjera. Për shembull edhe gazetarja Ivana Stradner, e lindur në Beograd, por që tani punon në Uashington, shpeshherë shkruan për politikat desturktive të Beogradit dhe lidhjet e fuqishme me Rusinë. “Thelbi i çështjes qëndron në atë se si Rusia dhe Serbia do të përfitonin nga përshkallëzimi në Kosovë. Për të parën, përpjekjet e Putinit për të destabilizuar Ballkanin janë pjesë e strategjisë së tij më të gjerë rajonale për ta vendosur Rusinë si një ndërmjetës të fuqisë globale, ndërkohë që dobëson besueshmërinë e NATO-s dhe shpërqendron Perëndimin nga lufta e vazhdueshme në Ukrainë.

Nga ana tjetër, Vuçiqi shpreson të fitojë interesa strategjike më të menjëhershme nga ndërhyrja e Rusisë, duke u paraqitur si një burim stabiliteti në mes të kaosit rajonal, duke përshkallëzuar dhe de-përshkallëzuar konfliktet me Kosovën si një mjet pazaresh perëndimor. Kjo strategji synonte ruajtjen e pushtetit, duke minuar opozitën properëndimore të Serbisë, duke promovuar nacionalistët e ekstremit të djathtë, e që në ndërkohë të dukej i moderuar në Perëndim. Kriza e Kosovës gjithashtu ndihmon në largimin e vëmendjes nga çështjet e tij politike të brendshme”, ka shkruar Stradner që në fund te qershorit, kur serbët sulmuan dhe lënduan shumë ushtarë të KFOR-it në protestat e tyre “paqësore” në Veri, shkruan Zhurnal.

Krejt kjo që e shkruam më lartë, tregon se në skenën politike kosovare nevojitet një ndryshim konceptual. Dashtë Zoti, do të vijë koha për garë normale politike pushtet-opozitë në Kosovë, por për momentin qartazi nuk kështë një kohë e tillë. Tani është momenti për unitet, jo aq për të luftuar, por për të sqaruar bashkarisht qëndrimin e drejtë të Kosovës në negociatat me Serbinë. Është puna më e lehtë që mund të bëjë edhe pushteti edhe opozita, veçanërisht tani kur përfundimisht u pa se strategjia e “ledhatimit” të Serbisë është strategji e dështuar dhe kundërefikase. /Zhurnal

(Editoriali është përgatitur nga ekipi ynë në Prishtinë)

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More